Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Samuelit 7:1-11

Ndodhi që, kur mbreti u vendos në shtëpinë e tij dhe Zoti i siguroi paqe nga të gjithë armiqtë që e rrethonin,

mbreti i tha profetit Nathan: "Shiko, unë banoj në një shtëpi prej kedri, por arka e Perëndisë ndodhet poshtë një çadre".

Nathani iu përgjigj mbretit: "Shko, bëj gjithçka ke në zemër, sepse Zoti është me ty".

Por po atë natë fjala e Zotit iu drejtua Nathanit në këtë mënyrë:

"Shko t’i thuash shërbëtorit tim David: Kështu thotë Zoti: "A do të më ndërtosh një shtëpi, që unë të banoj në të?

Sepse nuk kam banuar në një shtëpi nga dita që kam nxjerrë bijtë e Izraelit nga Egjiptit e deri më sot, por kam bredhur nën një çadër dhe në një tabernakull.

Kudo që kam shkuar në mes të të gjithë bijve të Izraelit, a i kam folur vallë ndonjë fisi të cilin e kisha urdhëruar të ushqente popullin tim të Izraelit, duke i thënë: Pse nuk më ndërtoni një shtëpi prej kedri?".

Tani do t’i thuash kështu shërbëtorit tim David; Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Unë të mora nga vatha, ndërsa shkoje me dele, që ti të bëheshe udhëheqës i Izraelit, i popullit tim.

Kam qenë pranë teje kudo që ke shkuar, kam shfarosur tërë armiqtë e tu para teje dhe e bëra emrin tënd të madh si ai i të mëdhenjve që janë mbi dhe.

10 Do t’i caktoj një vend Izraelit, popullit tim, dhe do ta ngulit që ai të banojë në shtëpinë e tij dhe të mos e shqetësojë më, që njerëzit e këqinj të mos vazhdojnë ta shtypin si në të kaluarën,

11 nga dita që kam vendosur gjyqtarë mbi popullin tim të Izraelit. Do të të siguroj paqe nga tërë armiqtë e tu. Përveç kësaj Zoti të shpall se ka për të të ndërtuar një shtëpi.

2 i Samuelit 7:16

16 Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të bëhen të qendrueshme për gjithnjë para meje, dhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm për gjithnjë".

Luka 1:46-55

46 Dhe Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin,

47 dhe fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim,

48 sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume,

49 sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij!

50 Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë.

51 Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre;

52 i përmbysi pushtetarët nga fronat e tyre dhe i ngriti të përulurit;

53 i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit.

54 Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij,

55 ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, për gjithmonë.”

Psalmet 89:1-4

89 Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t’u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave.

Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë".

"Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë:

"Do t’i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat"". (Sela)

Psalmet 89:19-26

19 Ti i fole atëherë në vegim të dashurit tënd dhe the: "Ndihmova një të fuqishëm, përlëvdova një të zgjedhur nga populli.

20 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë.

21 Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë.

22 Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.

23 Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë.

24 Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm.

25 Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë.

26 Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit".

Romakëve 16:25-27

25 Dhe atij që mund t’ju forcojë juve sipas ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit, sipas zbulesës së misterit, të mbajtur fshehur prej kohësh të pasosur,

26 por tani u shfaq e u zbulua me anë të Shkrimeve të profetëve, sipas urdhërimit të Perëndisë të përjetshme dhe u njoh ndër të gjitha kombet, për t’i sjellë në dëgjesën e besimit,

27 Perëndisë, të vetmin të ditshëm, i qoftë lavdi në përjetësi me anë të Jezu Krishtit. Amen.

Luka 1:26-38

26 Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret,

27 te një e virgjër, që ishte e fejuar me një njeri që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria.

28 Dhe engëlli hyri te ajo dhe tha: “Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë.”

29 Por kur e pa atë, ajo mbeti e shqetësuar nga fjalët e tij, dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë.

30 Dhe engjëlli i tha: “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë.

31 Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vesh emrin Jezus.

32 Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij;

33 dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur.”

34 Dhe Maria i tha engjëllit: “Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?.”

35 Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë.

36 Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë,

37 sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme.”

38 Atëherë Maria tha: “Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate.” Dhe engjëlli u largua prej saj.