Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
14 I pamendi ka thënë në zemër të tij: "Nuk ka Perëndi". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën.
2 Zoti shikon nga qielli bijtë e njerëzve për të parë në se ndonjeri prej tyre ka arsye dhe kërkon Perëndinë.
3 Të gjithë kanë devijuar, janë korruptuar; asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një.
4 Nuk kanë fare arsye të gjithë ata që kryejnë paudhësi, që hanë popullin tim si të hanin bukë dhe nuk kërkojnë ndihmën e Zotit?
5 Atje do t’i zërë një frikë e madhe, sepse Perëndia është me njerëzit e drejtë.
6 Ju kërkoni të prishni planet e të mjerit, sepse Zoti është streha e tij.
7 Oh! Le të vijë, pra, nga Sioni shpëtimi i Izraelit! Kur Zoti do ta kthejë popullin e tij nga robëria, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.
13 Ja, si ngjitet si retë dhe qerret e tij si një shakullinë; kuajt e tij janë më të shpejtë se shqiponjat. Mjerë ne, sepse po shkretohemi!".
14 O Jeruzalem, pastro zemrën tënde nga ligësia, me qëllim që të shpëtosh. Deri kur do të mbeten te ty mendimet e mbrapshta?
15 Sepse një zë njofton nga Dani dhe shpall fatkeqësinë nga mali i Efraimit.
16 "Lajmëroni kombet; po, bëjani të njohur Jeruzalemit: rrethuesit vijnë nga një komb i largët dhe ngrenë zërin e tyre kundër qyteteve të Judës.
17 Si rojtarë të një are janë vendosur rreth e qark tij, sepse ka ngritur krye kundër meje," thotë Zoti.
18 "Sjellja jote dhe veprimet e tua të kanë shkaktuar këto gjëra; kjo do të jetë fatkeqësia jote, dhe do të jetë e hidhur, sepse do të arrijë zemrën tënde".
19 Zorrët e mia, zorrët e mia! Po shtrembërohem nga dhimbja. Oh, faqet e zemrës sime! Zemra më rreh fort përbrenda. Unë nuk mund të hesht, sepse, o shpirti im, kam dëgjuar zërin e borisë, britmën e luftës.
20 Po shpallet rrënim mbi rrënim, sepse tërë vendi është shkretuar. Papritmas çadrat e mia janë shkatërruar, shatorret e mia brenda një çasti.
21 Deri kur do të shoh flamurin dhe do të dëgjoj zërin e borisë?
29 Në zhurmën e kalorësve dhe të harkëtarëve tërë qytetet janë duke ikur me vrap; hyjnë në pjesën e dendur të pyjeve, ngjiten mbi shkëmbinjtë; tërë qytetet janë braktisur dhe nuk ka mbetur në to asnjë njeri.
30 Dhe ti, e shkatërruar, çfarë do të bësh? Edhe sikur të visheshe me rroba ngjyrë flakë të kuqe, edhe sikur të vije zbukurime prej ari, edhe sikur t’i zmadhoje sytë me bistër, më kot do të zbukuroheshe. Dashnorët e tu të përçmojnë, duan jetën tënde.
31 Sepse po dëgjoj një britmë si të një gruaje kur lind, një ankth si të një gruaje në lindjen e saj të parë: është britma e bijës së Sionit, që mezi merr frymë dhe shtrin duart e veta, duke thënë: "Mjerë unë! Shpirti im po ligështohet për shkak të vrasësve"".
11 Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.
12 Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet.
13 Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t’ia dijë për delet.
14 Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua,
15 ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet.
16 Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.
17 Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.
18 Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im.”
19 Atëherë lindi përsëri një përçarje midis Judenjve për shkak të këtyre fjalëve.
20 Dhe shumë nga ata thoshnin: “Ai ka një demon dhe nuk është në vete; përse e dëgjoni?.”
21 Të tjerë thoshnin: “Këto nuk janë fjalë të një të demonizuari; a mundet një demon t’ua hap sytë të verbërve?.”