Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
65 Ty, o Perëndi, të përket lëvdimi në Sion; dhe do të kryhen zotimet para teje.
2 Te ti, që plotëson lutjen, do të vijë çdo krijesë.
3 Mëkatet më kishin mundur, por ti siguron faljen për shkeljet tona.
4 Lum ai njeri që ti e zgjedh dhe e afron pranë vetes, që të banojë në oborret e tua; ne do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate, me gjërat e shenjta të tempullit tënd.
5 Në drejtësinë tënde, ti na përgjigjesh me vepra të tmerrshme, o Perëndia i shpëtimit tonë, ti që je shpresa e skajeve të tokës dhe e deteve të largëta.
6 Me fuqinë tënde i ke bërë malet të patundshëm dhe i ke ngjeshur me forcë.
7 Ti qetëson zhurmën e deteve, zhurmën e valëve të tyre dhe trazirën e popujve.
8 Dhe ata që banojnë në skajet e tokës kanë frikë nga mrekullitë e tua; ti bën që të shpërthejnë britma gëzimi nga lindja dhe nga perëndimi.
9 Ti e viziton tokën dhe bën që ajo të prodhojë më tepër, e pasuron në një masë të madhe; lumi i Perëndisë është plot ujë; ti u siguron njerëzve grurin e tyre, mbasi e ke përgatitur tokën.
10 Ti i mbush me ujë brazdat e saj, sheshon plisat, e zbut me shirat dhe bekon filizat.
11 Ti e kurorëzon motin me bujarinë tënde të madhe dhe gjurmët e tua dallohen me bollëkun e të mirave.
12 Kullotat e shkretëtirës janë plot me ujë, dhe kodrinat janë mbuluar me gëzim.
13 Kullotat mbulohen me kope dhe luginat mbulohen me grurë; ato lëshojnë britma gëzimi dhe këndojnë.
12 "Prandaj tani," thotë Zoti, "kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, me agjërime, me lot dhe me vajtime".
13 Grisni zemrën tuaj dhe jo rrobat tuaja dhe kthehuni tek Zoti, Perëndia juaj, sepse ai është i mëshirshëm dhe plot dhemshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi, dhe pendohet për të keqen që ka dërguar.
14 Kush e di, ndoshta kthehet dhe pendohet, dhe lë pas tij një bekim, një ofertë ushqimesh dhe një libacion për Zotin, Perëndinë tuaj?
15 I bini borisë në Sion, shpallni një agjërim, thërrisni një kuvend solemn.
16 Mblidhni popullin, shenjtëroni kuvendin, mblidhni pleqtë, mblidhni fëmijët dhe foshnjat e gjirit. Të dalë dhëndrri nga dhoma e tij dhe nusja nga dhoma e saj e nusërisë.
17 Midis portikut dhe altarit le të qajnë priftërinjtë, ministrat e Zotit, dhe le të thonë: "Fale, o Zot, popullin tënd dhe mos ia lër trashëgiminë tënde turpit apo nënshtrimit nga ana e kombeve. Sepse do të thonë midis popujve: "Ku është Perëndia i tyre?"".
18 Atëherë Zoti u bë xheloz për vendin e tij dhe i erdhi keq për popullin e tij.
19 Zoti do të përgjigjet dhe do t’i thotë popullit të tij: "Ja, unë do t’ju dërgoj grurë, musht dhe vaj, do t’i keni me bollëk dhe nuk do të jeni më turpi i kombeve.
20 Do të largoj nga ju ushtrinë e veriut dhe do ta çoj në një tokë të zhuritur dhe të shkretë; pararojën e saj drejt detit lindor dhe praparojën e saj drejt detit perëndimor; era e keqe e saj do të përhapet, duhma e saj do të përhapet, sepse ka bërë gjëra të mëdha.
21 Mos kij frikë, o tokë, gëzohu, ngazëllohu, sepse Zoti ka bërë gjëra të mëdha.
22 Mos kini frikë, o kafshë të fushave, sepse tokat për kullotë do të gjelbërojnë, drurët mbajnë frytin e tyre, fiku dhe hardhia japin tërë bollëkun e tyre.
46 Dhe Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin,
47 dhe fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim,
48 sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume,
49 sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij!
50 Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë.
51 Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre;
52 i përmbysi pushtetarët nga fronat e tyre dhe i ngriti të përulurit;
53 i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit.
54 Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij,
55 ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, për gjithmonë.”