Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 11

11 Unë gjej strehë te Zoti; si mund t’i thoni shpirtit tim: "Ik në malin tënd, si një zog i vogël"?

Sepse ja, të pabesët nderin harkun e tyre, rregullojnë shigjetat mbi kordhëz, për t’i gjuajtur në errësirë kundër atyre që kanë të drejtë nga zemra.

Kur themelet janë shkatërruar, çfarë mund të bëjë i drejti?

Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; Zoti ka fronin e tij në qiejtë; sytë e tij shohin, qepallat e tij vëzhgojnë bijtë e njerëzve,

Zoti vë në provë të drejtin, por shpirti i tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën.

Ai do të bëjë që të bien mbi të pabesët leqe, zjarr, squfur dhe erëra zhuritëse; kjo do të jetë pjesa nga kupa e tyre.

Sepse Zoti është i drejtë; ai e do drejtësinë; njerëzit e drejtë do të sodisin fytyrën e tij.

Isaia 24:14-23

14 Ata do të ngrenë zërin, do të lëshojnë klithma gëzimi, për madhështinë e Zotit do të brohorasin nga deti:

15 "Lëvdoni, pra, Zotin në krahinat e agimit, emrin e Zotit, Perëndinë e Izraelit në ishujt e detit!".

16 Nga skaji i tokës dëgjojmë këngë: "Lavdi të drejtit!". Por unë them: Mjerë unë! Mjerë unë! Vaj medet! Të pabesët veprojnë me pabesi, po, tëë pabesët veprojnë me pabesi të madhe.

17 Tmerri, gropa dhe laku të kërcënojnë, o banor i dheut.

18 Dhe ka për të ndodhur që ai që do të ikë përballë britmës së tmerrit do të bjerë në gropë, dhe kush do të dalë nga gropa do të kapet nga laku. Sepse nga lart do të hapen ujëvara dhe themelet e dheut do të tronditen.

19 Toka do të çahet e tëra; toka do të kriset tërësisht, toka do të dridhet me forcë.

20 Toka do të lëkundet si një i dehur, do të tronditet si një kasolle. Mëkati i saj rëndon mbi të, do të rrëzohet dhe nuk do të ngrihet më.

21 Atë ditë do të ndodhë që Zoti do të dënojë ushtrinë që është atje lart, dhe poshtë mbi tokë mbretërit e dheut;

22 do të mblidhen bashkë si të burgosur në një burg të nëndheshëm; do të mbyllen në një burg dhe pas shumë ditësh do të ndëshkohen.

23 Hënën do ta mbulojë rrëmuja dhe diellin turpi, sepse Zoti i ushtrive do të mbretërojë mbi malin e Sionit dhe në Jeruzalem, dhe lavdia e tij përpara pleqve.

Luka 12:41-48

41 Dhe Pjetri i tha: “Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua vetëm për ne apo për të gjithë?.”

42 Dhe Zoti tha: “Kush është, pra, ai administrues besnik dhe i mençur, që do ta verë zotëria përmbi shërbëtorët e vet për t’u dhënë atyre racionin e ushqimeve në kohën e duhur?

43 Lum ai shërbëtor të cilin zotëria e tij, kur kthehet, e gjen se vepron kështu.

44 Në të vërtetë po ju them se ai do ta vërë mbi gjithë pasurinë e vet.

45 Por, nëse ai shërbëtor mendon në zemër të vet: "Zotëria im vonon të kthehet" dhe fillon t’i rrahë shërbëtorët dhe shërbëtoret, të hajë, të pijë dhe të dehet,

46 zotëria e atij shërbëtori do të vijë ditën kur nuk e pret, dhe në orën që ai nuk e di; do ta ndëshkojë rëndë dhe do t’i caktojë fatin me të pabesët.

47 Shërbëtori që e dinte vullnetin e zotërisë së tij dhe nuk u bë gati e nuk e kreu vullnetin e tij, do të rrihet shumë.

48 Por ai që nuk e dinte, po të bëjë gjëra që meritojnë të rrahura, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, do t’i kërkohet shumë; dhe kujt iu besua shumë, do t’i kërkohet më shumë.”