Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
148 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.
2 Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.
3 Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.
4 Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.
5 Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.
6 Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.
7 Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane,
8 zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij,
9 mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra;
10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë;
11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;
12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.
13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.
14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.
5 Në Gabaon, Zoti i doli në ëndërr natën Salamonit. Perëndia i tha: "Kërko ç’të duash dhe unë do ta jap".
6 Salamoni u përgjigj: "Ti ke treguar një dashamirësi të madhe ndaj shërbëtorit tënd David, atit tim, sepse ai ecte para teje me besnikëri, me drejtësi dhe me zemër të pastër ndaj teje; ti ke vazhduar të shfaqësh ndaj tij këtë dashamirësi të madhe dhe i ke dhënë një bir që të ulet mbi fronin e tij, siç po ndodh sot.
7 Tani, o Zot, Perëndia im, ti ke bërë të mbretërojë shërbëtori yt në vend të Davidit, atit tim, por unë jam veçse një fëmijë dhe nuk di si të sillem.
8 Përveç kësaj shërbëtori yt është në mes të popullit që ti ke zgjedhur, një popull i madh, tepër i shumtë për t’u numëruar dhe llogaritur.
9 Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër të zgjuar, në mënyrë që të administrojë drejtësinë për popullin tënd dhe të dallojë të mirën nga e keqja. Kush në fakt mund të administrojë drejtësinë për popullin tënd kaq të madh?".
10 I pëlqeu Perëndisë që Salomoni bëri këtë kërkesë.
11 Atëherë Perëndia i tha: "Me qenë se kërkove këtë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as vdekjen e armiqve të tu, por ke kërkuar zgjuarsi për të kuptuar atë që është e drejtë,
12 ja, unë po bëj atë që ti ke kërkuar: po të jap një zemër të urtë dhe të zgjuar, sa nuk ka pasur asnjëri para teje dhe nuk ka për të dalë askush si ti mbas teje.
13 Po të jap edhe atë që nuk ke kërkuar: pasuri dhe lavdi, kështu që midis mbretërve nuk do të ketë asnjë si ti, për të gjitha ditët e jetës sate.
14 Në rast se ti ecën në rrugët e mia duke iu bindur statutet dhe urdhërimet e mia, ashtu si bëri Davidi, ati yt, unë kam për t’i zgjatur ditët e tua".
12 Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.”
13 Atëherë farisenjtë i thanë: “Ti dëshmon për vetveten; dëshmimi yt nuk është i vërtetë.”
14 Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Edhe pse dëshmoj për vetvete, dëshmimi im është i vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur e ku po shkoj; ju, përkundrazi, nuk e dini as nga vij dhe as ku po shkoj.
15 Ju gjykoni sipas mishit, unë nuk gjykoj asnjeri.
16 Por, edhe kur gjykoj, gjykimi im është i vërtetë, sepse unë nuk jam vetëm, por jam unë dhe Ati që më dërgoi.
17 Edhe në ligjin tuaj është shkruar se dëshmimi i dy njerëzve është i vërtetë.
18 Unë jam ai që dëshmoj për vetvete dhe Ati që më ka dërguar dëshmon për mua.”
19 Atëherë i thanë: “Ku është Ati yt?.” Jezusi u përgjigj: “Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim; po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim.”