Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
94 O Perëndi i hakmarrjes, o Zot, Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe.
2 Çohu, o gjykatës i tokës, dhe jepu shpërblimin mëndjemëdhenjve.
3 Deri kur të pabesët, o Zot, deri kur të pabesët do të triumfojnë?
4 Ata vjellin fjalë dhe mbajnë fjalime të paturpshme; të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë.
5 Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde.
6 Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët,
7 dhe thonë: "Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton".
8 Kërkoni të kuptoni, o njerëz të pamend midis popullit; dhe ju budallenj, kur do të bëheni të zgjuar?
9 Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon?
10 Ai që ndreq kombet, a nuk do t’i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut?
11 Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi.
12 Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd,
13 për t’i dhënë prehje në ditët e fatkeqësisë, deri sa t’i hapet gropa të pabesit.
14 Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij.
15 Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë, dhe tërë ata që janë të drejtë nga zemra do t’i shkojnë pas.
16 Kush do të ngrihet në favorin tim kundër njerëzve të këqij? Kush do të më dalë krah kundër atyre që kryejnë paudhësi?
17 Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes.
18 Kur thashë: "Këmba ime ngurron," mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur.
19 Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.
20 Do të jetë vallë aleati yt gjykata e padrejtë, që thur padrejtësi në emër të ligjit?
21 Ata mblidhen tok kundër të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm.
22 Por Zoti është kështjella ime dhe Perëndia im është kalaja në të cilën gjej strehë.
23 Ai do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t’i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre; Zoti, Perëndia ynë, do t’i shkatërrojë.
18 Por edhe në ato ditë," thotë Zoti, "nuk do të të shkatërroj plotësisht.
19 Dhe do të ndodhë që kur të thoni: "Pse Zoti, Perëndia ynë, na ka bërë të gjitha këto gjëra?," ti do t’u përgjigjesh atyre: "Ashtu si ju më keni braktisur mua dhe u keni shërbyer perëndive të huaja në vendin tuaj, kështu do t’u shërbeni të huajve në një vend që nuk është juaji".
20 Lajmëroni për këtë shtëpinë e Jakobit dhe shpalleni në Judë, duke thënë:
21 Dëgjoni tani këtë, o popull pa mend dhe pa zemër, që ka sy, por nuk shikon, që ka veshë, por nuk dëgjon.
22 Nuk do të keni frikë prej meje?," thotë Zoti, "nuk do të dridheni para meje që kam vënë rërën si kufi të detit, si një statut të përjetshëm që nuk do të kapërcejë kurrë? Valët e tij ngrihen por nuk fitojnë, bëjnë zhurmë, por nuk e kapërcejnë.
23 Por ky popull ka një zemër kryeneçe dhe rebele; kthehen prapa dhe ikin.
24 Nuk thonë në zemër të tyre: "Kemi frikë nga Zoti, Perëndia ynë, që na jep shiun në kohën e duhur, i pari dhe i fundit shi, që mban për ne javët e caktuara për korrje".
25 Paudhësitë tuaja i kanë përmbysur këto gjëra dhe mëkatet tuaja mbajnë larg jush begatinë.
26 Sepse midis popullit tim ka njerëz të këqij që përgjojnë si gjuetarët e zogjve në pritë; ata vënë leqe dhe kapin njerëz.
27 Ashtu si një kafaz është plot me zogj, kështu shtëpitë e tyre janë plot mashtrim; prandaj bëhen të mëdhenj dhe pasurohen.
28 Majmen dhe begatohen; po, kalojnë madje kufijtë e së keqes. Nuk mbrojnë çështjen, çështjen e jetimit, dhe megjithatë; nuk mbrojnë të drejtën e të varfërve.
29 A duhet t’i dënoj për këto gjëra?," thotë Zoti. "Dhe a nuk do të hakmerrem me një komb të tillë?
30 Në vend është kryer një gjë e tmerrshme dhe shumë e shëmtuar:
31 profetët profetizojnë në mënyrë të rreme, priftërinjtë qeverisin duke u mbështetur në forcën e autoritetit të vet dhe popullit tim i pëlqen që gjendja është e tillë. Por çfarë do të bëni kur të vijë fundi?".
8 Por, shumë të dashur, mos harroni këtë gjë: se për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë.
9 Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim.
10 Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt.
11 Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shkatërrohen, si të mos duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme,
12 duke pritur dhe shpejtuar ardhjen e ditës së Perëndisë, për shkak të së cilës qiejt marrin flakë do të treten, dhe elementët të konsumuar nga nxehtësia do të shkrihen?
13 Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe toka të re, në të cilët banon drejtësia.