Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
83 O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi!
2 Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën.
3 Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron.
4 Ata thonë: "Ejani t’i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më".
13 O Perëndia im, bëji njëlloj si pluhuri i vorbullës, si kashta në mëshirë të erës.
14 Ashtu si zjarri djeg pyllin dhe flaka gllabëron malet,
15 kështu ndiqi me furtunën tënde dhe trëmbi me uraganin tënd.
16 Mbulo fytyrat e tyre me turp, me qëllim që të kërkojnë emrin tënd, o Zot.
17 U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin;
18 dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun.
5 Pas kësaj, Moisiu dhe Aaroni shkuan te Faraoni dhe i thanë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Lëre popullin tim të shkojë, me qëllim që të kremtojë për mua një festë në shkretëtirë"".
2 Por Faraoni u përgjigj: "Kush është Zoti që unë duhet t’i bindem zërit të tij dhe ta lë Izraelin të shkojë? Unë nuk e njoh Zotin dhe nuk kam për ta lënë Izraelin të shkojë".
3 Atëherë ata i thanë: "Perëndia i Hebrenjve na doli përballë; tani na lër të ecim tri ditë me radhë në shkretëtirë që të bëjmë një flijim për Zotin, që është Perëndia ynë, që ai të mos na godasë me murtajë ose me shpatë".
4 Mbreti i Egjiptit u tha atyre: "Pse vallë Moisiu dhe Aaroni e largojnë popullin nga puna e tij? Kthehuni në mundimet tuaja!".
5 Faraoni tha përsëri: "Ja, tani populli i vendit është i shumtë, dhe ju doni që ai të ndërpresë mundimet e tij".
6 Kështu po atë ditë Faraoni i urdhëroi shtypësit e popullit dhe kryeintendentët e tij, duke thënë:
7 "Mos i jepni më kashtë popullit për të bërë tulla, si më parë; le të shkojnë ata vetë të mbledhin kashtën!
8 Por i detyroni të prodhojnë të njëjtën sasi tullash që bënin më parë, pa asnjë pakësim; sepse ata janë përtacë, dhe për këtë arsye ata bërtasin, duke thënë: "Të shkojmë të bëjmë fli për Perëndinë tonë!".
9 I mbingarkoni me punë të rëndë këta njerëz, dhe ata ta kryejnë pa u vënë veshin fjalëve mashtruese".
10 Atëherë shtypësit e popullit dhe kryeintendentët e tij dolën dhe i thanë popullit: "Kështu thotë Faraoni: "Unë nuk do t’ju jap më kashtë.
11 Shkoni vetë ta gjeni kashtën ku mund të jetë, sepse puna juaj nuk do të pakësohet aspak"".
12 Kështu populli u shpërnda në të gjithë vendin e Egjiptit, për të mbledhur kallamishte në vend të kashtës.
13 Dhe kontrollorët i nxisnin duke thënë: "Përfundoni punën tuaj çdo ditë si në kohën kur kishte kashtë!".
14 Dhe kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit, të caktuar mbi ta nga kontrollorët e Faraonit, i rrahën dhe i pyetën: "Pse nuk e keni përfunduar, dje dhe sot si më parë, sasinë e caktuar të tullave?".
15 Atëherë kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit erdhën për të protestuar te Faraoni, duke thënë: "Pse sillesh kështu me shërbëtorët e tu?
16 Nuk u jepet më kashtë shërbëtorëve të tu, dhe na thuhet: "Bëni tulla!". Dhe ja, shërbëtorët e tu i rrahin, por faji është i popullit tënd".
17 Atëherë ai u përgjigj: "Jeni përtacë, shumë përtacë! Për këtë arsye thoni: "Të bëjmë fli për Zotin".
18 Shkoni, pra, të punoni! Nuk do t’ju jepet kashtë, por do të dorëzoni po atë sasi tullash".
19 Kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit u bindën se i gjeti halli, sepse u thuhej: "Mos e pakësoni në asnjë mënyrë numrin e caktuar të tullave për çdo ditë".
20 Pastaj, si dolën nga Faraoni, takuan Moisiun dhe Aaronin, që po i prisnin,
21 dhe u thanë atyre: "Le t’i hedhë sytë Zoti mbi ju dhe le të gjykojë, sepse na keni bërë të urryer në sytë e Faraonit dhe në sytë e shërbëtorëve të tij duke vënë në duart e tyre shpatën për të na vrarë".
22 Atëherë Moisiu u kthye te Zoti dhe i tha: "O Perëndi, pse e fute në halle këtë popull? Pse pra më dërgove?
23 Sepse, qysh prej ditës që vajta te Faraoni, për t’i folur në emrin tënd, ai i ka bërë të keqe këtij populli dhe ti nuk e çlirove aspak popullin tënd".
6 Zoti i tha Moisiut: "Tani ke për të parë çfarë kam për t’i bërë Faraonit; sepse i detyruar nga një dorë e fuqishme ai do t’i lërë të shkojnë; po, i detyruar nga një dorë e fuqishme do t’i dëbojë nga vendi i tij".
2 Pastaj Zoti i foli Moisiut dhe i tha: "Unë jam Zoti,
3 dhe i jam shfaqur Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, si Perëndi i plotfuqishëm; por ata nuk më kishin njohur kurrë me emrin tim, Zot.
4 Kam caktuar gjithashtu besëlidhjen time me ta, duke u premtuar se do t’u jap vendin e Kanaanit, vendin ku qëndruan si të huaj.
5 Dëgjova edhe kujën e bijve të Izraelit që Egjiptasit i mbajnë në skllavëri dhe m’u kujtua besëlidhja ime.
6 Prandaj u thuaj bijve të Izraelit: "Unë jam Zoti; do t’ju heq nga punët e rënda që ju kanë imponuar Egjiptasit, do t’ju çliroj nga skllavërimi i tyre dhe do t’ju çliroj me krah të shtrirë dhe ndëshkime të mëdha.
7 Do t’ju marr si popullin tim, dhe do të jem Perëndia juaj; dhe ju do të mësoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju heq nga punët e rënda të imponuara nga Egjiptasit.
8 Dhe do t’ju bëj të hyni në vendin, që u betova t’i jap Abrahamit, Isakut dhe Jakobit; dhe do t’jua jap atë në trashëgimi. Unë jam Zoti"".
9 Kështu u foli Moisiu bijve të Izraelit; por ata nuk ia vunë veshin Moisiut, nga shkaku i ankthit dhe i skllavërise së rëndë.
10 Zoti i foli edhe më Moisiut, duke i thënë:
11 "Shko, foli Faraonit, mbretit të Egjiptit, që të lejojë bijtë e Izraelit të dalin nga vendi i tij".
12 Por Moisiu foli përpara Zotit dhe i tha: "Ja, bijtë e Izraelit nuk më dëgjuan; si mundet Faraoni të më dëgjojë mua, që jam i parrethprerë në buzë?".
13 Por Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit dhe i urdhëroi të shkonin te bijtë e Izraelit dhe te Faraoni mbret i Egjiptit, me qëllim që t’i nxirrnin bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit.
7 “Dhe engjëllit të kishës së Filadelfisë shkruaji: këtë thotë i Shenjti, i Vërteti, ai që ka çelësin e Davidit, ai që hap dhe askush nuk mbyll; dhe mbyll dhe askush nuk hap.
8 Unë njoh veprat e tua; ja, të vura përpara një dere të hapur që asnjëri nuk mund ta mbyllë; sepse ke pak forcë, dhe e ruajte fjalën time edhe nuk mohove emrin tim.
9 Ja, unë do të dorëzoj disa nga sinagoga e Satanit, që e quajnë veten Judenj, dhe nuk janë, por gënjejnë; ja, unë do t’i bëj të vijnë dhe të bien përmbys përpara këmbëve të tua, dhe do të njohin se unë të kam dashur.
10 Sepse e ruajte fjalën e durimit tim, edhe unë do të të ruaj ty nga ora e sprovës që do të vij mbi gjithë botën, për të provuar ata që banojnë mbi dhe.
11 Ja, unë vij shpejt; mbaje fort atë që ke, që të mos të marrë ndokush kurorën tënde.
12 Kush fiton do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë tim, dhe ai nuk do të dalë më përjashta; dhe do të shkruaj mbi të emrin e Perëndisë tim, dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jeruzalemit të ri, që zbret nga qielli nga Perëndia im, dhe emrin tim të ri.
13 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave.”