Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 106:40-48

40 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij.

41 I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin.

42 Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre.

43 Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre.

44 Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre,

45 dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua.

46 Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri.

47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar.

48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.

Jeremia 10:17-25

17 "Mblidh sendet e tua nga vendi, ti që je i rrethuar".

18 Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, këtë herë do t’i hedh larg banorët e vendit dhe do t’u sjell një fatkeqësi të madhe, me qëllim që të më gjejnë përsëri".

19 Mjerë unë për plagën time, plaga ime është e dhembshme. Por unë kam thënë: "Kjo është një sëmundje që unë duhet ta duroj".

20 Çadra ime është shkatërruar dhe të gjithë litarët e mi janë këputur; bijtë e mi kanë shkuar larg meje dhe nuk janë më; nuk ka më asnjë që të vendosë çadrën time apo të ngrerë shatorret e mia.

21 Sepse barinjtë kanë qenë pa mend dhe nuk kanë kërkuar Zotin; prandaj nuk kanë pasur mbarësi dhe tërë kopeja e tyre është shpërndarë.

22 Ja, po vjen një zhurmë lajmesh dhe një rrëmujë e madhe nga vendi i veriut, për t’i katandisur qytetet e Judës si shkretëtira, si strehim për çakejtë.

23 O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.

24 Më korrigjo, o Zot, por me drejtësi, jo në zemërimin tënd për të mos më reduktuar në asgjë.

25 Lëshoje zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi popujt që nuk përmendin emrin tënd, sepse kanë gllabëruar Jakobin; po, e kanë gllabëruar dhe konsumuar dhe kanë shkatërruar banesën e tij.

Luka 20:45-21:4

45 Dhe, ndërsa gjithë populli po e dëgjonte, ai u tha dishepujve të vet:

46 “Ruhuni nga skribët, të cilët shëtisin me kënaqësi me rroba të gjata, duan t’i përshëndesin nëpër sheshe, të jenë në vendet e para në sinagoga dhe në kryet e vendit nëpër gosti;

47 ata gllabërojnë shtëpitë e te vejave dhe, për t’u dukur, bëjnë lutje të gjata. Ata do të marrin një dënim më të rëndë.”

21 Pastaj Jezusi i çoi sytë dhe pa pasanikët që qitnin dhuratat e tyre në arkën e thesarit,

dhe pa edhe një të ve të varfër që qiti dy pare të vogla

dhe tha: “Në të vërtetë po ju them se kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët.

Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre për shtëpinë e Perëndisë, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar.”