Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
58 A flisni pikërisht sipas drejtësisë ju, o të fuqishëm? A gjykoni ju drejt, o bij të njerëzve?
2 Në zemrën tuaj ju bluani përkundrazi të keqen; duart tuaja përhapin dhunën mbi tokë.
3 Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje.
4 Helmi i tyre i ngjan helmit të gjarprit; janë si gjarpri helmues i shurdhër që i zë veshët e vet,
5 për të mos dëgjuar zërin e magjistarëve apo të atij që është i aftë të bëjë magji.
6 O Perëndi, thyej dhëmbët e tyre në gojë; o Zot, thyej dhëmbët e luanëve.
7 U shkrifshin si uji që rrjedh. Kur gjuan shigjetat e tij, ato u bëfshin si shigjeta pa majë.
8 U bëfshin si kërmilli që shkrihet ndërsa po shkon; si dështimi i gruas mos pafshin diellin.
9 Para se tenxheret tuaja të ndjejnë zjarrin e ferrishteve, qofshin këto të blerta apo të ndezura, ai do t’i heqë tutje si një vorbull.
10 I drejti do të gëzohet duke parë hakmarrjen; do të lajë këmbët në gjakun e të pabesit.
11 Dhe njerëzia do të thotë: "Me siguri ka një shpërblim për të drejtin; me siguri ka një Perëndi që gjykon mbi tokë".
15 Do t’ju jap pastaj barinj sipas zemrës sime, që do t’ju kullosin me dije dhe dituri.
16 Dhe ka për të ndodhur që kur të shumoheni dhe do të jeni pjellorë në vend, në ato ditë," thotë Zoti, "nuk do të thuhet më: "Arka e besëlidhjes të Zotit". Nuk do t’ju shkojë më ndër mend, nuk do ta kujtojnë më, nuk do të shkojnë ta shikojnë më, nuk do të bëhet një tjetër.
17 Atëherë Jeruzalemi do të quhet "Froni i Zotit"; tërë kombet do të mblidhen pranë tij në emër të Zotit, në Jeruzalem, dhe nuk do të ecin më sipas kryeneçësisë së zemrës së tyre të keqe.
18 Në ato ditë shtëpia e Judës do të ecë me shtëpinë e Izraelit dhe së bashku do të vijnë nga vendi i veriut në vendin që u dhashë si trashëgimi etërve tuaj.
19 Unë thoja: "Me çfarë dëshire do të të vendosja midis bijve të mi dhe do të të jepja një vend të mrekullueshëm, një trashëgimi të shkëlqyer midis gjithë kombeve!". Thoja: "Ti do të më quash: Ati im!, dhe nuk do të largohesh më nga unë".
20 Por ashtu si një grua nuk është besnike ndaj burrit të saj, kështu ju keni qenë jobesnikë ndaj meje, o shtëpia e Izraelit," thotë Zoti.
21 Një zë dëgjohet në lartësitë; të qarat dhe lutjet e bijve të Izraelit, sepse kanë prishur rrugën e tyre dhe kanë harruar Zotin, Perëndinë e tyre.
22 "Kthehuni, o bij të përdalë, unë do të shëroj rebelimet tuaja". "Ja, ne po vijmë te ti, sepse ti je Zoti, Perëndia ynë.
23 Me siguri ndihma që pritet nga kodrat e nga numri i madh i maleve është e kotë; me siguri shpëtimi i Izraelit qëndron te Zoti, Perëndia ynë.
24 Ajo gjë e neveritshme ka përpirë frytin e mundit të etërve tanë qysh prej rinisë sonë, delet dhe qetë e tyre, bijtë e tyre dhe bijat e tyre.
25 Le të biem në shtrat me turpin tonë dhe le të na mbulojë poshtërsia jonë, sepse kemi mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tonë, ne dhe etërit tanë qysh prej rinisë sonë e deri në këtë ditë, dhe nuk kemi dëgjuar zërin e Zotit, Perëndisë tonë".
15 Dhe një nga të ftuarit, si i dëgjoi këto gjëra, i tha: “Lum kush do të hajë bukë në mbretërinë e Perëndisë.”
16 Atëherë Jezusi i tha: “Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe ftoi shumë veta;
17 dhe, në kohë të darkës, dërgoi shërbëtorin e vet t’u thotë të ftuarve: Ejani, sepse gjithçka tashmë është gatii".
18 Por të gjithë, pa përjashtim, filluan të kërkojnë ndjesë. I pari i tha: Bleva një arë dhe më duhet të shkoj ta shoh; të lutem, të më falëshh".
19 Dhe një tjetër tha: "Bleva pesë pendë qe dhe po shkoj t’i provoj; të lutem, të më falësh".
20 Dhe një tjetër akoma tha: "Mora grua e prandaj nuk mund të vij".
21 Kështu shërbëtori u kthye dhe ia dëftoi të gjitha zotit të vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, plot zemërim, i tha shërbëtorit të vet: "Shpejt, shko nëpër sheshet dhe nëpër rrugët e qytetit e sill këtu lypës, sakatë, të çalë dhe të verbër".
22 Pastaj shërbëtori i tha: "Zot, u bë ashtu siç urdhërove ti, por ka vend edhe më".
23 Atëherë zoti i tha shërbëtorit: "Dil nëpër udhë dhe përgjatë gardheve dhe detyroji të hyjnë që të mbushet shtëpia ime.
24 Sepse unë po ju them se asnjë nga ata njerëz që ishin të ftuar, nuk do ta shijojë darkën time".”