Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:49-56

49 Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa.

50 Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë.

51 Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt.

52 Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon.

53 Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.

54 Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegëtimit tim.

55 O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd.

56 Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua.

Jeremia 32:16-35

16 Pasi ia dorëzova aktin e blerjes Barukut, birit të Neriahut, iu luta Zotit, duke thënë:

17 "Ah, Zot, Zot! Ja, ti e sajove qiellin dhe tokën me fuqinë tënde të madhe dhe me krahun tënd të shtrirë. Nuk ka asgjë tepër të vështirë për ty.

18 Ti e tregon mirësinë tënde ndaj një mijë vetave dhe e shpaguan paudhësinë e etërve në gji të bijve të tyre që vijnë pas atyre, o Perëndi i madh e i fuqishëm, emri i të cilit është Zoti i ushtrive.

19 Ti je i madh për këshilla dhe i fuqishëm për vepra dhe i ke sytë çelë mbi të gjitha rrugët e bijve të njerëzve, për t’i dhënë secilit sipas veprave të veta dhe sipas frytit të veprimeve të veta.

20 Ti ke bërë deri në ditën e sotme shenja dhe mrekulli në vendin e Egjiptit, në Izrael dhe në mes njerëzve të tjerë dhe ke fituar një emër si ai i këtyre ditëve.

21 Ti e nxore popullin tënd nga vendi i Egjiptit me shenja dhe mrekulli, me dorë të fuqishme dhe me krah të shtrirë dhe me tmerr të madh.

22 Ti u dhe atyre këtë vend që ishe betuar t’ua jepje etërve të tyre, një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë.

23 Ata hynë dhe e futën në dorë, nuk i janë bindur zërit tënd dhe nuk ecën në rrugën e ligjit tënd, nuk kanë bërë të gjitha ato që u kishe urdhëruar të bënin; prandaj ti solle mbi ta tërë këtë fatkeqësi.

24 Ja, ledhet arrijnë deri në qytet për ta shtënë në dorë; dhe qyteti lihet në dorë të Kaldeasve që luftojnë kundër tij me shpatën, me urinë dhe murtajën. Ndodhi ajo që ti ke thënë; ja, ti e shikon.

25 Megjithatë o Zot, o Zot, ti më ke thënë: "Bli me para fushën dhe thirr dëshmitarët, ndërsa qyteti është dhënë në dorë të Kaldeasve"".

26 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias duke thënë:

27 "Ja, unë jam Zoti, Perëndia i çdo mishi; a ka vallë ndonjë gjë tepër të vështirë për mua?".

28 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do ta jap këtë qytet në duart e Kaldeasve, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, i cili do ta marrë.

29 Kaldeasit që luftojnë kundër këtij qyteti do të hyjnë në të, do t’i vënë zjarrin këtij qyteti dhe do ta djegin bashkë me shtëpitë mbi çatitë e të cilave i kanë djegur temjan Baalit dhe u kanë bërë libacione perëndive të tjera për të provokuar zemërimin tim.

30 Sepse bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës kanë bërë vetëm atë që është e keqe në sytë e mi qysh në fëmijërinë e tyre. Në fakt bijtë e Izraelit nuk kanë bërë gjë tjetër veçse të provokonin zemërimin tim me veprën e duarve të tyre, thotë Zoti.

31 Sepse ky qytet, që nga dita që u ndërtua deri më sot, ka qënë për mua një provokim i zemërimit dhe i tërbimit tim; prandaj do ta zhduk nga prania ime,

32 për shkak të gjithë së keqes që bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës kanë bërë për të provokuar zemërimin tim, ata, mbretërit e tyre, princat e tyre, priftërinjtë e tyre dhe profetët e tyre, njerëzit e Judës dhe banorët e Jeruzalemit.

33 Më kanë kthyer jo fytyrën, por kurrizin; dhe megjithëse i kam mësuar me urgjencë dhe me këmbëngulje, ata nuk më kanë dëgjuar për të marrë korrigjime.

34 Por kanë vënë gjërat e tyre të neveritshme në shtëpinë në të cilën përmendet emri im për ta ndotur.

35 Kanë ndërtuar gjithashtu vendet e larta të Baalit, që janë në luginën e bijve të Hinomit, në mënyrë që të kalojnë përmes zjarrit bijtë dhe bijat e tyre për nder të Molekut, gjë që unë nuk u kisha urdhëruar dhe nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend se do të kryenin një gjë të tillë të neveritshme, duke e bërë Judën të mëkatojë".

Zbulesa 3:14-22

14 “Dhe engjëllit të kishës në Laodice shkruaji: këtë thotë Ameni, Dëshmitari besnik dhe i vërtetë, Fillimi i krijesës së Perëndisë.

15 Unë njoh veprat e tua, që ti nuk je as i ftohtë as i ngrohtë. Do të doja të ishe i ftohtë ose i ngrohtë!

16 Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime.

17 Sepse ti thua: "Unë jam i pasur, u pasurova dhe s’kam nevojë për asgjë"; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur.

18 Të këshilloj të blesh nga unë ar të kulluar në zjarr që të bëhesh i pasur; edhe petka të bardhë që të vishesh dhe të mos duket turpi i lakuriqësisë sate; edhe vajos sytë e tu me kolir, që të shohësh.

19 Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj; prandaj ji i zellshëm dhe pendohu.

20 Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.

21 Kujt fiton do t’i jap të ulet me mua mbi fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij.

22 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që u thotë Fryma kishave.”