Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 35:11-28

11 Dëshmitarë të pamëshirshëm ngrihen kundër meje dhe më pyesin për gjëra për të cilat unë nuk di asgjë.

12 Të mirën e shpërblejnë me të keqen, duke e lënë kështu të pangushëlluar jetën time.

13 Megjithatë, kur ishin të sëmurë, unë vesha grathoren dhe e mundova shpirtin tim me agjerim, dhe lutesha me kokën e përkulur mbi gjoks.

14 Shkoja rreth e rrotull, sikur të ishte fjala për një shok o për vëllanë tim; shkoja fort i kërrusur nga dhembja, ashtu si një njeri që mban zi për të ëmën.

15 Por kur u pengova, ata u gëzuan dhe u mblodhën bashkë; u mblodhën kundër meje disa shpifës, të cilët nuk i njihja; më kanë shqyer pa pushim.

16 Bashkë me disa palaço zemërkatranë kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.

17 O Zot, deri kur do të vazhdosh të shikosh? Shpëto jetën time nga shkatërrimet e kurdisura prej tyre, të vetmen pasuri që kam nga dhëmbët e luanëve.

18 Unë do të të kremtoj në kuvendin e madh, do të lavdëroj në mes të një populli të shumtë.

19 Mos u gëzofshin me mua ata që pa hak më janë bërë armiq, mos e shkelshin syrin ata që më urrejnë pa arsye,

20 sepse nuk flasin kurrë për paqe, por kurdisin mashtrime kundër njerëzve paqësorë të vendit.

21 Po, e hapin gojën e tyre kundër meje dhe thonë: "Ah, ah! E kemi parë me sytë tanë".

22 O Zot, ti i ke parë këto gjëra, mos hesht; o Zot, mos u largo nga unë.

23 Zgjohu dhe çohu, për të më siguruar drejtësi dhe për të mbrojtur çështjen time, o Perëndi dhe Zoti im.

24 Gjykomë sipas drejtësisë sate, o Zot, Perëndia im, dhe bëj ata të mos kënaqen me mua,

25 dhe të mos thonë në zemër të tyre: "Ah, pikërisht ashtu siç e donim"; dhe të mos thonë: "E gëlltitëm".

26 U turpërofshin dhe u pështjellofshin gjihë ata që gezohen nga e keqja ime; u mbulofshin me turp dhe me fyerje ata që ekzaltohen kundër meje.

27 Këndofshin dhe gëzofshin ata që kanë në zemër çështjen time të drejtë dhe thënçin vazhdimisht: "Lëvduar qoftë Zoti, që e do paqen e shërbëtorit të tij".

28 Gjuha ime do të kremojë drejtësinë tënde dhe do të këndojë lëvdimin tënd tërë ditën.

Eksodi 35:1-29

35 Moisiu thirri asamblenë e bijve të Izraelit dhe u tha atyre: "Këto janë gjërat që Zoti më ka urdhëruar të bëj.

Do të punohet gjashtë ditë, por dita e shtatë do të jetë për ju një ditë e shenjtë, një e shtunë pushimi, e shenjtëruar ndaj Zotit. Kushdo që bën ndonjë punë atë ditë do të dënohet me vdekje.

Nuk do të ndizni zjarr në asnjë prej banesave tuaja ditën e shtunë".

Pastaj Moisiu i foli tërë asamblesë së bijve të Izraelit dhe tha: "Kjo është ajo që Zoti ka urdhëruar, duke thënë:

"Merrni ndërmjet jush një ofertë për Zotin; kushdo që ka zemër bujare do t’i çojë një ofertë Zotit: ar, argjend dhe bronz,

stofa ngjyrë vjollce, të purpurta ose flakë të kuqe, li të hollë dhe lesh dhie,

lëkura dashi të ngjyera në të kuq, lëkura baldose dhe dru të akacies,

vaj për ndriçim të shandanit dhe aroma për vajin e vajosjes dhe për temjanin aromatik,

gurë oniksi dhe gurë për t’u ngallmuar mbi efodin dhe pektoralin.

10 Kushdo ndërmjet jush që është i aftë, le të vijë dhe të bëjë tërë ato gjëra që Zoti ka urdhëruar:

11 tabernakullin, çadrën e tij dhe mbulesën, kapëset, dërrasat, traversat, shtyllat dhe bazat e tij,

12 arkën, shtizat e saj, pajtuesin dhe velin e mbulesës së arkës,

13 tryezën dhe shtizat e saj, tërë veglat e saj dhe bukën e paraqitjes;

14 shandanin për dritë dhe veglat e tij, llambat e tij dhe vajin për ndriçim të shandanit;

15 altarin e temjanit dhe shtizat e tij, vajin e vajosjes, temjanin aromatik dhe perden e hyrjes në tabernakull,

16 altarin e olokausteve me grilën e tij prej bronzi, shtizat dhe tërë veglat e tij, legenin dhe bazën e tij,

17 perdet e oborrit, shtyllat e tij dhe bazat e tyre, dhe perdja e hyrjes në oborr;

18 kunjat e tabernakullit, kunjat e oborrit dhe litarët e tyre;

19 rrobat e punuara hollë për të bërë shërbimin në vendin e shenjtë, rrobat e shenjta për priftin Aaron dhe rrobat e bijve të tij që të shërbejnë si priftërinj"".

20 Atëherë gjithë asambleja e bijve të Izraelit u largua nga prania e Moisiut.

21 Kështu tërë ata që ishin të shtyrë nga zemra e tyre dhe tërë ata që ishin të shtyrë nga fryma e tyre, erdhën për t’i sjellë ofertën e tyre Zotit për veprën e çadrës së mbledhjes, për të gjitha shërbimet e tij dhe për rrobat e shenjta.

22 Erdhën burra dhe gra, ata që kishin zemër bujare, dhe sollën me vete kapëse, vathë, unaza me vulë dhe byzylykë, lloj lloj xhevahiresh prej ari; gjithkush i solli ndonjë ofertë prej ari Zotit.

23 Dhe të gjithë ata që kishin stofa ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe, ose li të hollë, apo lesh dhie, ose lëkura dashi me ngjyrë të kuqe, ose lëkurë baldose, i sollën.

24 Kushdo që mund të bënte një ofertë prej argjendi o prej bronzi, e solli ofertën e shenjtëruar për Zotin; dhe kushdo që kishte dru prej akacieje për ndonjë punë të caktuar për shërbimin, e solli.

25 Të gjitha gratë e zonja torën me duart e tyre dhe prunë fillin ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe flakë të kuqe, si dhe li të hollë.

26 Dhe të gjitha gratë që ishin të shtyra nga zemra e tyre dhe kishin zhdërvjelltësi, torën lesh dhie.

27 Krerët e popullit sollën gurë oniksi dhe gurë për t’u ngallmuar në efodin dhe në pektoralin,

28 aroma dhe vaj për ndriçim të shandanit, vaj për vajosjen dhe për temjanin aromatik.

29 Të gjithë bijtë e Izraelit, burra e gra, që ishin të shtyrë nga zemra për t’i çuar diçka për tërë veprën që Zoti kishte urdhëruar të bënin me anë të Moisiut, i çuan Zotit oferta vullnetare.

Veprat e Apostujve 10:9-23

Të nesërmen, ndërsa ata po udhëtonin dhe po i afroheshin qytetit, Pjetri u ngjit në tarracë, rreth orës së gjashtë për t’u lutur.

10 E mori uria dhe donte të hante; dhe, ndërsa ata të shtëpisë po i përgatitnin ushqimin, u rrëmbye në ekstazë;

11 dhe pa qiellin e hapur dhe një send që i përngjante një çarçafi të madh që po zbriste drejt tij; ishte lidhur në të katër cepat dhe kishte zbritur në tokë,

12 dhe brenda tij ishin të gjitha llojet e katërkëmbësheve, bisha, zvarranikë të tokës dhe shpendë qielli.

13 Dhe një zë i tha: “Pjetër, çohu, ther dhe ha!.”

14 Por Pjetri u përgjigj: “Kurrsesi, o Zot, sepse unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër ose të ndotur!.”

15 Dhe zëri i tha për të dytën herë: “Gjërat që Perëndia i ka pastruar, ti mos i bëj të papastra.”

16 Kjo ndodhi tri herë; pastaj ai send u ngrit sërish në qiell.

17 Dhe ndërsa Pjetri po mendohej me mëdyshje ç’kuptim mund të kishte vegimi që kishte parë, ja që njerëzit e dërguar nga Korneli, mbasi pyetën për shtëpinë e Simonit, u paraqitën te dera.

18 Dhe thirrën e pyetën nëse Simoni, i mbiquajtur Pjetër, ndodhej aty.

19 Ndërsa Pjetri po mendohej lidhur me vegimin, Fryma i tha: “Ja, po të kërkojnë tre burra.

20 Çohu, pra, zbrit e shko me ta pa asnjë ngurrim, sepse unë jam ai që t’i kam dërguar.”

21 Atëherë Pjetri zbriti te njerëzit që i ishin dërguar nga Korneli dhe u tha atyre: “Ja, unë jam ai që kërkoni; cila është arsyeja për të cilën jeni këtu?.”

22 Dhe ata i thanë: “Centurioni Kornel, njeri i drejtë dhe që e druan Perëndinë, për të cilin gjithë kombi i Judenjve dëshmon, është lajmëruar në mënyrë hyjnore nga një engjëll i shenjtë të të thërrasë ty në shtëpinë e tij për të dëgjuar fjalët që ke për t’i thënë.”

23 Atëherë Pjetri i ftoi të hyjnë dhe i përbujti; pastaj, të nesërmen, shkoi me ta; dhe disa nga vëllezërit e Jopes e shoqëruan.