Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
66 Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;
2 i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.
3 I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.
4 Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)
5 Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.
6 Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.
7 Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)
8 Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.
9 Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.
10 Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.
11 Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.
12 Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.
25 Fjala që iu drejtua Jeremias për tërë popullin e Judës, në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës (që ishte viti i parë i Nebukadnetsarit, mbret i Babilonisë),
2 dhe që Jeremia shqiptoi përpara tërë popullit të Judës dhe tërë banorëve të Jeruzalemit, duke thënë:
3 "Nga viti i trembëdhjetë i Josias, birit të Amonit, mbret i Judës, deri në këtë ditë janë njëzet e tre vjet që fjala e Zotit më është drejtuar, dhe unë ju kam folur me urgjencë dhe këmbëngulje, por ju nuk më keni dëgjuar.
4 Zoti ju ka dërguar gjithashtu tërë shërbëtorët e tij, profetët me urgjencë dhe këmbëngulje, por ju nuk e keni dëgjuar as keni vënë veshin për të dëgjuar.
5 Ata thonin: "Të kthehet secili nga rruga e tij e keqe dhe nga veprimet e liga, dhe do të banoni në vendin që Zoti ju ka dhënë juve dhe etërve tuaj ngaherë dhe përgjithnjë.
6 Mos shkoni mbas perëndive të tjera për t’u shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, mos provokoni zemërimin tim me veprën e duarve tuaja, dhe unë nuk do t’ju bëj asnjë të keqe".
7 Por ju nuk më keni dëgjuar," thotë Zoti, "dhe keni provokuar zemërimin tim me veprën e duarve tuaja në dëmin tuaj.
8 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive: Duke qenë se nuk keni dëgjuar fjalët e mia;
9 ja, unë do të dërgoj të marr tërë kombet e veriut," thotë Zoti, "dhe Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, shërbyesin tim, dhe do t’i sjell kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, kundër tërë kombeve rreth e qark dhe do të caktoj shfarosjen e tyre dhe do t’i bëj objekt habie, talljeje dhe pikëllimi të përhershëm.
10 Do të bëj të heshtin në mes tyre britmat e gëzimit dhe të kënaqësisë, zëri i dhëndrit dhe ai i nuses, zhurma e mokrës dhe drita e llambës.
11 Tërë ky vend do të bëhet një shkreti dhe një objekt habie dhe këta kombe do t’i shërbejnë mbretit të Babilonisë shtatëdhjetë vjet me radhë".
12 "Po kur të mbushen shtatëdhjetë vjet, unë do ta dënoj mbretin e Babilonisë dhe atë komb, vendin e Kaldeasve," thotë Zoti, "për shkak të paudhësisë së tyre, dhe do ta katandis në një shkretim të përjetshëm.
13 Kështu do të sjell në këtë vend tërë gjërat që kam shpallur kundër tij, tërë gjërat që janë shkruar në këtë libër dhe që Jeremia ka profetizuar kundër të gjitha kombeve.
14 Në fakt shumë kombe dhe mbretër të fuqishëm do t’i kthejnë në robëri vetë Kaldeasit dhe unë do t’i shpërblej sipas veprimeve të tyre dhe sipas veprës së duarve të tyre".
13 Ruaje modelin e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje me besim dhe dashuri, që janë në Krishtin Jezus.
14 Ruaje visarin e mirë me anë të Frymës së Shenjtë që rri te ne.
15 Ti e di se të gjithë ata që janë në Azi më kthyen krahët, dhe midis tyre Figeli dhe Hermogeni.
16 Zoti i dhëntë mëshirë familjes së Onesiforit, sepse shpeshherë më dha zemër dhe nuk pati turp nga prangat e mia;
17 madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë zell dhe më gjeti.
18 Zoti i dhëntë të gjejë mëshirë nga ana e Zotit në atë ditë. Ti e di më mirë se askush sa shërbime më bëri në Efes.