Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 106:40-48

40 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij.

41 I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin.

42 Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre.

43 Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre.

44 Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre,

45 dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua.

46 Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri.

47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar.

48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.

Jeremia 10:1-16

10 Dëgjoni fjalën që Zoti po ju drejton, o shtëpia e Izraelit.

Kështu thotë Zoti: "Mos mësoni të ndiqni rrugën e kombeve dhe mos kini frikë nga shenjat e qiellit, sepse janë kombet që kanë frikë prej tyre.

Sepse zakonet e popujve janë kotësi: sepse është si dikush që pret një dru në pyll, puna e duarve të një punëtori me sëpatë.

E zbukurojnë me argjend dhe me ar, e fiksojnë me gozhda dhe çekiçë që të mos lëvizë nga vendi.

Idhujt qëndrojnë drejt si një palmë dhe nuk mund të flasin; duhet t’i mbartësh, sepse nuk mund të ecin. Mos kini frikë prej tyre, sepse nuk mund të bëjnë asnjë të keqe dhe as që kanë mundësinë të bëjnë të mirë".

Askush nuk është i ngjashëm me ty, o Zot; ti je i madh dhe emri i yt është i madh në fuqi.

Kush nuk do të kishte frikë prej teje, o mbret i kombeve? Po, kjo të detyrohet, sepse midis gjithë njerëzve të ditur të kombeve, në të gjitha mbretëritë e tyre nuk ka njeri të ngjashëm me ty.

Janë të gjithë budallenj dhe pa arsye; idhulli i tyre prej druri është një doktrinë pa asnjë vlerë.

Argjend i petëzuar i sjellë nga Tarshishi dhe ar nga Ufazi, punë zejtari dhe dorë argjendari; rrobja e tyre është e purpurt dhe e kuqe flakë, punime të dala nga duart e njerëzve ekspertë.

10 Por Zoti është Perëndia i vërtetë, ai është Perëndia i gjallë dhe mbreti i përjetshëm. Para zemërimit të tij toka dridhet dhe kombet nuk mund të qëndrojnë përpara indinjatës së tij.

11 Kështu do t’u thoni atyre: "Perënditë që nuk kanë bërë qiejt dhe tokën do të zhduken nga toka dhe nën qiellin".

12 Ai bëri tokën me fuqinë e tij, ka vendosur botën me diturinë e tij dhe ka shpalosur qiejt me zgjuarsinë e tij.

13 Kur nxjerr zërin e tij ka një zhurmë ujërash në qiell; ai i bën avujt të ngjiten nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun dhe nxjerr erën nga rezervuaret e tij.

14 Atëherë çdo njeri bëhet pa mend, pa dituri; çdo argjendari i vjen turp për shëmbëlltyrën e gdhendur të tij sepse shëmbëlltyra e tij e derdhur është e rreme dhe në të nuk ka frymë.

15 Janë kotësi, punë mashtrimi; në kohën e ndëshkimit të tyre kanë për të vdekur.

16 Pjesa e Jakobit nuk është si ata, sepse Ai ka formuar tërë gjërat, dhe Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij. Emri i tij është Zot i ushtrive."

1 e Korintasve 9:19-23

19 Sepse, ndonëse jam i liruar nga të gjithë, e bëra vetën time shërbëtor të të gjithëve që të fitoj sa më shumë njerëz.

20 Kështu e kam bërë vetën time Jude me Judenjtë për t’i fituar Judenjtë; e kam bërë veten time si një që është nën ligj me ata që janë nën ligj për t’i fituar ata që janë nën ligj;

21 me ata që janë pa ligj e kam bërë veten time si pa ligj (ndonëse nuk isha pa ligjin e Zotit, por nën ligjin e Krishtit), për të fituar ata që janë pa ligj.

22 E kam bërë veten time të dobët me të dobëtit, për të fituar të dobëtit; e kam bërë veten time gjithçka për të gjithë, që të mund të shpëtoj me çdo mënyrë disa njerëz.

23 Dhe këtë e bëj për hir të ungjillit, që të bëhem edhe unë pjestar i tij.