Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Jeremia 32:1-3

32 Fjala që iu drejtua Jeremias nga ana e Zotit në vitin e dhjetë të Sedekias, mbretit të Judës, që ishte viti i tetëmbëdhjetë i Nebukadnetsarit.

Ushtria e mbretit të Babilonisë rrethonte atëherë Jeruzalemin dhe profeti Jeremia ishte i mbyllur në oborrin e burgut që ndodhej në shtëpinë e mbretit të Judës.

Aty e kishte mbyllur Sedekia, mbreti i Judës, duke thënë: "Përse profetizon, duke thënë: "Kështu thotë Zoti: Ja, unë do ta jap këtë qytet në duart e mbretit të Babilonisë dhe ai do ta pushtojë.

Jeremia 32:6-15

Atëherë Jeremia tha: "Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

Ja, Hanameeli, biri i Shalumit, ungjit tënd, po vjen te ti që të të thotë: "Bli arën time që ndodhet në Anathoth, sepse ti ke të drejtën ta shpengosh duke e blerë"".

Prandaj Hanameeli, biri i ungjit tim, erdhi tek unë në oborrin e burgut, sipas fjalës të Zotit, dhe më tha: "Të lutem, bli arën time që ndodhet në Anathoth, në territorin e Beniaminit, sepse ti ke të drejtën e trashëgimisë dhe të drejtën e shpengimit. Blije!". Atëherë e kuptova që kjo ishte fjala e Zotit.

Kështu, pra, bleva nga Hanameeli, nga biri i ungjit tim, arën që ndodhej në Anathoth dhe ia peshova paratë; shtatëmbëdhjetë sikla argjendi.

10 E nënshkrova aktin, e vulosa, thirra dëshmitarët dhe peshova paratë me peshore.

11 Pastaj e mora aktin e blerjes, atë të vulosur sipas ligjit dhe statuteve dhe atë të hapur,

12 dhe ia dorëzova aktin e blerjes Barukut, birit të Neriathit, bir i Mahsehiahut, në prani të Hanameelit, kushëririt tim, në prani të dëshmitarëve që kishin nënshkruar aktin e blerjes dhe në prani të të gjithë Judejve që rrinin ulur në oborrin e burgut.

13 Pastaj përpara tyre i dhashë këtë urdhër Barukut:

14 "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Merr këto akte, aktin e blerjes, qoftë atë të vulosur ashtu edhe atë të hapur, dhe futi në një poç prej balte, që të ruhen për shumë ditë.

15 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Në këtë vend do të blihen akoma shtëpi, ara dhe vreshta".

Psalmet 91:1-6

91 Kush banon në strehën e Shumë të Lartit, pushon në hijen e të Plotfuqishmit.

Unë i them Zotit: "Ti je streha ime dhe kështjella ime, Perëndia im, të cilit i besoj".

Me siguri ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit të shpendëve dhe nga murtaja vdekjeprurëse.

Ai do të të mbulojë me pendët e tij dhe do të gjesh strehë nën krahët e tij; besnikëria e tij do të të shërbejë si mburojë dhe parzmore.

Ti nuk do të kesh frikë nga tmerri i natës, sa nga shigjeta që fluturon ditën,

as nga murtaja që endet në terr, as nga shfarosja që bën kërdinë në mesditë.

Psalmet 91:14-16

14 Duke qenë se ai ka vënë mbi mua dashurinë e tij, unë do ta çliroj dhe do ta çoj lart në vend të sigurt, sepse ai njeh emrin tim.

15 Ai do të më kërkojë dhe unë do t’i përgjigjem; do të jem me të në fatkeqësi; do ta çliroj dhe do ta përlëvdoj.

16 Do ta ngop me jetë të gjatë dhe do t’i tregoj shpëtimin tim.

1 Timoteut 6:6-19

Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka.

Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete;

por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.

Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim.

10 Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje.

11 Por ti, o njeriu i Perëndisë, hiq dorë nga këto dhe ndiq drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë.

12 Lufto luftën e drejtë të besimit, rrok jetën e përjetshme, në të cilën u thirre dhe për të cilën ke bërë rrëfimin e mirë të besimit përpara shumë dëshmitarëve.

13 Po të përgjërohem përpara Perëndisë që u jep jetë të gjitha gjërave dhe të Krishtit Jezus, i cili, duke dëshmuar përpara Ponc Pilatit, dhe një dëshmi të mirë besimi,

14 ta ruash këtë urdhërim pa njolla e te meta, derisa të shfaqet Zoti ynë Jezu Krisht,

15 që, në kohën e caktuar, do ta tregojë i lumi e i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve,

16 ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë; atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm. Amen.

17 Porositi të pasurit e kësaj bote të mos jenë krenarë, dhe të mos i mbajnë shpresat në pasurinë që është e pasigurt, por në Perëndinë e gjallë, i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar,

18 të bëjnë të mira, të bëhen të pasur në vepra të mira, të jenë bujarë dhe të gatshëm për të dhënë,

19 duke mbledhur si thesar një themel të mirë për të ardhmen, për të arritur jetën e përjetshme.

Luka 16:19-31

19 Por atje ishte një njeri i pasur, që vishej me të purpurta dhe me rroba të çmueshme prej liri dhe për ditë e kalonte shkëlqyeshëm.

20 Atje ishte edhe një lypës, i quajtur Llazar, që rrinte para derës së tij, dhe trupin e kishte plot me plagë të pezmatuara,

21 dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut; madje edhe qentë vinin e ia lëpinin plagët.

22 Por ndodhi që lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit; vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.

23 Dhe, duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij.

24 Atëherë ai bërtiti dhe tha: "O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë.

25 Por Abrahami thoshte: "O bir, kujto se ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate, kurse Llazari të këqijat; tashti, përkundrazi, ai po përdëllehet dhe ti vuan.

26 Dhe, veç të gjithave, midis nesh dhe jush është një humnerë e madhe, kështu që ata që do të donin të kalonin që këtej tek ju nuk munden; po ashtu askush nuk mund të kalojë që andej te ne".

27 Por ai i tha: "Atëherë, o atë, të lutem ta dërgosh atë te shtëpia e tim eti,

28 sepse unë kam pesë vëllezër e le t’i paralajmërojë rreptësisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh".

29 Abrahami u përgjigj: "Kanë Moisiun dhe profetët, le t’i dëgjojnë ata".

30 Ai tha: "Jo, o atë Abraham, por nëse dikush nga të vdekurit do të shkojë tek ata, do të pendohen".

31 Atëherë ai i tha: "Nëse ata nuk e dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk do të binden edhe në se dikush ringjallet prej të vdekurish".”