Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 137

137 Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim, duke kujtuar Sionin;

mbi shelgjet e kësaj toke kishim varur qestet tona.

Atje, ata që na kishin çuar në robëri, na kërkonin fjalët e një kënge, po, ata që na shtypnin kërkonin këngë gëzimi, duke thënë: "Na këndoni një këngë të Sionit".

Si mund të këndonim këngët e Zotit në një vend të huaj?

Në rast se të harroj ty, o Jeruzalem, e harroftë dora ime e djathtë çdo shkathtësi;

m’u lidhtë gjuha me qiellzën, në rast se nuk të kujtoj ty, në rast se nuk e vë Jeruzalemin përmbi gëzimin tim më të madh.

Mbaji mënd, o Zot, bijtë e Edomit, që ditën e Jeruzalemit thonin: Shkatërrojini, shkatërrojini që nga themelett".

O bijë e Babilonisë, që duhet të shkatërrohesh, lum ai që do ta lajë të keqen që na ke bërë!

Lum ai që merr foshnjët e tua dhe i përplas kundër shkëmbit!

Vajtimet 5

Kujto, o Zot, atë që na ka ndodhur, shiko dhe vër re turpin tonë.

Trashëgimia jonë u ka kaluar të huajve, shtëpitë tona njerëzve që nuk janë tanët.

Ne u bëmë jetimë, pa etër, nënat tona janë si të veja.

Duhet të paguajmë për ujët që pimë, drutë tona i kemi vetëm me pagesë.

Na ndjekin me një zgjedhë mbi qafë, jemi të rraskapitur dhe nuk kemi fare pushim.

I kemi shtrirë dorën Egjiptit dhe Asirisë për t’u ngopur me bukë.

Etërit tanë kanë mëkatuar dhe nuk janë më, dhe ne mbajmë ndëshkimin për paudhësitë e tyre.

Skllevërit sundojnë mbi ne, askush nuk mund të na çlirojë nga duart e tyre.

E nxjerrim bukën duke rrezikuar jetën tonë, përpara shpatës së shkretëtirës.

10 Lëkura jonë është ngrohur si në një furrë për shkak të valës së urisë.

11 Kanë dhunuar gratë në Sion, virgjëreshat në qytetet e Judës.

12 Krerët janë varur nga duart e tyre, personi i pleqëve nuk është respektuar.

13 Të rinjtë i vunë të bluajnë, të vegjëlit u rrëzuan nën barrën e druve.

14 Pleqtë nuk mblidhen më te porta, të rinjtë nuk u bien më veglave të tyre.

15 Gëzimi i zemrave tona është pakësuar, vallja jonë është shndërruar në zi.

16 Kurora ka rënë nga koka jonë; mjerë ne, sepse kemi mëkatuar!

17 Prandaj u sëmur zemra jonë, për këto gjëra na janë errësuar sytë:

18 për malin e Sionit që është i shkretuar dhe në të cilin sillen dhelprat.

19 Por ti, o Zot, mbetesh për jetë, dhe froni yt brez pas brezi.

20 Pse do të na harroje për jetë dhe do të na braktisje për një kohë të gjatë?

21 Na bëj që të rikthehemi te ti, o Zot, dhe ne do të kthehemi; rivendos ditët tona si në të kaluarën.

22 Mos vallë na hodhe poshtë fare apo je zemëruar me të madhe kundër nesh?

Marku 11:12-14

12 Të nesërmen, kur dolën nga Betania, ai kishte uri.

13 Dhe, duke parë nga larg një fik që kishte gjethe, shkoi për të parë në se mund të gjente diçka atje; por, kur iu afrua, s’gjeti asgjë përveç gjetheve, sepse nuk ishte koha e fiqve.

14 Atëherë Jezusi, duke iu drejtuar fikut, tha: “Askush mos ngrëntë kurrë fryt prej teje përjetë.” Dhe dishepujt e tij e dëgjuan.

Marku 11:20-24

20 Të nesërmen në mengjes, duke kaluar, panë se fiku ishte tharë me gjithë rrënjë.

21 Dhe Pjetri, duke u kujtuar, i tha: “Mësues, ja, fiku që ti mallkove qenka tharë.”

22 Atëherë Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Kini besimin e Perëndisë!

23 Sepse ju them në të vërtetë se nëse dikush do t’i thotë këtij mali: Luaj vendit dhe hidhu në det,," dhe nuk do të ketë dyshime në zemër të vet, por do të besojë se ajo që po thotë do të ndodhë, çdo gjë që të thotë do t’i bëhet.

24 Prandaj po ju them: Të gjitha ato që ju kërkoni duke lutur, besoni se do t’i merrni dhe ju do t’i merrni.