Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 83

83 O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi!

Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën.

Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron.

Ata thonë: "Ejani t’i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më".

Sepse kanë komplotuar së bashku me një mendje dhe kanë lidhur një besëlidhje kundër teje.

Çadrat e Edomit dhe Ismaelitët, Moabi dhe Hagarenët,

Gebali, Amoni dhe Amaleku, Filistia me banorët e Tiros;

dhe Asiria është bashkuar me ta për të ndihmuar bijtë e Lotit. (Sela)

Vepro me ta ashtu si bëre me Madianin, me Siseran dhe me Jabinin pranë përroit të Kishonit,

10 të cilët u shkatërruan në Endor dhe u bënë si pleh për tokën.

11 Bëj që krerët e tyre të jenë si Orebi dhe Zeebi, dhe tërë princat e tyre si Zebahu dhe Tsalmuna,

12 sepse ata thanë: "Të shtiem në dorë kullotat e Perëndisë".

13 O Perëndia im, bëji njëlloj si pluhuri i vorbullës, si kashta në mëshirë të erës.

14 Ashtu si zjarri djeg pyllin dhe flaka gllabëron malet,

15 kështu ndiqi me furtunën tënde dhe trëmbi me uraganin tënd.

16 Mbulo fytyrat e tyre me turp, me qëllim që të kërkojnë emrin tënd, o Zot.

17 U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin;

18 dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun.

Zanafilla 31:17-35

17 Atëherë Jakobi u ngrit dhe i vuri bijtë e tij dhe gratë e tij mbi devetë,

18 dhe mori me vete tërë bagëtinë e tij duke marrë me vete gjithë pasurinë që kishte vënë, bagëtinë që i përkiste dhe atë që e kishte blerë në Padam-Aram, për të vajtur tek Isaku, në vendin e Kanaanëve.

19 Ndërsa Labano kishte vajtur të qethte dhentë e tij, Rakela vodhi idhujt e të atit.

20 Dhe Jakobi u largua fshehurazi nga Labano, Arameu, pa i thënë se kishte ndërmend të ikte.

21 Kështu ai iku me gjithçka kishte; u ngrit, kaloi lumin dhe u drejtua për në malin e Galaadit.

22 Ditën e tretë i treguan Labanos se Jakobi kishte ikur.

23 Atëherë ai mori me vete vëllezërit e tij, e ndoqi shtatë ditë rrugë dhe e arriti në malin e Galaadit.

24 Por Perëndia iu shfaq në ëndërr natën Labanos, Arameut, dhe i tha: Ruhu e mos i fol Jakobit, as për të mirë e as për të keqq".

25 Labano e arriti, pra, Jakobin. Tani Jakobi e kishte ngritur çadrën e tij në mal; dhe gjithashtu Labano dhe vëllezërit e tij kishin ngritur çadrat e tyre mbi malin e Galaadit.

26 Atëherë Labano i tha Jakobit: "Ç’bëre duke më mashtruar në këtë mënyrë dhe duke i marrë bijat e mia si robëresha lufte?

27 Pse ike dhe u largove nga unë fshehurazi, pa më lajmëruar aspak? Unë do të kisha përcjellë me gëzim dhe me këngë, me lodërz dhe qeste.

28 Dhe nuk më lejove të puth bijtë dhe bijat e mia! Ti ke vepruar pa mënd.

29 Tani unë kam në dorë t’ju bëj keq, por Perëndia i atit tënd më foli natën e kaluar, duke thënë: "Ruhu, mos t’i flasësh Jakobit as për mirë apo për keq".

30 Sigurisht ike, sepse kishe një dëshirë të madhe të ktheheshe përsëri në shtëpinë e atit tënd; po pse vodhe perënditë e mia?".

31 Atëherë Jakobi iu përgjegj Labanos: "Unë kisha frikë, sepse mendoja që ti mund të më merrje me forcë bijat e tua.

32 Por kushdo qoftë ai të cilit do t’i gjesh perënditë e tu, ai duhet të vdesë në prani të vëllezërve tanë; kërko ti vetë atë që të përket tek unë dhe merre!". Jakobi nuk e dinte që ato i kishte vjedhur Rakela.

33 Kështu Labano hyri në çadrën e Jakobit, në çadrën e Leas dhe në çadrën e dy shërbyeseve, por nuk gjeti asgjë. Doli pastaj nga çadra e Leas dhe hyri në çadrën e Rakelës.

34 Por Rakela kishte marrë idhujt dhe i kishte vënë në samarin e devesë, pastaj qe ulur mbi to. Labano kërkoi në tërë çadrën, por nuk gjeti asgjë.

35 Dhe ajo i tha të atit: "Mos u zemëro, zotëria im, në rast se unë nuk mund të çohem përpara teje, sepse jam me të përmuajshmet e grave". Kështu ai kërkoi, por nuk i gjeti idhujt.

Galatasve 3:1-9

O Galatas të marrë! Kush ju ka yshtur që të mos i bindeni së vërtetës, ju, që para syve tuaj Jezu Krishti është përshkruar i kryqëzuar midis jush?

Vetëm këtë dua të di nga ju: a e morët Frymën me anë të veprave të ligjit apo nëpërmjet dëgjimit të besimit?

A jeni kaq të marrë sa që, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni në mish?

A thua hoqët kaq shumë gjëra më kot, nëse kanë qenë vërtetë më kot?

Ai që ju jep juve Frymën, dhe kryen midis jush vepra të fuqishme, i bën me anë të veprave të ligjit apo me anë të predikimit të besimit?

Kështu Abrahami “e besoi Perëndinë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”;

Ta dini, pra, se ata që janë nga besimi janë bij të Abrahamit.

Dhe Shkrimi, duke parashikuar se Perëndia do t’i shfajësonte kombet me anë të besimit, ia dha më përpara Abrahamit lajmin e mirë: “Të gjitha kombet do të bekohen në ty.”

Prandaj ata që themelohen mbi besimin bekohen bashkë me të besueshmin Abraham.