Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 133

133 Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!

Éshtë si vaji i çmuar i shpërndarë mbi krye, që zbret mbi mjekrën e Aaronit, që zbret deri në cep të rrobave të tij.

Éshtë si vesa e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit, sepse atje Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi.

1 i Samuelit 20:1-23

20 Davidi iku nga Najothi i Ramahut, shkoi te Jonathani dhe i tha: "Çfarë kam bërë? Cili është faji im dhe cili është mëkati im kundër atit tënd, që ai kërkon jetën time?".

Jonathani iu përgjegj: "Mos ndodhtë kurrë! Ti nuk ke për të vdekur; ja im atë nuk bën asnjë veprim të madh apo të vogël pa ma njoftuar mua. Pse im atë të ma fshihte këtë gjë? Nuk është e mundur".

Davidi u betua përsëri dhe tha: "Yt atë e di me siguri që unë gëzoj hirin tënd dhe do të ketë thënë: "Jonathani të mos e dijë këtë, që të mos hidhërohet". Por siç është e vërtetë që Zoti jeton, dhe që rron shpirti yt, mua nuk më ndan nga vdekja veçse një hap".

Jonathani i tha Davidit: "Çfarëdo gjë që të më kërkosh, unë do ta bëj për ty".

Davidi iu përgjegj Jonathanit: "Ja, nesër fillon hëna e re dhe unë duhet të ulem në tryezë me mbretin, por të më lër të shkoj dhe unë do të fshihem në fshatrat deri në mbrëmjen e ditë së tretë.

Në qoftë se atit tënd i bie në sy mungesa ime, ti do t’i thuash: "Davidi më është lutur me insistim të hidhet për pak kohë deri në Betlem, në qytetin e tij, sepse aty kremtohet flijimi për tërë familjen e tij".

Në qoftë se thotë: "Mirë," shërbëtori yt ka për të shpëtuar. Por në rast se zemërohet, dije se ka vendosur të ma bëjë të keqen.

Tregohu, pra, i mëshirshëm me shërbëtorin tënd, sepse e ke bërë të lidhet në një besëlidhje të Zotit me ty; por në rast se kam ndonjë faj, vritmë ti. Pse duhet të më çosh tek ati yt?".

Jonathani tha "Larg qoftë ky mendim! Po ta dija që im atë ka vendosur të ta bëjë të keqen, nuk do të ta tregoja ty?".

10 Davidi i tha Jonathanit: "Kush do të më njoftojë në se yt atë të përgjigjet rëndë?".

11 Jonathani i tha Davidit: "Eja, të dalim ndër fusha!". Kështu që të dy dolën jashtë, në fushë.

12 Atëherë Jonathani i tha Davidit: "Paça dëshmitar Zotin, Perëndinë e Izraelit! Nesër ose pasnesër, në këtë orë, do të hetoj qëllimet e atit tim, për të parë në se ai e shikon me sy të mirë Davidin, dhe po të mos dërgoj njeri të të njoftojë,

13 Zoti le t’i bëjë këtë gjë Jonathanit, madje edhe më keq. Në qoftë se përkundrazi im atë ka ndërmend të të bëjë një të keqe, unë do të të njoftoj dhe do të lë të shkosh me qëllim që ti të shkosh në paqe; dhe Zoti qoftë me ty, ashtu siç ka qenë me atin tim!

14 Deri sa të jem gjallë, a nuk do të përdorësh ndaj meje mirësinë e Zotit, me qëllim që mos vritem?".

15 Por nuk do të heqësh dorë kurrë të përdorësh mirësinë ndaj shtëpisë sime, as atëherë kur Zoti të ketë shfarosur nga faqja e dheut tërë armiqtë e Davidit".

16 Kështu Jonathani lidhi një besëlidhje me shtëpinë e Davidit, duke thënë: "Zoti t’u kërkojë llogari armiqve të Davidit për gjakun!".

17 Për hir të dashurisë që kishte për të, Jonathani e vuri përsëri Davidin të betohet, sepse ai e donte si shpirtin e vet.

18 Pastaj Jonathani i tha: "Nesër fillon hëna e re dhe mungesa jote do të bjerë në sy, sepse vendi yt do të mbetet bosh.

19 Do të lësh të kalojmë tri ditë, pastaj do të zbresësh me të shpejtë dhe do të shkosh në vendin ku u fshehe ditën e ngjarjes, dhe do të rrish pranë gurit të Ezelit.

20 Unë do të hedh tri shigjeta përbri gurit sikur të gjuaja në shenjë.

21 Pastaj do të dërgoj një djalosh, duke i thënë: "Shko të kërkosh shtigjeta". Në rast se i them djaloshit: "Shiko, shigjetat janë nga ana jote, prandaj merri!" atëherë eja sepse, ashtu si Zoti jeton, punët të ecin mbarë ty dhe nuk ka asnjë rrezik.

22 Në qoftë se përkundrazi i them djaloshit: "Shiko, shigjetat janë matanë teje," atëherë shko, sepse Zoti të bën të ikësh.

23 Sa për gjërat për të cilat kemi folur midis nesh, ja, Zoti qoftë dëshmitar midis teje dhe meje për gjithnjë".

1 i Samuelit 20:35-42

35 Të nesërmen në mëngjes, Jonathani doli në fushë në vendin e caktuar me Davidin, duke pasur me vete një djalosh.

36 Ai i tha djaloshit: "Vrapo të më sjellësh shigjetat që unë gjuaj". Ndërsa djaloshi vraponte, ai hodhi një shigjetë që kaloi përtej tij.

37 Kur djaloshi arriti në vendin ku ndodhej shigjeta që Jonathani kishte hedhur, Jonathani i bërtiti nga prapa: "Shigjeta, vallë ka rënë matanë teje?".

38 Pastaj Jonathani i bërtiti akoma djaloshit: "Vepro shpejt, mbaro punë, mos u ndal!". Kështu djaloshi i Jonathanit mblodhi shigjetat dhe u kthye tek i zoti.

39 Por djaloshi nuk e dinte asgjë; vetëm Jonathani dhe Davidi e dinin si qëndronte çështja.

40 Pastaj Jonathani ia dha armët e tij djaloshit dhe i tha: "Nisu, çoji në qytet".

41 Me t’u nisur djaloshi, Davidi u ngrit nga krahu jugor, ra përmbys tri herë me fytyrë për tokë; pastaj të dy puthen me njeri tjetrin dhe qanë bashkë; por Davidi qau më tepër.

42 Pastaj Jonathani i tha Davidit: "Shko në paqe, tani që ne të dy jemi betuar në emër të Zotit; Zoti le të jetë përgjithmonë dëshmitar midis meje dhe teje dhe ndërmjet pasardhësve të tu dhe pasardhësve të mi". Pastaj Davidi u ngrit dhe iku; dhe Jonathani u kthye në qytet.

Veprat e Apostujve 11:19-26

19 Ndërkaq ata që ishin shpërndarë për shkak të përndjekjes që nisi me Stefanin, arritën deri në Feniki, në Qipro dhe në Antioki, duke mos ia shpallur fjalën asnjë tjetri, përveç Judenjve.

20 Por disa prej tyre me origjinë nga Qipro dhe nga Kirenea, kur arritën në Antioki, filluan t’u flasin Grekëve, duke shpallur Zotin Jezus.

21 Dhe dora e Zotit ishte me ta; dhe një numër i madh besoi dhe u kthye te Zoti.

22 Lajmi i kësaj arriti në vesh të kishës që ishte në Jeruzalem; dhe ata dërguan Barnabën, që të shkonte deri në Antioki.

23 Kur ai arriti, shikoi hirin e Perëndisë, u gëzua dhe i nxiti të gjithë t’i qëndrojnë besnikë Zotit, me dëshirën e zemrës,

24 sepse ai ishte njeri i mirë, plot me Frymë të Shenjtë dhe besim. Dhe një numër i madh personash iu shtua Zotit.

25 Pastaj Barnaba u nis për në Tars për të kërkuar Saulin dhe, si e gjeti, e çoi në Antioki.

26 Dhe plot një vit ata u bashkuan me atë kishë dhe mësuan një numër të madh njerëzish; dhe, për të parën herë në Antioki, dishepujt u quajtën të Krishterë.