Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
135 Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit,
2 që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë.
3 Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur.
4 Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë.
5 Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë.
6 Zoti bën ç’të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat.
7 Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij.
8 Ai i goditi të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve,
9 dërgoi shenja dhe mrekulli në mes teje, o Egjipt, mbi Faraonin dhe mbi të gjithë shërbëtorët e tij.
10 Ai goditi kombe të mëdha dhe vrau mbretër të fuqishëm:
11 Sionin, mbretin e Amorejve, Ogun, mbretin e Bashanit, dhe tërë mbretëritë e Kanaanit.
12 Dhe vendet e tyre ua dhe në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij.
13 O Zot, emri yt rron përjetë; kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi.
14 Sepse Zoti do t’i sigurojë drejtësinë popullit të tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e tij.
15 Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut;
16 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,
17 kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre.
18 Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata.
19 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin; shtëpi e Aaronit, bekoje Zotin.
20 Shtëpi e Levit, bekoje Zotin; ju që keni frikë nga Zoti, bekojeni Zotin.
21 Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jeruzalem. Aleluja.
8 Në vitin e shtatë, në muajin e gjashtë, më pesë të muajit, ndodhi që, ndërsa isha ulur në shtëpinë time dhe pleqtë e Judës ishin ulur përballë meje, dora e Zotit, Zotit, ra në atë vend mbi mua.
2 Unë shikova, dhe ja, një figurë njeriu me pamje zjarri; nga sa i përngjanin ijët e tij nga poshtë dukeshin prej zjarri, dhe nga sa i përngjanin ijët e tij lart dukeshin të shkëlqyera si ngjyra e bronzit inkandeshent.
3 Ai shtriu një formë dore dhe më kapi nga një tufë e flokëve të mi, dhe Fryma më ngriti midis tokës dhe qiellit dhe më çoi në vegime të Perëndisë në Jeruzalem, në hyrje të portës së brendëshme që shikon nga veriu, ku ndodhej idhulli i xhelozisë, që shkakton xhelozinë.
4 Dhe ja, atje ndodhej lavdia e Perëndisë të Izraelit, e ngjashme me vegimin që kisha parë në fushë.
5 Pastaj ai më tha: "Bir njeriu, ço tani sytë e tu në drejtim të veriut". Kështu i ngrita sytë drejt veriut dhe ja, në veri të portës së altarit, pikërisht në hyrje, ishte idhulli i xhelozisë.
6 Dhe ai më tha: "Bir njeriu, shikon atë që bëjnë këta, veprimet e rënda të neveritshme që kryen këtu shtëpia e Izraelit dhe që më bëjnë të largohem nga shenjtërorja ime? Por ti do të shikosh veprime edhe më të rënda të neveritshme".
7 Kështu ai më çoi në hyrjen e oborrit. Unë shikova dhe ja, një vrimë në mur.
8 Atëherë ai më tha: "Bir njeriu, bëj një vrimë në mur". Kështu bëra një vrimë në mur, dhe ja, një hapje.
9 Ai më tha: "Hyr dhe shiko gjërat e neveritshme që këta po kryejnë këtu".
10 Kështu hyra për të parë, dhe ja, lloj lloj rrëshqanorë dhe kafshë të neveritshme si dhe tërë idhujt e shtëpisë së Izraelit të riprodhuara rreth e rrotull mbi mur.
11 Dhe para tyre rrinin shtatëdhjetë burra nga pleqtë e shtëpisë së Izraelit, dhe në mes tyre ishte Jaazaniahu, biri i Shafanit, secili me temjanicën e vet prej së cilës dilte një re e dendur temjani.
12 Pastaj më tha: "Bir njeriu, a ke parë atë që bëjnë pleqtë e shtëpisë së Izraelit në errësirë, secili në dhomën e figurave të tij? Në fakt thonë: Zoti nuk na shikon, Zoti e ka braktisur vendinn"".
13 Pastaj më tha: "Ti do të shikosh gjëra edhe më të neveritshme që ata po kryejnë".
14 Atëherë më çoi në hyrjen e portës së shtëpisë të Zotit, që është nga veriu; dhe ja, atje ishin ulur gra që qanin Tamuzin.
15 Pastaj më tha: "A e pe, bir njeriu? Ti do të shikosh gjëra edhe më të neveritshme nga këto".
16 Atëherë më çoi në oborrin e brendshëm të shtëpisë të Zotit; dhe ja, në hyrje të tempullit të Zotit, midis portikut dhe altarit, ishin rreth njëzetepesë burra, me kurriz të kthyer nga tempulli i Zotit dhe fytyrë të kthyer nga lindja, që adhuronin diellin nga lindja.
17 Pastaj më tha: "A e pe, bir njeriu? A është vallë një gjë e vogël për shtëpinë e Judës të kryejë gjërat e neveritshme që ajo bën këtu? Në fakt ata e kanë mbushur vendin me dhunë dhe kanë provokuar disa herë zemërimin tim. Dhe ja, e çojnë degën te hunda.
18 Prandaj edhe unë do të veproj me tërbim; syri im nuk do të ketë asnjë dhembshuri dhe nuk do të kem mëshirë fare. Edhe sikur të çojnë britma të larta veshëve të mi, unë nuk do t’i dëgjoj".
26 Dhe një engjëll i Zotit i foli Filipit, duke i thënë: “Çohu dhe shko drejt jugut, në rrugën që nga Jeruzalemi zbret në Gaza; ajo është e shkretë.”
27 Ai u ngrit dhe u nis; dhe ja, një njeri Etiopas, eunuk, një zyrtar i lartë i Kandaces, mbretëreshës së Etiopisë, përgjegjës i të gjitha thesareve të saj, i cili kishte ardhur në Jeruzalem për të adhuruar.
28 Tani ai po kthehej dhe, i ulur në karrocën e vet, lexonte profetin Isaia.
29 Dhe Fryma i tha Filipit: “Afrohu dhe arrije atë karrocë!.”
30 Filipi iu turr afër dhe, duke dëgjuar se po lexonte profetin Isaia, i tha: “A e kupton atë që lexon?.”
31 Ai tha: “E si do të mundja, po s’pata një që të më udhëzojë?.” Pastaj iu lut Filipit të hipë dhe të ulet pranë tij.
32 Por pjesa e Shkrimit që ai po lexonte ishte kjo: “Atë e çuan si delja në thertore; dhe ashtu si qengji është memec përpara qethtarit, kështu ai nuk e hapi gojën e vet.
33 Në përuljen e tij iu mohua çfarëdolloj drejtësie; po kush do të mund ta përshkruajë brezin e tij? Sepse jeta e tij u hoq nga toka.”
34 Dhe eunuku iu kthye Filipit dhe tha: “Të lutem, për kë e thotë profeti këtë? Për veten e vet apo për ndonjë tjetër?.”
35 Atëherë e mori fjalën Filipi dhe, duke filluar nga ky Shkrim, i shpalli Jezusin.
36 Dhe, ndërsa po vazhdonin rrugën, arritën në një vend me ujë. Dhe eunuku tha: “Ja uji! Çfarë më pengon të pagëzohem?.”
37 Dhe Filipi tha: “Nëse ti beson me gjithë zemër, mund ta bësh.” Dhe ai u përgjigj duke thënë: “Unë besoj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.”
38 Urdhëroi atëherë të ndalet karroca, dhe të dy, Filipi dhe eunuku, zbritën në ujë dhe ai e pagëzoi.
39 Kur dolën nga uji, Fryma e Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më; por e vazhdoi rrugën e tij me plot gëzim.
40 Por Filipi u gjet në Azot; dhe, duke vazhduar, ungjillëzoi të gjitha qytetet, derisa arriti në Cezare.