Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 96

96 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.

Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.

Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera.

Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.

Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.

Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.

Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.

Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.

10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t’i gjykojë popujt me drejtësi".

11 Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të.

12 Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit,

13 sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.

1 i Mbretërve 18:1-19

18 Shumë kohë më vonë, gjatë vitit të tretë, fjala e Zotit iu drejtua Elias, duke i thënë: "Shko dhe paraqitu te Ashabi dhe unë do të dërgoj shiun mbi vendin".

Elia shkoi të paraqitet te Ashabi. Atëherë në Samari kishte pllakosur një zi e madhe e bukës.

Ashabi dërgoi të thërrasë Abdian, që ishte mexhordomi i tij. (Abdia kishte frikë të madhe nga Zoti;

kështu, kur Jezebeli shfaroste profetët e Zotit, Abdia mori njëqind profetë dhe fshehu pesëdhjetë prej tyre në një shpellë, duke i furnizuar me bukë dhe ujë).

Ashabi i tha Abdias: "Shko nëpër vendin në drejtim të të gjitha burimeve dhe rrjedhave ujore; ndofta do të gjejmë bar të mjaftueshëm për të mbajtur gjallë kuajt dhe mushkat dhe nuk do të detyrohemi të vrasim asnjë nga kafshët tona".

Kështu e ndanë vendin që do të përshkohej; Ashabi shkoi vetëm nga një anë dhe Abdia vetëm nga ana tjetër.

Ndërsa Abdia po udhëtonte, ja ku doli përpara Elia; Abdiu e njohu dhe u shtri me fytyrë për tokë përpara tij, duke thënë: "Ti je zotëria im Elia?".

Ai u përgjigj: "Jam unë; shko e i thuaj zotërisë sate: Elia është këtu".

Por Abdia u përgjigj: Çfarë mëkati kam kryer që ti dorëzon shërbëtorin tënd në duart e Ashabit që ai të shkaktojë vdekjen time?

10 Ashtu siç është e vërtetë që Zoti, Perëndia yt, rron, nuk ka komb dhe mbretëri në të cilin zoti im nuk ka dërguar njerëz të të kërkojnë; dhe kur thonin: "Nuk është këtu," ai i vinte të betoheshin mbretërinë dhe kombin që nuk kishin mundur të të gjenin.

11 Dhe tani ti thua: "Shko t’i thuash zotërisë sate: Elia është këtu!".

12 Por do të ndodh që sapo të largohem prej teje, Fryma e Zotit do të të çojë në një vend të panjohur nga unë; kështu unë do të shkoj t’ia njoftoj Ashabit, dhe ky, duke mos të gjetur, do të më vrasë. Dhe shërbëtori yt i druhet Zotit që i ri!

13 A nuk i kanë njoftuar zotërisë sime atë që unë kam bërë kur Jezebeli vriste profetët e Zotit? Si fsheha njëqind nga këta profetë të Zotit, pesëdhjetë në një shpellë dhe pesëdhjetë në një tjetër, duke i furnizuar me bukë dhe me ujë?

14 Dhe tani ti thua: "Shko t’i thuash zotërisë sate: Elia është këtu!". Por ai do të më vrasë".

15 Atëherë Elia u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti i ushtrive në prani të të cilit ndodhem, sot do të paraqitem te Ashabi".

16 Abdia, pra, shkoi të kërkojë Ashabin dhe i njoftoi çështjen, dhe Ashabi i doli përpara Elias.

17 Me ta parë Elian i tha: "Ti je pikërisht ai që e bën rrëmujë Izraelin?".

18 Elia u përgjigj: "Nuk jam unë që e bëj rrëmujë Izraelin, por ti dhe shtëpia e atit tënd, sepse keni braktisur urdhërimet e Zotit dhe ti ke shkuar pas Baalëve.

19 Prandaj dërgo tani të thërrasin tërë Izraelin pranë meje në malin Karmel, bashkë me katërqind e pesëdhjetë profetët e Baalit dhe katërqind profetët e Asherahut që hanë në tryezën e Jezebelit".

Luka 4:31-37

31 Pastaj zbriti në Kapernaum, qytet i Galilesë, dhe i mësonte njerëzit ditët e shtuna.

32 Dhe ata habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet.

33 Në sinagogë ishte një njeri që ishte pushtuar me frymën e një demoni të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë duke thënë:

34 “Ah, ç’ka mes nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di se kush je ti: i Shenjti i Perëndisë!.”

35 Por Jezusi e qortoi duke thënë: “Hesht dhe dil prej tij!.” Dhe demoni, pasi e përplasi përpara tyre, doli prej tij pa i bërë asgjë të keqe.

36 Atëherë të gjithë i pushtoi habia dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Ç’fjalë është kjo, vallë? Ai urdhëron me autoritet dhe pushtet frymërat e ndyra dhe ata dalin!.”

37 Dhe fama e tij përhapej në çdo vend të krahinës përreth.