Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 139:1-6

139 Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.

Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.

Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.

Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.

Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.

Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.

Psalmet 139:13-18

13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.

14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.

15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.

16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.

17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!

18 Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.

Jeremia 17:14-27

14 Shëromë, o Zot, dhe do të shërohem, shpëtomë dhe do të shpëtoj, sepse ti je lavdia ime.

15 Ja, ata më thonë: "Ku është fjala e Zotit? Le të realizohet tani!"

16 Megjithatë unë nuk refuzova të jem bariu i tyre duke të ndjekur ty, as dëshirova ditën e kobshme. Ti e di atë që doli nga goja ime, sepse bëhej në praninë tënde.

17 Mos u bëj për mua një frikë; ti je streha ime ditën e fatkeqësisë.

18 Qofshin të turpëruar përndjekësit e mi, por mos qofsha unë i turpëruar; qofshin të turpëruar ata, por mos qofsha i turpëruar unë; sill mbi ta ditën e fatkeqësisë dhe shkatërroji me një shkatërrim të dyfishtë!

19 Kështu më ka thënë Zoti: "Shko dhe ndalu te porta e bijve të popullit, nëpër të cilën hyjnë dhe dalin mbretërit e Judës dhe pranë të gjitha portave të Jeruzalemit,

20 dhe u thuaj atyre: Dëgjoni fjalën e Zotit, o mbretër të Judës, dhe tërë Juda dhe ju të gjithë banorë të Jeruzalemit, që hyni nëpër këto porta".

21 Kështu thotë Zoti: "Kujdesuni për veten tuaj dhe mos mbartni asnjë peshë dhe mos e futni nëpër portat e Jeruzalemit ditën e shtunë.

22 Mos mbartni asnjë peshë jashtë shtëpive tuaja dhe mos kryeni asnjë punë ditën e shtunë, por shenjtëroni ditën e shtunë, ashtu siç i kam urdhëruar etërit tuaj.

23 Por ata nuk dëgjuan as i vunë veshin, por ngurtësuan zverkun e tyre për të mos dëgjuar dhe për të mos pranuar mësime.

24 Kështu do të ndodhë që, në qoftë se do të dëgjoni me kujdes," thotë Zoti, "në rast se bëni që të mos hyjë asnjë peshë nëpër portat e këtij qyteti ditën e shtunë, por do ta shenjtëroni ditën e shtunë dhe nuk do të bëni asnjë punë gjatë asaj dite,

25 atëherë mbretërit dhe princat që rrinë ulur mbi fronin e Davidit do të hyjnë nga portat e këtij qyteti të hipur mbi qerre dhe mbi kuaj, ata, princat e tyre, njerëzit e Judës dhe banorët e Jeruzalemit; dhe ky qytet do të banohet përjetë.

26 Do të vijnë pastaj nga qytetet e Judës, nga rrethinat e Jeruzalemit, nga vendi i Beniaminit, nga ultësira, nga malet dhe nga Negevi, duke sjellë olokauste, flijime, blatime ushqimore dhe temjan dhe duke ofruar flijime falënderimi në shtëpinë e Zotit.

27 Por në rast se nuk do të më dëgjoni, duke shenjtëruar ditën e shtunë: duke mos mbartur pesha dhe duke mos i futur nëpër portat e Jeruzalemit ditën e shtunë, unë do të ndez një zjarr në portat e tij; ai do të përpijë pallatet e Jeruzalemit dhe nuk do të shuhet".

Mateu 10:34-42

34 “Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.

35 Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra,

36 dhe armiqt e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet.

37 Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua.

38 Dhe ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua.

39 Kush do të gjejë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri.

40 Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.

41 Ai që pranon një profet në emër të një profeti, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; dhe ai që pranon të drejtin në emër të të drejtit, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit.

42 Dhe kushdo që i jep për të pirë qoftë edhe vetëm një gotë uji të freskët ndonjërit prej këtyre të vegjëlve në emër të një dishepulli, në të vërtetë ju them, që ai nuk do të humbë aspak shpërblimin e tij.”