Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 94

94 O Perëndi i hakmarrjes, o Zot, Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe.

Çohu, o gjykatës i tokës, dhe jepu shpërblimin mëndjemëdhenjve.

Deri kur të pabesët, o Zot, deri kur të pabesët do të triumfojnë?

Ata vjellin fjalë dhe mbajnë fjalime të paturpshme; të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë.

Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde.

Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët,

dhe thonë: "Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton".

Kërkoni të kuptoni, o njerëz të pamend midis popullit; dhe ju budallenj, kur do të bëheni të zgjuar?

Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon?

10 Ai që ndreq kombet, a nuk do t’i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut?

11 Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi.

12 Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd,

13 për t’i dhënë prehje në ditët e fatkeqësisë, deri sa t’i hapet gropa të pabesit.

14 Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij.

15 Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë, dhe tërë ata që janë të drejtë nga zemra do t’i shkojnë pas.

16 Kush do të ngrihet në favorin tim kundër njerëzve të këqij? Kush do të më dalë krah kundër atyre që kryejnë paudhësi?

17 Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes.

18 Kur thashë: "Këmba ime ngurron," mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur.

19 Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.

20 Do të jetë vallë aleati yt gjykata e padrejtë, që thur padrejtësi në emër të ligjit?

21 Ata mblidhen tok kundër të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm.

22 Por Zoti është kështjella ime dhe Perëndia im është kalaja në të cilën gjej strehë.

23 Ai do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t’i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre; Zoti, Perëndia ynë, do t’i shkatërrojë.

Jeremia 5:1-17

Shkoni rreth e rrotull nëpër rrugët e Jeruzalemit; shikoni dhe binduni, dhe kërkoni në sheshet e tij në rast se gjeni një njeri, një njeri të vetëm që zbaton drejtësinë, që kërkon të vërtetën, dhe unë do ta fal.

Edhe kur thonë: "Zoti rron," me siguri betohen për atë që është e gënjeshtërt.

O Zot, nuk janë sytë e tu për të vërtetën? Ti i godite, por ata nuk ndjenë asnjë dhembje; i ke konsumuar, por kanë refuzuar të pranojnë korrigjimin. Ata e ngurtësuan fytyrën e tyre më tepër se shkëmbi dhe nuk pranuan të kthehen.

Prandaj thashë: "Ata janë me siguri të varfër, janë pa mend sepse nuk njohin rrugën e Zotit, ligjin e Perëndisë së tyre.

Do të shkoj, pra, te të mëdhenjtë dhe do t’u flas atyre, sepse ata e njohin rrugën e Zotit, ligjin e Perëndisë së tyre". Por edhe ata bashkë kanë shkallmuar zgjedhën dhe i kanë këputur verigat.

Prandaj luani i pyllit i vret, ujku i shkretëtirës i shkatërron, leopardi rri në pritë afër qyteteve të tyre; kushdo që del prej tyre copëtohet, sepse shkeljet e tyre janë të shumta, rebelimet e tyre janë shtuar.

"Si do të mund të të falja për këtë? Bijtë e tu më kanë braktisur dhe betohen për ata që nuk janë perëndi. Unë i kam ngopur, por ata kanë shkelur kurorën dhe mbushin shtëpitë e kurvërimit.

Janë si hamshorë të ushqyer mirë dhe tërë afsh në mëngjes; secili hingëllin prapa gruas së fqinjit të tij.

A nuk do t’i dënoj unë për këto gjëra?," thotë Zoti, "dhe nuk do të hakmerrem unë me një komb të tillë?

10 Ngjituni mbi muret dhe shkatërroni, por mos kryeni një shkatërrim të plotë; krasitni degët e tyre, sepse nuk janë të Zotit.

11 Sepse shtëpia e Izraelit dhe shtëpia e Judës kanë vepruar në mënyrë të pabesë me mua," thotë Zoti.

12 Kanë mohuar Zotin dhe kanë thënë: "Nuk është ai. Asnjë e keqe nuk do të bjerë mbi ne; nuk do të shohim as shpatën as urinë.

13 Profetët nuk janë veçse ajër dhe tek ata nuk është fjala e Zotit. T’u bëhet atyre ajo që ata thonë për ne!".

14 Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive: "Duke qenë se keni folur në këtë mënyrë, unë do t’i bëj fjalët e mia si zjarr në gojën tënde, dhe këtë popull si dru, që ai do të përpijë.

15 Ja, unë do të sjell kundër jush një komb nga larg, o shtëpi e Izraelit," thotë Zoti. "Éshtë një komb trim, një komb i vjetër, një komb të cilit nuk i njeh gjuhën dhe nuk i kupton fjalët.

16 Kukurja e tij është si një varr i hapur; janë të gjithë njerëz trima.

17 Ai do të gllabërojë të korrat e tua dhe bukën tënde, do të gëlltisë bijtë e tu dhe bijat e tua, do të gëlltisë kopetë e tua dhe bagëtinë tënde të trashë, do të gëlltisë vreshtat e tua dhe fiqtë e tu; do të shkatërrojë me shpatë qytetet e tua të fortifikuara te të cilët ke besim.

1 Timoteut 1:18-20

18 Po ta besoj këtë detyrë, o Timote bir, sipas profecive që u bënë më parë për ty, që sipas tyre të bësh luftimin e mirë,

19 duke pasur besim dhe ndërgjegje të mirë, sepse disa, duke e hedhur poshtë, u bënë lundërthyerje në besim.

20 Ndër këta janë Imeneu dhe Aleksandri, të cilët unë i dorëzova në duart e Satanit që të mësojnë të mos blasfemojnë.