Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 68:1-10

68 Perëndia u çoftë dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, dhe ata që e urrejnë ikshin para tij.

Ti do t’i shpërndash ashtu si zhdavaritet tymi, ashtu si shkrihet dylli para zjarrit; kështu do të vdesin të pabesët përpara Perëndisë.

Por të drejtët do të gëzohen, do të ngazëllohen përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me këngë gëzimi.

Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij; pregatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; emri i tij është Zoti; ngazëlloni para tij.

Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave.

Perëndia bën që i vetmuari të banojë në një familje, çliron të burgosurit dhe siguron begatinë; por rebelët mbeten në tokë të djegur.

O Perëndi, kur dole përpara popullit tënd, kur marshove nëpër shkretëtirë. (Sela)

toka u drodh; edhe qiejtë lëshuan ujë në prani të Perëndisë, vetë Sinai u drodh në prani të Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.

Ti ke derdhur një shi të bollshëm, o Perëndi, dhe i ke dhënë përsëri fuqi trashëgimisë sate.

10 Kopeja jote gjeti një banesë dhe në mirësinë tënde, o Perëndi, je kujdesur për të varfërit.

Psalmet 68:19-20

19 I bekuar qoftë Zoti, që për ditë mbart barrat tona; ai është Perëndia i shpëtimit tonë. (Sela)

20 Perëndia është për ne Perëndia që çliron, dhe Zotit, Zotit, i përket çlirimi nga vdekja.

Jobi 22:1-20

22 Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:

"A mundet vallë njeriu t’i sigurojë ndonjë përfitim Perëndisë? Me siguri i urti i sjell të mirë vetvetes.

Çfarë kënaqësie ka prej saj i Plotfuqishmi, në rast se ti je i drejtë, ose çfarë përfitimi ka në qoftë se ti ke një sjellje të ndershme?

Mos vallë nga frika që ka prej teje ai ndëshkon dhe hyn në gjyq me ty?

Apo ka gjasë më shumë se kjo ka si shkak ligësinë tënde të madhe dhe fajet e tua të shumta?

Pa arsye në fakt ti merrje pengje nga vëllezërit e tu dhe i zhvishje të zhveshurit nga rrobat e tyre.

Nuk i jepje ujë të lodhurit dhe i refuzoje bukën të uriturit.

Toka i përkiste njeriut të fuqishëm dhe banonte në të njeriu i nderuar.

E ktheje gruan e ve me duar bosh, dhe krahët e jetimëve ishin të këputur.

10 Ja pse je rrethuar kudo nga leqe dhe drithma të papritura të turbullojnë,

11 ose një errësirë nuk të lejon të shikosh dhe një vërshim uji të përmbyt.

12 A nuk është Perëndia lart në qiejt? Shiko yjet e larta, sa lart ndodhen!

13 Dhe ti thua: "Çfarë di Perëndia? A mund të gjykojë nëpërmjet territ të dendur?

14 Re të dendura e mbulojnë dhe kështu nuk mund të shikojë, dhe shëtit mbi kupën e qiejve".

15 A dëshiron ti të ndjekësh rrugën e lashtë të përshkruar prej kohe nga njerëzit e këqij,

16 që e çuan larg para kohe, dhe themelin e të cilëve e mori një lum që vërshonte?

17 Ata i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne! Çfarë mund të na bëjë i Plotfuqishmi?".

18 Megjithatë Perëndia ua kishte mbushur shtëpitë me të mira. Por unë u rri larg këshillave të të pabesëve.

19 Të drejtët e shohin këtë dhe gëzohen, dhe i pafajmi tallet me ta;

20 po, me siguri, armiqtë tanë po shkatërrohen, dhe zjarri po përpin atë që mbetet.

Galatasve 2:1-10

Pastaj, pas katërmbëdhjetë vjetësh, u ngjita përsëri në Jeruzalem me Barnabën; dhe mora me vete edhe Titin.

Dhe u ngjita sipas një zbulese dhe u shtjellova atyre ungjillin që unë po predikoj ndër johebrenjtë, por në mënyrë të veçantë, atyre që kishin më shumë emër, që të mos bridhja ose vrapoja më kot.

Por as Titi që ishte me mua, ndonëse ishte Grek, nuk qe shtrënguar që të rrethpritej;

edhe kjo për shkak të vëllezërve të rremë, që kishin hyrë tinëz, që kishin depërtuar për të përgjuar lirinë tonë që kemi në Krishtin Jezu, që të na robërojnë.

Këtyre ne nuk iu nënshtruam as edhe për një moment, që e vërteta e ungjillit të mbetej e pacënuar te ju.

Por nga ana e atyre që gëzonin një farë kredie (nuk ka rëndësi se kush ishin, Perëndia nuk shikon dukjen e njeriut), pra, ata që gëzonin kredinë më të madhe nuk shtuan gjë tek unë.

Madje, duke parë se mua m’u besua ungjilli për të parrethprerët, sikurse Pjetrit ai për të rrethprerët,

(sepse ai që kishte vepruar në mënyrë të fuqishme në Pjetrin për apostullim tek të rrethprerëve, kishte vepruar në mënyrë të fuqishme edhe në mua për johebrenjtë),

duke njohur hirin që m’u dha, Jakobi, Kefa dhe Gjoni, të cilët i konsideronin shtylla, më dhanë mua dhe Barnabës të djathtat e tyre si shenjë shoqërie, që të shkonim ne ndër johebrenjtë dhe ata ndër të rrethprerë.

10 Vetëm na porositën që të kujtoheshim për të varfrit, pikërisht atë që edhe unë e kisha ndërmend ta bëja.