Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
96 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!
2 Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.
3 Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.
4 Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera.
5 Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.
6 Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.
7 Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.
8 Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.
9 Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.
10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t’i gjykojë popujt me drejtësi".
11 Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të.
12 Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit,
13 sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.
20 Kur tërë Izraeli dëgjoi që Jeroboami ishte kthyer, dërgoi ta thërrasë dhe të paraqitej përpara asamblesë dhe, e bëri mbret mbi tërë Izraelin. Asnjeri nuk e ndoqi shtëpinë e Davidit, me përjashtim të të vetmit fis të Judës.
21 Roboami, me të arritur në Jeruzalem, mblodhi tërë shtëpinë e Judës dhe fisin e Beniaminit, njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur për të luftuar kundër shtëpisë së Izraelit dhe për t’i kthyer kështu mbretërinë Roboamit, birit të Salomonit.
22 Por fjala e Perëndisë iu drejtua Shemajahut, njeriut të Perëndisë, duke i thënë:
23 "Folë me Roboamin, birin e Salomonit, mbret të Judës, me tërë shtëpinë e Judës dhe të Beniaminit dhe pjesës tjetër të popullit, dhe u thuaj atyre:
24 Kështu flet Zoti: "Mos dilni të luftoni kundër vëllezërve tuaj, bijve të Izraelit! Secili të kthehet në shtëpinë e tij, sepse kjo gjë vjen nga unë". Ata iu bindën fjalës të Zotit dhe u kthyen prapa, sipas fjalës të Zotit.
25 Pastaj Jeroboami ndërtoi Sikemin në zonën malore të Efraimit dhe u vendos aty; pastaj doli që andej dhe ndërtoi Penuelin.
26 Jeroboami tha në zemër të vet: "Tani mbretëria do t’i kthehet me sa duket shtëpisë së Davidit.
27 Në rast se ky popull shkon në Jeruzalem për t’ë ofruar flijime në shtëpinë e Zotit, zemra e këtij populli do të kthehet përsëri nga zotëria e tij, nga Roboami, mbret i Judës; kështu do të më vrasin dhe do të kthehen nga Roboami, mbret i Judës".
28 Mbasi u këshillua, mbreti bëri dy viça prej ari dhe i tha popullit: Éshtë shumë për ju të shkoni deri në Jeruzalem! O Izrael, ja ku janëë perënditë e tua që të kanë nxjerrë nga vendi i Egjiptit!".
29 Pastaj vendosi njerin prej tyre në Bethel dhe tjetrin në Dan.
30 Ky ishte shkaku i mëkatit, sepse populli shkonte deri në Dan për të rënë përmbys përpara një viçi.
31 Ai ndërtoi edhe tempuj mbi vendet e larta dhe bëri priftërinj duke i marrë nga të gjitha shtresat, por që nuk ishin bij të Levit.
32 Jeroboami caktoi një festë në muajin e tetë, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, të njëllojtë me festën që kremtohej në Judë dhe ofroi flijime mbi altarin. Kështu veproi në Bethel për të flijuar viçat që ai kishte bërë; dhe në Bethel vendosi priftërinjtë e vendeve të larta që kishte ngritur.
33 Ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të tetë, muaj i zgjedhur nga ai vetë, Jeroboami u ngjit në altarin që kishte ndërtuar në Bethel; caktoi një festë për bijtë e Izraelit dhe u ngjit në altar për të djegur temjan.
11 Duke e njohur frikën e Zotit, ne bindim njerëzit dhe jemi njohur nga Perëndia; dhe unë shpresoj se edhe në ndërgjegjet tuaja të jemi njohur.
12 Sepse ne nuk e rekomandojmë përsëri veten ndaj jush, por ju japim rastin të krenoheni për ne, që të keni çfarë t’u përgjigjeni atyre që krenohen me dukjen dhe jo me zemër.
13 Sepse, nëse nuk jemi në vete, jemi për Perëndinë, dhe në qoftë se jemi me mend në kokë, jemi për ju.
14 Sepse dashuria e Krishtit na shtrëngon, sepse kemi arritur në konkluzionin se, në qoftë se një ka vdekur për të gjithë, të gjithë, pra, kanë vdekur;
15 dhe se ai ka vdekur për të gjithë, me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë që sot e tutje për veten e tyre, po për atë që vdiq dhe u ringjall për ta.
16 Prandaj tash e tutje ne nuk njohim më askënd sipas mishit; po, edhe sikur ta kemi njohur Krishtin sipas mishit, nuk e njohim më ashtu.
17 Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja.