Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
137 Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim, duke kujtuar Sionin;
2 mbi shelgjet e kësaj toke kishim varur qestet tona.
3 Atje, ata që na kishin çuar në robëri, na kërkonin fjalët e një kënge, po, ata që na shtypnin kërkonin këngë gëzimi, duke thënë: "Na këndoni një këngë të Sionit".
4 Si mund të këndonim këngët e Zotit në një vend të huaj?
5 Në rast se të harroj ty, o Jeruzalem, e harroftë dora ime e djathtë çdo shkathtësi;
6 m’u lidhtë gjuha me qiellzën, në rast se nuk të kujtoj ty, në rast se nuk e vë Jeruzalemin përmbi gëzimin tim më të madh.
7 Mbaji mënd, o Zot, bijtë e Edomit, që ditën e Jeruzalemit thonin: Shkatërrojini, shkatërrojini që nga themelett".
8 O bijë e Babilonisë, që duhet të shkatërrohesh, lum ai që do ta lajë të keqen që na ke bërë!
9 Lum ai që merr foshnjët e tua dhe i përplas kundër shkëmbit!
13 Si mund të të jap zemër? Në çfarë do të të ngjas, o bijë e Jeruzalemit? Çfarë gjë do të krahasoj me ty që të të ngushëlloj, o bijë e virgjër e Jeruzalemit? Sepse shkatërrimi yt është i madh si deti; kush mund të të shërojë?
14 Profetët e tu kanë pasur për ty vegime të rreme dhe të paarsyeshme; nuk kanë zbuluar lakuriq paudhësinë tënde që të largojnë robërinë prej teje; ata kanë shqiptuar për ty profeci të rreme dhe mashtruese.
15 Tërë kalimtarët i rrahin duart kundër teje; fërshëllejnë dhe tundin kokën kundër bijës së Jeruzalemit: "Ky qënka qyteti që e quanin "bukuri e përsosur," "gëzimi i tërë tokës"?".
16 Tërë armiqtë e tu hapin gojën kundër teje; fërshëllejnë dhe kërcëllijnë dhëmbët, dhe thonë: "E kemi gëlltitur! Po, kjo është dita që prisnim; arritëm ta shohim".
17 Zoti ka realizuar atë që kishte menduar; ka mbajtur fjalën që kishte dekretuar në ditët e lashta. Ka shkatërruar pa asnjë mëshirë, ka vepruar në mënyrë që armiku të gëzohet me ty, ka lavdëruar fuqinë e kundërshtarëve të tu.
18 Zemra e tyre i bërtet Zotit: "O mure të bijës së Sionit, bëni që të derdhen lotët si një përrua ditën e natën. Mos i jepni qetësi vetes, mos paçin çlodhje bebet e syve tuaj.
19 Çohuni, bërtisni natën, në fillim të çdo vigjiljeje. Derdhni si ujë zemrën tuaj përpara fytyrës së Zotit. Ngrini duart në drejtim të tij për jetën e fëmijëve tuaj, që mpaken nga uria në hyrje të të gjitha rrugëve".
20 "Shiko, o Zot, dhe shqyrto. Cilin ke trajtuar në këtë mënyrë? A duhet të hanin gratë frytin e barkut të tyre, fëmijët që përkëdhelnin? A duhet të vriteshin prifti dhe profeti në shenjtëroren e tij?
21 Të vegjëlit dhe pleqtë dergjen për tokë nëpër rrugë; virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë rënë nga shpata; ti i ke vrarë ditën e zëmërimit tënd, i ke masakruar pa mëshirë.
22 Ti ke mbledhur si për një ditë feste tmerret që më rrethojnë nga çdo anë. Në ditën e zemërimit të Zotit nuk pati as ikanak as të mbetur. Ata që kisha ushqyer me gji dhe që kisha rritur, i shfarosi armiku im".
5 Kushdo që beson se Jezusi është Krishti, ka lindur nga Perëndia; dhe kushdo që do atë që e ka ngjizur, do edhe atë që ka qenë ngjizur nga ai.
2 Nga kjo ne dimë ti duam bijtë e Perëndisë: kur duam Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e tij.
3 Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda.
4 Sepse çdo gjë që ka lindur nga Perëndia e mund botën; dhe kjo është fitorja që e mundi botën: besimi ynë
5 Cili është ai që e mund botën, veç se ai që beson se Jezusi është Biri i Perëndis?
13 Jua shkrova këto gjëra juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që të dini se keni jetën e përjetshme dhe që të besoni në emrin e Birit të Perëndisë.
14 Kjo është siguria që kemi përpara tij: nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na e plotëson:
15 Dhe nëse dimë se ai na i plotëson të gjitha ato që i kërkojmë, ne dimë se i kemi ato që i kërkuam atij.
16 Në se dikush sheh vëllanë e vet se kryen një mëkat që nuk çon në vdekje, le t’i lutet Perëndisë, dhe ai do t’i japë jetën, atyre që bëjnë mëkat që nuk çon në vdekje. Ka mëkat që çon në vdekje nuk them që ai të lutet për këtë.
17 Çdo paudhësi është mëkat; por ka mëkat që nuk çon në vdekje.
18 Ne dimë se kushdo që ka lindur nga Perëndia nuk mëkaton; ai që ka lindur nga Perëndia e ruan veten e tij, dhe i ligu nuk e prek atë.
19 Ne dimë se jemi nga Perëndia dhe se gjithë bota dergjet në ligësi.
20 Por ne dimë se Biri i Perëndisë erdhi dhe na dha të kuptuarit, që ne të njohim atë që është i Vërteti; dhe ne jemi në të Vërtetin, në Birin e tij Jezu Krisht; ky është i vërteti Perëndi dhe jeta e përjetshme.
21 Djema, ruani veten nga idhujt.