Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 94

94 O Perëndi i hakmarrjes, o Zot, Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe.

Çohu, o gjykatës i tokës, dhe jepu shpërblimin mëndjemëdhenjve.

Deri kur të pabesët, o Zot, deri kur të pabesët do të triumfojnë?

Ata vjellin fjalë dhe mbajnë fjalime të paturpshme; të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë.

Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde.

Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët,

dhe thonë: "Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton".

Kërkoni të kuptoni, o njerëz të pamend midis popullit; dhe ju budallenj, kur do të bëheni të zgjuar?

Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon?

10 Ai që ndreq kombet, a nuk do t’i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut?

11 Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi.

12 Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd,

13 për t’i dhënë prehje në ditët e fatkeqësisë, deri sa t’i hapet gropa të pabesit.

14 Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij.

15 Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë, dhe tërë ata që janë të drejtë nga zemra do t’i shkojnë pas.

16 Kush do të ngrihet në favorin tim kundër njerëzve të këqij? Kush do të më dalë krah kundër atyre që kryejnë paudhësi?

17 Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes.

18 Kur thashë: "Këmba ime ngurron," mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur.

19 Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.

20 Do të jetë vallë aleati yt gjykata e padrejtë, që thur padrejtësi në emër të ligjit?

21 Ata mblidhen tok kundër të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm.

22 Por Zoti është kështjella ime dhe Perëndia im është kalaja në të cilën gjej strehë.

23 Ai do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t’i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre; Zoti, Perëndia ynë, do t’i shkatërrojë.

Jeremia 14:1-10

14 Fjala e Zotit që iu drejtua Jeremias me rastin e thatësirës:

"Juda është në zi dhe portat e qyteteve të saj lëngojnë; mbajnë zi për vendin dhe britma e Jeruzalemit ngjitet deri në qiell.

Fisnikët dërgojnë ndër ta të rinjtë e tyre për të kërkuar ujë; këta shkojnë në sternat, por nuk gjejnë ujë dhe kthehen me enët e tyre bosh; janë plot me turp dhe të hutuar, dhe mbulojnë kokën e tyre.

Toka është plot me të çara, sepse nuk ka pasur shi në vend; bujqit janë plot me turp dhe mbulojnë kokën e tyre.

Edhe suta pjell nëpër fusha, por i braktis të vegjlit e saj, sepse nuk ka bar.

Gomerët e egjër ndalen në lartësitë dhe e nuhasin ajrin si çakejtë; sytë e tyre janë të shuar, sepse nuk ka bar".

Edhe në se paudhësitë tona dëshmojnë kundër nesh, o Zot, vepro për hir të emrit tënd, sepse rebelimet tona janë të shumta; kemi mëkatuar kundër teje.

O shpresë e Izraelit, shpëtimtari i tij në kohë fatkeqësie, pse të jesh në vend si një i huaj, si një udhëtar që ndalet vetëm për të kaluar natën?

Pse të jesh si një njeri i tronditur, si një njeri i fortë që nuk mund të shpëtojë? Megjithatë ti je në mes nesh, o Zot, emri yt përmendet mbi ne. Mos na braktis!

10 Kështu i thotë Zoti këtij populli: "Atyre u pëlqen me të vërtetë të enden, nuk përmbajnë hapat e tyre. Prandaj nuk i pëlqejnë Zotit, tani kujton paudhësinë e tyre dhe dënon mëkatet e tyre".

Jeremia 14:17-22

17 U thuaj atyre pra, këtë fjalë: "Të derdhin lot ditë e natë sytë e mi pa pushim, sepse bija e virgjër e popullit tim u godit nga një fatkeqësi e madhe, nga një plagë e thellë.

18 Në rast se dal nëpër fusha, ja të vdekurit nga shpata; në rast se hyj në qytet, ja ata që vuajnë nga uria. Madje edhe profeti dhe prifti i vijnë rrotull një vendi që nuk njohin".

19 Vallë a e ke hedhur poshtë plotësisht Judën, ose je neveritur nga Sioni? Ke goditur dhe nuk ka shërim për ne? Ne prisnim paqen, por nuk ka asnjë të mirë, një kohë shërimi, por ja tmerri.

20 O Zot, ne e pranojmë ligësinë tonë dhe paudhësinë e etërve tanë; po, kemi mëkatuar kundër teje.

21 Mos na hidh poshtë për hir të emrit tënd, mos turpëro fronin e lavdisë sate. Mbaje mend: mos e prish besëlidhjen me ne.

22 Midis idhujve të kotë të njerëzve a ka vallë ndonjë që mund të sjellë shiun? Ose të japë qielli shira të bollshme? A nuk je ti pra, o Zot, Perëndia ynë? Prandaj ne shpresojmë te ti, sepse ke bërë tërë këto gjëra.

Luka 22:31-33

31 Edhe Zoti tha: “Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t’ju shoshë ashtu siç shoshet gruri.

32 Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu.”

33 Por ai tha: “Zot, unë jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje.”

Luka 22:54-62

54 Mbasi e kapën, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Dhe Pjetri e ndiqte nga larg.

55 Kur ata ndezën një zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij, Pjetri u ul midis tyre.

56 Një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi me vëmendje dhe tha: “Edhe ky ishte me të.”

57 Por ai e mohoi duke thënë: “O grua, nuk e njoh.”

58 Pak më vonë e pa një tjetër dhe tha: “Edhe ti je nga ata.” Por Pjetri tha: “O njeri, nuk jam.”

59 Mbasi kaloi rreth një orë, një tjetër pohoi me këmbëngulje duke thënë: “Në të vërtetë edhe ky ishte bashkë me të, sepse është Galileas.”

60 Por Pjetri tha: “O njeri, s’di ç’po thua.” Dhe menjëherë, ndërsa ai ende po fliste, këndoi gjeli.

61 Dhe Zoti u kthye, dhe e shikoi Pjetrin. Dhe Pjetrit iu kujtua fjala që i kishte thënë Zoti: “Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë.”

62 Atëherë Pjetri doli përjashta dhe qau me hidhërim.