Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
7 O Zot, Perëndia im, po kërkoj strehim te ti; shpëtomë nga tërë ata që më përndjekin dhe çliromë,
2 që armiku të mos e shqyejë shpirtin tim si një luan, duke copëtuar pa mundur njeri të më çlirojë.
3 O Zot, Perëndia im, në rast se e kam bërë këtë, në qoftë se ka ligësi në duart e mia,
4 në rast se së mirës i jam përgjigjur me të keqen atij që jetonte në paqe me mua, ose në rast se e kam zhveshur armikun tim pa arësye,
5 le të më përndjekë armiku dhe të më arrijë, le ta marrë nëpër këmbë jetën time dhe ta zvarritë në pluhur lavdinë time. (Sela)
6 Çohu, o Zot, në zemërimin tënd; çohu kundër tërbimit të armiqve të mi dhe në favorin tim; ti ke vendosur gjykimin.
7 Kuvendi i popujve do të të rrethojë; kthehu mbi të në një vend të ngritur.
8 Zoti do të gjykojë popujt; gjykomë, o Zot, sipas drejtësisë sime dhe ndershmërisë sime.
9 Jepi fund ligësisë së njerëzve të këqij, por vendos njeriun e drejtë, sepse ti je Perëndia i drejtë, që provon zemrat dhe mendjet.
10 Mburoja ime është te Perëndia, që shpëton ata që janë të drejtë nga zemra.
11 Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit.
12 Në qoftë se keqbërësi nuk ndryshon, ai do të mprehë shpatën e tij; e ka shtrirë harkun e tij dhe e ka përgatitur.
13 Ai ka përgatitur kundër tij armë vdekjeprurëse, i mban gati shigjetat e tij të zjarrta.
14 Ja, keqbërësi lind padrejtësinë; ai ka konceptuar ligësinë dhe ka për të pjellë mashtrimin.
15 Ai gërmon një gropë dhe e bën të thellë, por bie vetë në gropën që ka bërë.
16 Ligësia e tij do të kthehet mbi kryet e vet dhe dhuna e tij do të bjerë mbi çafkën e kokës.
17 Unë do ta falenderoj Zotin për drejtësinë e tij, dhe do të këndoj lëvdime në emër të Zotit, Shumë të Lartit.
9 "Bëjeni të dëgjohet në pallatet e Ashdodit dhe në pallatet e vendit të Egjiptit dhe thoni: Mblidhuni në malet e Samarisë dhe shikoni sa parregullsi ka në mes të saj dhe shtypje brenda saj.
10 Ata nuk dinë të bëjnë atë që është e drejtë, thotë Zoti, në pallatet e tyre grumbullojnë dhunë dhe grabitje".
11 Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: "Armiku do të rrethojë nga çdo anë vendin, do të shembë fuqinë tënde dhe pallatet e tua do të plaçkiten".
12 Kështu thotë Zoti: "Ashtu si një bari shkëput nga goja e luanit dy këmbë ose një copë veshi, kështu do të shkëputen bijtë e Izraelit që në Samari rrinë në cepin e një shtrati ose mbi damaskun e një divani.
13 Dëgjoni dhe dëshmojeni në shtëpinë e Jakobit," thotë Zoti, Zoti, Perëndia i ushtrive,
14 "ditën në të cilën unë do të ndëshkoj Izraelin për shkeljet e tij, do të ndëshkoj edhe altarët e Bethelit; brirët e altarit do të copëtohen dhe do të bien për tokë.
15 Do të godas shtëpitë e dimrit bashkë me shtëpitë e verës; shtëpitë prej fildishi do të shkatërrohen dhe shtëpitë e mëdha do të zhduken," thotë Zoti.
4 Dëgjoni këtë fjalë, lopë të Bashanit, që ndodheni mbi malin e Samarisë, ju, që shypni të mjerët, që keqtrajtoni të varfrit, që u thoni zotërinjve tuaj: "Sillni verë dhe ta pimë".
2 Zoti, Zoti, është betuar për shenjtërinë e tij: "Ja, do të vinë për ju ditë në të cilat do t’ju zënë me çengela dhe ata që kanë mbetur me grepa peshkimi.
3 Do të dilni nëpër të çara, secili drejt përpara, dhe do t’ju hedhin në Harmon," thotë Zoti.
4 "Shkoni në Bethel dhe kryeni mëkate; në Gilgal kryeni edhe më shumë mëkate. Sillni çdo mëngjes flijimet tuaja dhe çdo tri ditë të dhjetat tuaja.
5 Ofroni një flijim falënderimi me maja. Shpallni ofertat me dëshirë dhe i propagandoni, sepse kështu ju pëlqen të veproni, o bij të Izraelit," thotë Zoti, Zoti.
2 Vëllezër të mi, mos i lidhni preferencat personale me besimin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zoti i lavdisë.
2 Sepse në qoftë se në asamblenë tuaj hyn një njeri me një unazë prej ari, me rroba të shkëlqyera, dhe hyn edhe një i varfër me një rrobë të fëlliqur,
3 dhe ju i drejtoni sytë nga ai që vesh rroben e shkëlqyer dhe i thoni: “Ti ulu këtu, në vendin e mirë,” dhe të varfërit i thoni: “Ti rri atje, në këmbë,” ose: “Ulu këtu, afër stolit të këmbëve të mia,”
4 a nuk bëtë ju një dallim në mes tuaj, duke u bërë kështu gjykatës me mendime të këqija?
5 Dëgjoni, vëllezër të mi shumë të dashur, a nuk i zgjodhi Perëndia të varfërit e botës, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan?
6 Po ju i shnderuat të varfërit! A nuk janë vallë të pasurit ata që ju shtypin, dhe nuk janë këta ata që ju heqin nëpër gjykata?
7 A nuk janë ata që blasfemojnë emrin e lavdishëm që u thirr mbi ju?