Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
1 Si qëndron vallë i vetmuar qyteti që ishte plot e përplot me popull? E madhja midis kombeve është bërë si një e ve; princesha midis provincave i është nënshtruar haraçit.
2 Ajo qan me hidhërim natën, lotët vijëzojnë faqet e saj; midis gjithë atyre që e donin nuk ka njeri që ta ngushëllojë; tërë miqtë e saj e kanë tradhëtuar, janë bërë armiq të saj.
3 Juda ka shkuar në robëri, mbi të rëndojnë pikëllimi dhe një skllavëri e rëndë; ai banon midis kombeve, nuk gjen prehje; tërë përndjekësit e tij e kanë arritur midis fatkeqësive.
4 Rrugët e Sionit mbajnë zi, sepse askush nuk vjen më në festat solemne; tërë portat e tij janë të shkreta, priftërinjtë e tij psherëtijnë, virgjëreshat e tij hidhërohen dhe ai është në trishtim.
5 Kundërshtarët e tij janë bërë sundimtarë, armiqtë e tij begatohen, sepse Zoti e ka mjeruar për shkak të morisë së shkeljeve të tij; fëmijët e tij kanë shkuar në robëri përpara armikut.
6 Vajza e Sionit ka humbur tërë madhështinë e saj; krerët e tij janë bërë si drerë që nuk gjejnë kullotë; ecin pa forca përpara atyre që i ndjekin.
19 Kujtohu për pikëllimin dhe për endjen time, për pelinin dhe hidhërimin.
20 Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje.
21 Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj.
22 Éshtë një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht.
23 Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote.
24 "Zoti është pjesa ime," thotë shpirti im, "prandaj do të kem shpresë tek ai.
25 Zoti është i mirë me ata që kanë shpresë tek ai, me shpirtin që e kërkon.
26 Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit.
137 Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim, duke kujtuar Sionin;
2 mbi shelgjet e kësaj toke kishim varur qestet tona.
3 Atje, ata që na kishin çuar në robëri, na kërkonin fjalët e një kënge, po, ata që na shtypnin kërkonin këngë gëzimi, duke thënë: "Na këndoni një këngë të Sionit".
4 Si mund të këndonim këngët e Zotit në një vend të huaj?
5 Në rast se të harroj ty, o Jeruzalem, e harroftë dora ime e djathtë çdo shkathtësi;
6 m’u lidhtë gjuha me qiellzën, në rast se nuk të kujtoj ty, në rast se nuk e vë Jeruzalemin përmbi gëzimin tim më të madh.
7 Mbaji mënd, o Zot, bijtë e Edomit, që ditën e Jeruzalemit thonin: Shkatërrojini, shkatërrojini që nga themelett".
8 O bijë e Babilonisë, që duhet të shkatërrohesh, lum ai që do ta lajë të keqen që na ke bërë!
9 Lum ai që merr foshnjët e tua dhe i përplas kundër shkëmbit!
1 Pali, apostulli i Jezu Krishtit nëpërmjet vullnetit të Perëndisë, sipas premtimit të jetës që është në Krishtin Jezus,
2 Timoteut, birit të dashur: hir, mëshirë dhe paqe prej Perëndisë Atit, dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.
3 E falënderoj Perëndinë, të cilit i shërbej sikurse edhe të parët e mi me ndërgjegje të pastër, se pa pushim të kujtoj në lutjet e mia, ditë e natë;
4 dhe, kur kujtoj lotët e tu, kam shumë mall të të shoh që të mbushem me gëzim,
5 sepse kujtoj besimin e sinqertë që është në ty, i cili më parë ishte te gjyshja jote Loide dhe te nëna jote Eunike, dhe jam i bindur se është edhe te ti.
6 Për këtë arsye po të kujtoj ta zgjosh dhuntinë e Perëndisë që është në ty me anë të vënies së duarve të mia.
7 Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.
8 Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë, as mua, të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për ungjillin, sipas fuqisë së Perëndisë,
9 që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit, që na u dha në Krishtin Jezus përpara fillimit të kohëve
10 dhe tani u shfaq me anë të dukjes së Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit, që e prishi vdekjen dhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit,
11 për të cilin unë u caktova predikues, apostull dhe mësues i johebrenjve.
12 Për këtë arsye unë po vuaj edhe nga këto gjëra, po nuk kam turp, sepse e di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i zoti ta ruajë visarin tim deri në atë ditë.
13 Ruaje modelin e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje me besim dhe dashuri, që janë në Krishtin Jezus.
14 Ruaje visarin e mirë me anë të Frymës së Shenjtë që rri te ne.
5 Atëherë apostujt i thanë Zotit: “Na e shto besimin.”
6 Dhe Zoti tha: “Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do të mund t’i thonit këtij mani: "Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det," dhe ai do t’ju bindej.
7 Tani cili nga ju, po të ketë një shërbëtor që i lëron tokën ose i kullot kopenë, do t’i thotë kur ai kthehet nga fusha në shtëpi: "Eja menjëherë në tryezë"?
8 A nuk do t’i thotë përkundrazi: "Ma bëj gati darkën, përvishu e më shërbe që unë të ha e të pi e pastaj të hash dhe të pish edhe ti"?
9 Do ta falënderojë ndoshta atë shërbëtor sepse i zbatoi ato që i ishin urdhëruar? Mendoj se jo.
10 Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim detyrë të bënimm".”