Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 65

65 Ty, o Perëndi, të përket lëvdimi në Sion; dhe do të kryhen zotimet para teje.

Te ti, që plotëson lutjen, do të vijë çdo krijesë.

Mëkatet më kishin mundur, por ti siguron faljen për shkeljet tona.

Lum ai njeri që ti e zgjedh dhe e afron pranë vetes, që të banojë në oborret e tua; ne do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate, me gjërat e shenjta të tempullit tënd.

Në drejtësinë tënde, ti na përgjigjesh me vepra të tmerrshme, o Perëndia i shpëtimit tonë, ti që je shpresa e skajeve të tokës dhe e deteve të largëta.

Me fuqinë tënde i ke bërë malet të patundshëm dhe i ke ngjeshur me forcë.

Ti qetëson zhurmën e deteve, zhurmën e valëve të tyre dhe trazirën e popujve.

Dhe ata që banojnë në skajet e tokës kanë frikë nga mrekullitë e tua; ti bën që të shpërthejnë britma gëzimi nga lindja dhe nga perëndimi.

Ti e viziton tokën dhe bën që ajo të prodhojë më tepër, e pasuron në një masë të madhe; lumi i Perëndisë është plot ujë; ti u siguron njerëzve grurin e tyre, mbasi e ke përgatitur tokën.

10 Ti i mbush me ujë brazdat e saj, sheshon plisat, e zbut me shirat dhe bekon filizat.

11 Ti e kurorëzon motin me bujarinë tënde të madhe dhe gjurmët e tua dallohen me bollëkun e të mirave.

12 Kullotat e shkretëtirës janë plot me ujë, dhe kodrinat janë mbuluar me gëzim.

13 Kullotat mbulohen me kope dhe luginat mbulohen me grurë; ato lëshojnë britma gëzimi dhe këndojnë.

Joeli 2:1-11

I bini borisë në Sion dhe jepni kushtrimin në malin tim të shenjtë! Le të dridhen të gjithë banorët e vendit, sepse dita e Zotit po vjen, është e afërt,

po vjen dita e territ dhe e errësirës së dendur, ditë resh dhe mjegulle. Ashtu si përhapet agimi mbi malet, po vjen një popull i shumtë dhe i fuqishëm, të cilit kurrkush nuk i ka ngjarë më parë dhe as nuk do të ketë më kurrë për shumë breza që do të vijnë.

Para tij një zjarr po gllabëron dhe pas tij një flakë po djeg. Përpara tij vendi është si kopshti i Edenit; dhe pas tij është si një shkretëtirë e mjeruar; po, asgjë nuk i shpëton atij.

Pamja e tyre është si pamja e kuajve, dhe rendin si kuaj të shpejtë.

Ata hidhen mbi majat e maleve me zhurmë qerresh, si brambullima e flakës së zjarrit që djeg kallamishtet, si një popull i fortë që është rreshtuar për betejë.

Përpara tyre popujt përpëliten nga dhembja, çdo fytyrë zbehet.

Rendin si njerëz trima, ngjiten mbi muret si luftëtarë; secili ndjek rrugën e vet pa devijuar prej saj.

Askush nuk e shtyn fqinjin e tij, secili ndjek shtegun e vet; sulen në mes të shigjetave, por nuk plagosen.

I bien qytetit kryq e tërthor, rendin mbi muret, ngjiten në shtëpi, hyjnë në to nga dritaret si vjedhës.

10 Para tyre dridhet toka, dridhen qiejt, dielli dhe hëna erren dhe yjet humbin shkëlqimin e tyre.

11 Zoti bën që t’i dëgjohet zëri para ushtrisë së tij, sepse fusha e tij është shumë madhe dhe zbatuesi i fjalës së tij është i fuqishëm. Po, dita e Zotit është e madhe dhe fort e tmerrshme; kush mund ta durojë?

2 Timoteut 3:10-15

10 Dhe ti ndoqe nga afër mësimin tim, sjelljen, këshillat, besimin, durimin, dashurinë, ngulmin,

11 përndjekjet, vuajtjet që më ndodhën në Antioki, në Ikonio, dhe në Listra; ti e di çfarë përndjekjesh hoqa, por Perëndia më shpëtoi nga të gjitha.

12 Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen,

13 por njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë.

14 Por ti qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove,

15 dhe se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus.