Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
149 Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.
2 Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.
3 Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,
4 sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.
5 Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.
6 Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;
7 për t’u hakmarrë me kombet dhe për t’u dhënë ndëshkime popujve,
8 për t’i lidhur mbretërit e tyre me zinxhirë dhe fisnikët e tyre me pranga hekuri,
9 për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.
11 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Unë do të sjell edhe një plagë tjetër mbi Faraonin dhe Egjiptin; pas kësaj ai do t’ju lejojë të ikni prej këtej. Kur do t’ju lejojë të shkoni, ai do t’ju dëbojë përfundimisht prej këtej.
2 Tani foli popullit në mënyrë që çdo burrë t’i kërkojë fqinjit të tij dhe çdo grua fqinjës së saj sende argjendi dhe ari".
3 Dhe Zoti e bëri popullin të ketë hir në sytë e Egjiptasve; edhe Moisiu gëzonte konsideratë të madhe në vendin e Egjiptit, në sytë e shërbëtorëve të Faraonit dhe në sytë e popullit.
4 Pastaj Moisiu tha: "Kështu thotë Zoti: "Aty nga mesnata, unë do të kaloj përmes Egjiptit;
5 dhe çdo i parëlindur në vendin e Egjiptit do të vdesë, nga i parëlinduri i Faraonit që rri mbi fron, tek i parëlinduri i shërbëtores që rri pas mokrës, si dhe pjellja e parë e bagëtisë.
6 Atëherë në vendin e Egjiptit do të ketë një britmë të madhe, që nuk është dëgjuar kurrë më parë dhe që nuk do të dëgjohet asnjëherë tjetër.
7 Por kundër asnjërit prej bijve të Izraelit, qofshin ata njerëz apo kafshë, asnjë qen s’ka për të lëvizur gjuhën, me qëllim që të dini se Zoti bën dallimin midis Egjiptasve dhe Izraelit.
8 Dhe tërë këta shërbëtorët e tu do të zbresin tek unë dhe do të përkulen para meje, duke thënë: "Nisu, ti dhe populli yt që të ndjek nga pas!". Mbas kësaj unë do të nisem"". Dhe Moisiu u largua nga Faraoni tërë zemërim.
9 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Faraoni nuk do t’jua vërë veshin, me qëllim që mrekullitë e mia të shumëzohen në vendin e Egjiptit".
10 Dhe Moisiu dhe Aaroni bënë tërë ato mrekulli para Faraonit; por Zoti e ngurtësoi zemrën e Faraonit dhe ky nuk i la bijtë e Izraelit të dalin nga vendi i tij.
29 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ndërtoni varrezat e profetëve dhe zbukuroni monumentet e të drejtëve,
30 dhe thoni: "Po të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve".
31 Duke folur kështu, ju dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bijtë e atyre që vranë profetët.
32 Ju e kaloni masën e etërve tuaj!
33 O gjarpërinj, o pjellë nëpërkash! Si do t’i shpëtoni gjykimit të Gehenas?
34 Prandaj, ja unë po ju dërgoj profetë, dijetarë dhe skribë; ju disa prej tyre do t’i vritni dhe do t’i kryqëzoni, disa të tjerë do t’i fshikulloni në sinagogat tuaja dhe do t’i persekutoni nga një qytet në tjetrin,
35 që të bjerë mbi ju gjithë gjaku i drejtë i derdhur mbi dhe, nga gjaku i të drejtit Abel, deri te gjaku i Zaharias, birit të Barakias, që ju e vratë ndërmjet tempullit dhe altarit.
36 Në të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brez.