Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
1 Vegimi i Isaias, birit të Amotsit, që ai pa për Judën dhe Jeruzalemin në ditët e Uziahut, të Jothamit, të Ashazit dhe të Ezekias; mbretër të Judës;
10 Dëgjoni fjalën e Zotit, o krerë të Sodomës, verini veshin ligjit të Perëndisë tonë, o popull i Gomorrës!
11 "Ç’më duhet shumica e flijimeve tuaja, thotë Zoti. Jam ngopur nga olokaustet e deshve dhe nga dhjami i kafshëve të majme; gjakun e demave, të qengjave dhe të cjepve nuk e pëlqej.
12 Kur vini të paraqiteni përpara meje, kush ua ka kërkuar këtë, që të shkelni oborret e mia?
13 Mos sillni më blatime të kota; temjani është neveri për mua; nuk mund t’i duroj hënat e reja dhe të shtunat, thirrjen e asambleve dhe paudhësinë bashkë me mbledhjet e shenjta.
14 Unë i urrej hënat e reja tuaja dhe festat tuaja solemne; janë një barrë për mua, jam lodhur duke i duruar.
15 Kur i shtrini duart tuaja, unë i fsheh sytë e mi nga ju; edhe kur i shumoni lutjet tuaja, unë nuk dëgjoj; duart tuaja janë tërë gjak.
16 Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e veprimeve tuaja, mos bëni më keq.
17 Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së ve.
18 Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.
19 Në rast se jeni të gatshëm të bindeni, do të hani gjërat më të mira të vendit;
20 por në rast se refuzoni dhe rebeloheni, do t’ju përpijë shpata," sepse goja e Zotit ka folur.
50 Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.
2 Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.
3 Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.
4 Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,
5 dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".
6 Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)
7 "Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt.
8 Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.
22 Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.
23 Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t’i tregoj shpëtimin e Perëndisë".
11 Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen;
2 sepse me anë të saj të moçmit morën dëshmimin.
3 Me anë të besimit ne kuptojmë se bota është ndërtuar me fjalën e Perëndisë, sa që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen.
8 Me anë të besimit Abrahami, kur u thirr, u bind të shkojë në atë vend që do të merrte për trashëgim; dhe u nis pa ditur se ku po shkonte.
9 Me anë të besimit Abrahami banoi në tokën e premtuar, si në një dhe të huaj, dhe ndenji në çadra bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të nëjtit premtim,
10 sepse priste qytetin që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia.
11 Me anë të besimit edhe vetë Sara, ndonëse e kishte kaluar moshën, mori fuqi të bëhet me barrë dhe të lindë, sepse e konsideroi besnik atë që i kishte bërë premtimin.
12 Prandaj edhe prej një të vetmi, edhe ky gati për të vdekur, lindën pasardhës të shumtë sa yjet e qiellit dhe si rëra që është në breg të detit dhe që nuk numërohet dot.
13 Të gjithë këta vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për se largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato me gëzim duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe.
14 Sepse ata që flasin të tilla, tregojnë se kërkojnë atdhe.
15 Dhe, po ta kishin pasur në mend atë nga e cila kishin dalë, do të kishin gjetur kohë të ktheheshin atje.
16 Por ata tani dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë qiellor; prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndi i tyre, sepse u bëri gati atyre një qytet.
32 Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.
33 Shitni pasurinë tuaj dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete trasta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiejt, ku vjedhësi nuk arrin dhe tenja nuk bren.
34 Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.”
35 Le të jenë ngjeshur ijët tuaja, dhe llambat ndezur.
36 Ngjajini atyre që presin zotërinë e tyre, kur kthehet nga dasma, për t’ia hapur derën sapo të vijë dhe të trokasë.
37 Lum ata shërbëtorë, që zotëria, kur të kthehet, do t’i gjejë zgjuar! Në të vërtetë po ju them se ai vetë do të ngjeshet dhe do t’i vendosë ata në tryezë, dhe ai vetë do t’u shërbejë.
38 Dhe, në se do të vijë në të dytën a në të tretën rojë të natës dhe t’i gjejë kështu, lum ata shërbëtorë.
39 Por ta dini këtë: se po ta dinte i zoti i shtëpisë në cilën orë i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të linte t’i shpërthenin shtëpinë.
40 Edhe ju pra, jini gati, sepse Biri i njriut do të vijë në atë orë që nuk e mendoni.”