Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
10 O Zot, pse qëndron larg? Pse fshihesh në kohë fatkeqësish?
2 I pabesi me kryelartësinë e tij ndjek me dhunë të mjerin; ata do të kapen nga vetë kurthet që ata kanë kurdisur,
3 sepse i pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të tij, bekon grabitqarin dhe përbuz Zotin.
4 I pabesi, me arrogancën e fytyrës së tij, nuk e kërkon Zotin; tërë mendimet e tij janë: "Perëndia nuk ekziston".
5 Rrugët e tij lulëzojnë në çdo kohë; gjykimet e tua për të janë shumë të larta, larg kuptimit të tyre nga ana e tij; ai përqesh gjithë armiqtë e tij.
6 Ai thotë në zemër të tij: "Mua askush nuk më tund dot kurrë; nuk do të më ndodhë kurrë ndonjë e keqe".
7 Goja e tij është plot mallkime, hile dhe mashtrime; nën gjuhën e tij ka ligësi dhe paudhësi.
8 Ai rri në pritë në fshatra, vret të pafajshmin në vende të fshehta; sytë e tij përgjojnë fatkeqin.
9 Ai rri në pritë në vende të fshehta si luani në strofkën e tij; rri në pritë për të kapur të mjerin; ai e rrëmben të mjerin duke e tërhequr në rrjetën e tij.
10 Ai rri i strukur dhe i mbledhur, dhe fatzinjtë mposhten para forcës së tij.
11 Ai thotë në zemër të tij: "Perëndia harron, fsheh fytyrën e tij, nuk do ta shohë kurrë".
12 Çohu, o Zot; o Perëndi, ngre dorën tënde; mos i harro të mjerët.
13 Pse i pabesi përçmon Perëndinë? Ai thotë në zemër të tij: "Ti nuk do t’i kërkosh llogari".
14 Por ti e ke parë, sepse ti vëren me kujdes ligësinë dhe pikëllimin, për ta larë më pas me dorën tënde; fatkeqi i ka shpresat te ti; ti je ai që ndihmon jetimin.
15 Thyeja krahun të pabesit dhe të ligut; në rast se ti do të kërkosh ligësinë e tij, nuk do ta gjesh më.
16 Zoti është mbret përjetë; kombet janë zhdukur nga toka e tij.
17 O Zot, ti dëgjon dëshirën e njerëzve të përulur; ti e fortëson zemrën e tyre, veshët e tu janë të vëmendshëm,
18 për t’i dhënë të drejtë jetimit dhe të pikëlluarit, me qëllim që njeriu i krijuar nga dheu të mos kallë më tmerr.
7 Kjo është fjala që iu drejtua Jeremias nga ana e Zotit, duke thënë:
2 "Ndalu te porta e shtëpisë së Zotit dhe aty shpall këtë fjalë duke thënë: Dëgjoni fjalën e Zotit, o ju të gjithë të Judës që hyni nëpër këto porta për të rënë përmbys përpara Zotit!".
3 Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ndreqni rrugët dhe veprimet tuaja, dhe unë do të bëj që të banoni në këtë vend.
4 Mos u besoni fjalëve mashtruese duke thënë: "Ky është tempulli i Zotit, tempulli i Zotit, tempulli i Zotit!".
5 Në rast se ndreqni plotësisht rrugët dhe veprimet tuaja, në rast se e zbatoni me të vërtetë drejtësinë njëri ndaj tjetrit,
6 në rast se nuk shtypni të huajin, jetimin dhe gruan e ve, nuk derdhni gjak të pafajshëm në këtë vend dhe nuk adhuroni perëndi të tjera në dëmin tuaj,
7 atëherë do të bëj që të banoni në këtë vend, në vendin që u dhashë etërve tuaj prej shumë kohe dhe për gjithnjë.
8 Ja, ju u besoni fjalëve mashtruese, nga të cilat s’keni fare dobi.
9 Kështu ju vidhni, vrisni, shkelni kurorën, betoheni për të rremen, i digjni temjan Baalit dhe u shkoni pas perëndive të tjerë që më parë nuk i njihnit,
10 dhe pastaj vini të paraqiteni para meje në këtë tempull që mban emrin tim dhe thoni: "Kemi shpëtuar!," pastaj kryeni tërë këto veprime të neveritshme.
11 Ky tempull, i cili mban emrin tim, mos është bërë vallë në sytë e tuaj një çerdhe hajdutësh? Ja, unë e pashë këtë," thotë Zoti.
12 "Por shkoni tani në vendin tim që ishte në Shiloh, të cilit në fillim i kisha vënë emrin tim dhe shikoni çfarë kam bërë aty për shkak të ligësisë së popullit tim Izrael.
13 Dhe tani meqenëse keni kryer tërë këto gjëra," thotë Zoti, "meqenëse kur ju kam folur me urgjencë dhe insistim nuk më keni dëgjuar, dhe kur ju kam thirrur nuk më jeni përgjigjur,
14 unë do të veproj me këtë tempull, në të cilin përmendet emri im dhe në të cilin keni besim, me këtë vend që ua dhashë juve dhe etërve tuaj, ashtu si bëra në Shiloh;
15 dhe do t’ju dëboj nga prania ime, ashtu si dëbova tërë vëllezërit tuaj, tërë pasardhësit e Efraimit.
7 Prandaj, sikurse thotë Fryma e Shenjtë: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij,
8 mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në provokim, në ditën e tundimit në shkretëtirë,
9 ku etërit tuaj më tunduan duke më vënë në sprovë, ndonëse i kishin parë veprat e mia dyzet vjet.
10 Prandaj u indinjova me atë brez dhe thashë: Gabojnë gjithnjë me zemër dhe nuk i njohën udhët e mia;
11 kështu u betova në mërinë time: Nuk do të hyjnë në prehjen time.”
12 Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë,
13 por nxitni njeri tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: "Sot," që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit.
14 Sepse ne jemi bërë pjestarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit,
15 kur thuhet: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes.”
16 Kush janë ata që, mbasi e dëgjuan, e provokuan? A thua jo të gjithë ata që dolën nga Egjipti me anë të Moisiut?
17 Dhe kush qenë ata me të cilët u zemërua për dyzet vjet? A s’qenë vallë ata që mëkatuan, kufomat e të cilëve ranë nëpër shkretëtirë?
18 Dhe për cilët bëri be se nuk do të hynin në prehjen e tij, veç se për ata që qenë të pabindur?
19 Ne shohim se ata nuk mundën të hyjnë për shkak të mosbesimit.
4 Prandaj, përderisa mbetet akoma një premtim për të hyrë në prehjen e tij, le të kemi frikë se mos ndonjë nga ju të mbetet jashtë.
2 Në fakt neve si edhe atyre u ishte shpallur lajmi i mirë, por fjala e predikimit nuk u dha dobi fare, sepse nuk qe e bashkuar me besimin tek ata që e dëgjuan.
3 Sepse ne që besuam hyjmë në prehje, siç tha ai: “Kështu u përbetova në mërinë time: nuk do të hyjnë në prehjen time,” ndonëse veprat e tij u mbaruan që kur se u krijua bota.
4 Sepse diku ai ka thënë kështu për të shtatën ditë: “Dhe Perëndia u preh të shtatën ditë nga të gjitha veprat e tij”;
5 dhe po aty: “Nuk do të hyjnë në prehjen time.”
6 Mbasi, pra, mbetet që disa të hyjnë në të, ndërsa ata që u ungjillzuan më përpara nuk hyjnë për shkak të mosbesimit të tyre,
7 ai cakton përsëri një ditë: "Sot," duke thënë, mbas kaq kohe, me gojën e Davidit: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos u bëni zemërgur.”
8 Sepse, në qoftë se Jozueu do t’u kishte dhënë prehje, Perëndia nuk do të kishte folur për një ditë tjetër.
9 Mbetet, pra, një pushim i së shtunës për popullin e Perëndisë.
10 Sepse kush ka hyrë në prehjen e tij, ka bërë pushim edhe ai nga veprat e veta, ashtu si Perëndia nga të tijat.
11 Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në atë prehje, që askush të mos bjerë në atë shëmbull të mosbindjes.