Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.
13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.
14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.
15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.
16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.
17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t’i bëjë ballë të ftohtit të tij?
18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.
19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.
20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.
28 Davidi mblodhi në Jeruzalem tërë krerët e Izraelit, të parët e fiseve, komandantët e divizioneve që ishin në shërbim të mbretit, komandantët e mijëshëve, komandantët e qindëshëve, administratorët e tërë pasurive dhe të bagëtisë që ishin pronë e mbretit dhe e bijve të tij, së bashku me funksionarët, me kreshnikët dhe tërë luftëtarët trima.
2 Pastaj mbreti David u ngrit në këmbë dhe tha: "Më dëgjoni, o vëllezër të mi dhe o populli im! Unë kisha në zemër të ndërtoja një shtëpi paqeje për arkën e besëlidhjes të Zotit, për mbështetësen e këmbëve të Perëndisë tonë, dhe kisha bërë përgatitje për ta ndërtuar.
3 Por Perëndia më tha: "Ti nuk do të ndërtosh një shtëpi në emrin tim, sepse ke qenë një njeri lufte dhe ke derdhur gjak".
4 Megjithatë Zoti, Perëndia i Izraelit, më ka zgjedhur mua nga tërë shtëpia e atit tim, që të bëhem mbret i Izraelit përjetë. Në fakt ai ka zgjedhur Judën si princ, dhe në shtëpinë e Judës shtëpinë e atit tim dhe midis bijve të atit tim i ka pëlqyer të më bëjë mua mbret të të gjithë Izraelit.
5 Midis tërë bijve të mi (sepse Zoti më ka dhënë shumë fëmijë) ai ka zgjedhur birin tim Salomon, që të ulet në fronin e mbretërisë të Zotit mbi Izraelin.
6 Ai më tha: "Do të jetë biri yt Salomon ai që ka për të ndërtuar shtëpinë time dhe oborret e mia, sepse kam zgjedhur atë si djalin tim, dhe unë do të jem për atë si një baba.
7 Do ta bëj të qëndrueshme përjetë mbretërinë e tij në rast se u përmbahet në mënyrë të vendosur urdhërimeve dhe dekreteve të mia, ashtu si po bën sot".
8 Kështu, pra, përpara tërë Izraelit, asamblesë së Zotit, dhe përpara Perëndisë tonë që na dëgjon, zbatoni dhe kërkoni tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që të mund ta zotëroni këtë vend të mirë dhe t’ia lini si trashëgimi bijve tuaj mbas jush, përjetë.
9 Ti Salomon, biri im njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji me gjithë zemër dhe me shpirt vullnetmirë, sepse Zoti heton të gjitha zemrat dhe kupton tërë qëllimet e mendimeve. Në rast se ti e kërkon, ai do të të lërë ta gjesh; por në rast se ti e braktis, ai do të të hedhë poshtë përjetë.
10 Tani ki parasysh që Zoti të ka zgjedhur për të ndërtuar një shtëpi si shenjtërore; tregohu i fortë dhe futju punës!".
10 Sipas hirit të Perëndisë që më është dhënë, si arkitekt i ditur, unë kam hedhur themelin dhe një tjetër ndërton mbi të; por secili të ketë kujdes se si ndërton mbi të,
11 sepse askush nuk mund të hedhë themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jezu Krishti.
12 Dhe, në qoftë se dikush ndërton mbi këtë themel ar, argjend, gurë të çmuar, dru, sanë, kashtë,
13 vepra e secilit do të shfaqet, sepse dita do ta tregojë; sepse do të zbulohet me anë të zjarrit, dhe zjarri do të provojë veprën e secilit e ç’lloji është.
14 Në qoftë se vepra që dikush ka ndërtuar mbi themelin qëndron, ai do të marrë një shpërblim,
15 në qoftë se vepra e tij digjet, ai do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet, si përmes zjarrit.
16 A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?
17 Në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë, sepse tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë.