Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 79:1-9

79 O Perëndi, kombet kanë hyrë në trashëgiminë tënde, kanë përdhosur tempullin tënd të shenjtë, e kanë katandisur Jeruzalemin në një grumbull gërmadhash.

Trupat e vdekur të shërbëtorëve të tu ua dhanë për të ngrënë shpendëve të qiellit dhe mishin e shenjtorëve të tu bishave të fushave.

Kanë derdhur gjakun e tyre si ujë rreth Jeruzalemit, në mënyrë që asnjeri të mos i varroste.

Jemi bërë një turp për fqinjët tanë, tallja dhe gazi i atyre që na rrinë rreth e qark.

Deri kur, o Zot? A do të jesh i zemëruar përjetë? A do të flakërojë smira jote si një zjarr?

Lësho zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi mbretëritë që nuk përmendin emrin tënd,

sepse kanë gllabëruar Jakobin dhe kanë shkretuar banesën e tij.

Mos kujto kundër nesh fajet e të pabesëve tanë; nxito të na dalësh para me dhembshuritë e tua, sepse jemi shumë të vuajtur.

Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit, për lavdinë e emrit tënd, dhe na çliro dhe na fal mëkatet tona për hir të emrit tënd.

Jeremia 8:1-13

"Në atë kohë," thotë Zoti, "do të nxirren nga varret eshtrat e mbretërve të Judës, eshtrat e princërve, eshtrat e profetëve dhe eshtrat e banorëve të Jeruzalemit,

dhe do të ekspozohen para diellit, para hënës dhe para tërë ushtrisë së qiellit, që ata kanë dashur, kanë shërbyer, kanë ndjekur, kanë konsultuar dhe para të cilëve kanë rënë përmbys; nuk do të mblidhen as do të groposen, por do të jenë si pleh mbi faqen e dheut.

Atëherë vdekja do të jetë më e mirë se jeta për të gjitha mbeturinat e kësaj race të keqe në tërë vendet ku do t’i kem shpërndarë," thotë Zoti i ushtrive.

Ti do t’u thuash atyre: "Kështu thotë Zoti: Në rast se dikush rrëzohet, a nuk ngrihet vallë? Në rast se dikush ndërron drejtimin, a nuk kthehet vallë?

Pse, pra, ky popull, o Jeruzalem, është shmangur me një rebelim të përjetshëm? Ngulin këmbë në mashtrim dhe nuk pranojnë të kthehen.

U kam kushtuar kujdes dhe i kam dëgjuar, por ata nuk flasin drejt; asnjeri nuk pendohet për ligësinë e tij dhe nuk thotë: "Çfarë bëra unë?". Secili merr përsëri vrapimin e tij, si një kalë që hidhet në betejë.

Madje edhe lejleku i qiellit i njeh stinët e tij, turtulli, dallëndyshja dhe krilat shikojnë me kujdes kohën e kthimit të tyre, por populli im nuk e njeh ligjin e Zotit.

Si mund të thoni: "Ne jemi të urtë dhe ligji i Zotit është me ne"? Por ja, pena e rreme e shkruesve e ka bërë një falsitet.

Njerëzit e ditur do të turpërohen, do të tremben dhe do të kapen. Ja, kanë hedhur poshtë fjalën e Zotit; çfarë diturie mund të kenë?

10 Prandaj bashkëshortet e tyre do t’ua jap të tjerëve dhe arat e tyre pronarëve të rinj, sepse nga më i vogli deri te më i madhi lakmojnë fitime; nga profeti deri te prifti të gjithë përdorin gënjeshtrën.

11 Ata mjekojnë shkel e shko plagën e bijës së popullit tim, duke thënë: Paqe, paqe,," kur nuk ekziston paqja.

12 A u vinte turp vallë kur kryenin veprime të neveritshme? Jo! nuk kishin turp aspak dhe nuk dinin ç’është të skuqesh. Prandaj do të rrëzohen midis atyre që rrëzohen; kur do t’i vizitoj do të përmbysen," thotë Zoti.

13 Do t’i shfaros me siguri," thotë Zoti. "Nuk do të ketë më rrush te hardhia as fiq te fiku dhe gjethet do të fishken. Edhe gjërat që u kam dhënë do t’u hiqen".

Romakëve 8:31-39

31 Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?

32 Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?

33 Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson.

34 Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.

35 Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata?

36 Siç është shkruar: “Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje.”

37 Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi.

38 Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme,

39 as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.