Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Jeremia 18:1-11

18 Fjala iu drejtua Jeremias nga Zoti, duke i thënë:

"Çohu dhe zbrit në shtëpinë e poçarit, dhe atje do të dëgjosh fjalët e mia".

Atëherë unë zbrita në shtëpinë e poçarit, dhe ja ai po bënte një punë te rrota.

Por poçi që po bënte me argjilën u prish në duart e poçarit. Kështu duke e filluar përsëri punën, ai bëri me të një poç tjetër, që iu duk i mirë atij.

Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua duke thënë:

"O shtëpi e Izraelit, a nuk mund të bëj unë me ju, ashtu siç bëri ky poçar?," thotë Zoti. "Ja, ashtu si është argjila në duart e poçarit, kështu jeni ju në duart e mia, o shtëpi e Izraelit!

Nga një herë për një komb dhe për një mbretëri, unë flas dhe them se duhet çrrënjosur, rrëzuar dhe shkatërruar;

por në rast se ai komb kundër të cilit kam folur heq dorë nga ligësia e tij, unë pendohem për të keqen që kisha menduar t’i bëja.

Herë tjetër për një komb dhe për një mbretëri, unë flas për ndërtim dhe për të mbjella;

10 por në rast se ai komb ose ajo mbretëri bën atë që është e keqe në sytë e mi, duke mos e dëgjuar zërin tim, unë pendohem për të mirën që i kisha premtuar t’i bëja.

11 Prandaj tani folu njerëzve të Judës dhe banorëve të Jeruzalemit, dhe u thuaj: Kështu thotë Zoti: Ja, unë kam përgatitur kundër jush të keqen dhe një plan kundër jush. Tani le të heqë dorë secili nga rruga e tij e keqe, përmirësoni gjithashtu rrugët dhe veprimet tuaja!".

Psalmet 139:1-6

139 Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.

Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.

Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.

Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.

Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.

Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.

Psalmet 139:13-18

13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.

14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.

15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.

16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.

17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!

18 Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.

Filemonit 1-21

Pali, i burgosuri i Jezu Krishtit, dhe vëlla Timoteu, Filemonit të dashur dhe bashkëpunëtorit tonë,

motrës Apfi, bashkëluftëtarit tonë Arkipit, dhe kishës që mblidhet në shtëpinë tënde:

hir dhe paqe mbi ju prej Perëndisë sonë, Atit, dhe Zotit Jezu Krisht.

E falënderoj Perëndinë tim, duke të kujtuar gjithnjë në lutjet e mia,

sepse po dëgjoj për dashurinë tënde dhe për besimin që ke ndaj Zotit Jezu Krisht dhe ndaj gjithë shenjtorëve,

që bashkësia e besimit tënd të bëhet e frytshme nëpërmjet njohjes së çdo të mire që është në ju për shkak të Jezu Krishtit.

Sepse ne patëm gëzim të madh dhe përdëllim nga dashuria jote, sepse me anën tënde, o vëlla, zemrat e shenjtorëve u përtërinë.

Prandaj, edhe pse kam liri të plotë në Krishtin të të urdhëroj atë që duhet të bësh,

më shumë më pëlqen të të lutem për dashurinë, kështu siç jam unë, Pali, plak dhe tashti edhe i burgosur i Jezu Krishtit;

10 të lutem për birin tim Onesim, që më lindi në prangat e mia,

11 i cili dikur s’kishte fare vlerë për ty, por që tani është shumë i vlefshëm për ty e për mua,

12 të cilin ta dërgova përsëri; dhe ti prite atë, zemrën time.

13 Do të desha ta mbaja pranë vetes që të më shërbente në vendin tënd në prangat për shkak të ungjillit;

14 por nuk desha të bëja asgjë pa mendjen tënde që e mira të cilën do të bësh të mos jetë nga detyrimi, por me dashje.

15 Sepse ndoshta për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë, që ta kesh atë përgjithmonë,

16 por jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, vëlla të dashur, sidomos për mua, por aq më tepër për ty si sipas mishit, ashtu dhe në Zotin.

17 në qoftë se ti, pra, më konsideron shok, prite si të isha vetë!

18 Dhe në qoftë se të ka bërë ndonjë padrejtësi ose të ka ndonjë detyrim, m’i ngarko mua.

19 Unë, Pali, i shkrova me dorën time. Unë vetë do të paguaj; që të mos them se ti më detyrohesh edhe veten tënde!

20 Po, vëlla, ma bëj këtë nder në Perëndinë! Ma përtëri zemrën në Perëndinë!

21 Të shkrova me plotbesim se do të më dëgjosh, sepse e di se ti do të bësh edhe më shumë nga sa po të them.

Luka 14:25-33

25 Dhe turma të mëdha shkonin me të. Ai u kthye nga ata dhe tha:

26 “Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im.

27 Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë dishepulli im.

28 Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar?

29 Që atëherë, kur t’i ketë hedhur themelet e të mos mundë ta përfundojë, të gjithë ata që e shohin, të mos fillojnë e të tallen,

30 duke thënë: "Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta përfundojë".

31 Ose cili mbret, kur niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të gjykojë në se mund ta përballojë me dhjetë mijë atë që po i vjen kundër me njëzet mijë?

32 Në mos, ndërsa ai është ende larg, i dërgon një delegacion për të biseduar për paqe.

33 Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im.