Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
78 Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime.
2 Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta.
3 Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar,
4 nuk do t’ua fshehim bijve të tyre, por do t’i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë.
5 Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t’ua bëjnë të njohura bijve të tyre,
6 me qëllim që brezi i ardhshëm t’i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t’ua tregojnë bijve të tyre,
7 dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij;
20 Pastaj Zoti i foli Jozueut, duke i thënë:
2 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: "Vendosuni në qytetet e strehimit, për të cilat ju fola me anë të Moisiut,
3 me qëllim që të mund të strehohet vrasësi që ka vrarë dikë pa dashje dhe pa paramendim; ato do të shërbejnë si vend strehimi për t’i shpëtuar hakmarrësit të gjakut.
4 Kur vrasësi do të ikë në një nga këto qytete, do të ndalet në hyrje të portës së qytetit dhe do t’ua parashtrojë rastin e tij pleqve të atij qyteti; këta do ta presin në qytetin e tyre, do t’i gjejnë vend dhe ai do të banojë me ta.
5 Në rast se hakmarrësi i gjakut do ta ndjekë, ata nuk do t’ia dorëzojnë vrasësin, sepse ai ka vrarë të afërmin e tij pa paramendim, pa e urryer më parë.
6 Vrasësi do të qëndrojë në atë qytet deri sa, me vdekjen e kryepriftit që do të jetë në funksion ato ditë, do të dalë në gjyq para asamblesë. Atëherë vrasësi mund të kthehet dhe të hyjë në qytetin e tij dhe në shtëpinë e tij, në qytetin nga i cili kishte ikur"".
7 Ata, pra, caktuan Kedeshin në Galile, në zonën malore të Neftalit, Sikemin në krahinën malore të Efraimit dhe Kiriath-Arbën (që është Hebroni), në krahinën malore të Judës.
8 Dhe matanë Jordanit, në lindje të Jerikos, caktuan Betserin në shkretëtirën e rrafshnaltës të fisit të Rubenit, Ramothin në Galaad të fisit të Gadit dhe Golanin në Bashan të fisit të Manasit.
9 Këto ishin qytetet që iu caktuan tërë bijve të Izraelit dhe të huajit që banonte midis tyre, në mënyrë që kushdo që kishte vrarë dikë pa dashje të mund të strehohej dhe të mos vritej nga hakmarrësi i gjakut, para se të dilte përpara asamblesë.
24 Tani kur Jezusi doli nga tempulli dhe po largohej, dishepujt e tij iu afruan për t’i treguar ndërtesat e tempullit.
2 Por Jezusi u tha atyre: “A nuk i shikoni ju të gjitha këto? Në të vërtetë po ju them se këtu nuk do të mbetet asnjë gur mbi gur që nuk do të rrënohet.”
3 Pastaj, kur ai u ul të rrinte në malin e Ullinjve, dishepujt e vet iu afruan mënjanë dhe i thanë: “Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?.”
4 Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: “Ruhuni se mos ju mashtron ndokush!
5 Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: "Unë jam Krishti" dhe do të mashtrojnë shumë njërëz.
6 Atëherë do të dëgjoni të flitet për lufta dhe për ushtima luftash; ruhuni të mos shqetësoheni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende mbarimi nuk do të ketë ardhur.
7 Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie; do të ketë zi buke, murtajë dhe tërmete në vende të ndryshme.
8 Por të gjitha këto gjëra do të jenë vetëm fillimi i dhembjeve të lindjes.
9 Atëherë do t’ju dorëzojnë në mundime dhe do t’ju vrasin; dhe të gjithë kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.
10 Atëherë shumë do të skandalizohen, do ta tradhëtojnë njeri tjetrin dhe do të urrejnë njeri tjetrin.
11 Dhe do të dalin shumë profetë të rremë, dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.
12 Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t’i ftohet dashuria;
13 por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet.
14 Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi.”