Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
4 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke më thënë:
5 "Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur; para se ti të dilje nga barku i saj, të kam shenjtëruar dhe të kam caktuar profet të kombeve".
6 Unë u përgjigja: "Mjerisht, o Zot, Zot, unë nuk di të flas, sepse jam një djalosh"".
7 Por Zoti më tha: "Mos thuaj: "Jam një djalosh," sepse ti do të shkosh te të gjithë ata te të cilët do të të dërgoj unë dhe do t’u thuash tërë ato që do të urdhëroj.
8 Mos ki frikë para tyre, sepse unë jam me ty për të të çliruar, thotë Zoti".
9 Pastaj Zoti shtriu dorën e tij dhe preku gojën time; mandej Zoti më tha: Ja, unë i vura fjalët e mia në gojën tënde..
10 Ja, sot unë të caktoj mbi kombet dhe mbi mbretëritë për të çrrënjosur dhe për të rrënuar, për të shembur dhe për të shkatërruar, për të ndërtuar dhe për të mbjellë".
71 Unë po gjej strehë te ti, o Zot, bëj që të mos hutohem kurrë.
2 Në emër të drejtësisë sate, më çliro dhe më shpëto; zgjate veshin tënd ndaj meje dhe më shpëto.
3 Ti je për mua një kështjellë shpëtimi, ku unë mund të shkoj gjithnjë; ti ke urdhëruar shpëtimin tim, sepse je shkëmbi dhe kështjella ime.
4 Perëndia im, më çliro nga dora e të pabesit, nga dora e të çoroditurit dhe të atij që përdor dhunën.
5 Sepse ti je shpresa ime, o Zot, o Zot, besimi im që kurse isha fëmijë.
6 Ti ke qenë përkrahja ime qysh në bark të nënes sime; ti më nxore nga barku i nënës sime; ty do të drejtohet gjithnjë lëvdimi im.
13 Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon.
2 Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë, edhe të dija të gjitha misteret dhe mbarë shkencën dhe të kisha gjithë besimin sa të luaja nga vendi malet, por të mos kisha dashuri, nuk jam asgjë.
3 Edhe sikur të ndaja gjithë pasuritë e mia për të ushqyer të varfërit dhe ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë!
4 Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset,
5 nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq;
6 nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën,
7 i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë.
8 Dashuria nuk ligshtohet kurrë; por profecitë shfuqizohen, gjuhët pushojnë dhe njohuria do të shfuqizohet,
9 sepse ne njohim pjesërisht dhe profetizojmë pjesërisht.
10 Por, kur të vijë përsosmëria, atëherë ajo që është e pjesshme do të shfuqizohet.
11 Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë; kur u bëra burrë, i flaka gjërat fëminore.
12 Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe; tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë ashtu sikurse njihem.
13 Tani, pra, këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria; por më e madhja nga këto është dashuria.
21 Atëherë ai nisi të thotë: “Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja.”
22 Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij, dhe thoshnin: “Po ky, a nuk është biri i Jozefit?.”
23 Dhe ai u tha atyre: “Me siguri ju do të më përmendni fjalën e urtë: Mjek, shëro veten tëndee"; të gjitha ato që dëgjuam se u bënë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd.”
24 Por ai tha: “Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet.
25 Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael;
26 e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveç se te një grua e ve në Sareptë të Sidonit.
27 Dhe në kohën e profetit Elize kishte shumë lebrozë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian.”
28 Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë.
29 Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë.
30 Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua.