Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
104 Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.
2 Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejtë si një çadër;
3 ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës.
4 I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij.
5 Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë.
6 Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet.
7 Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim.
8 Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to.
9 Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërxenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën.
10 Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve,
11 dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre.
12 Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre.
13 Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua.
14 Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij,
15 dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut.
16 Kështu ngopen drurët e Zotit dhe kedrat e Libanit që ai ka mbjellë;
17 aty bëjnë folenë e tyre zogjtë, ndërsa lejleku bën nëpër selvitë banesën e tij.
18 Malet e larta janë për dhitë e egra, shkëmbinjtë janë streha e lepujve.
19 Ai ka bërë hënën për stinët, dielli e di orën e perëndimit të tij.
20 Ti dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit.
21 Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre.
22 Por, kur lind dielli, ata tërhiqen dhe rrinë në strofkat e tyre.
23 Atëherë njeriu del për të punuar dhe punon deri në mbrëmje.
24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.
25 Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta;
26 e përshkojnë anijet dhe Leviathani, që ti ke formuar për t’u tallur në të.
27 Të gjithë presin që ti t’u japësh ushqimin në kohën e duhur.
28 Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira.
29 Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre.
30 Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut.
31 Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij;
32 ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym.
33 Unë do t’i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t’i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem.
34 Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti.
35 Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja.
32 "Dëgjoni, o qiej, dhe unë do të flas; dhe dëgjo, o tokë, fjalët e gojës sime.
2 Mësimi im do të zbresë si shiu, fjala ime do të pikojë si vesa, si shiu i imët mbi barin e njomë dhe si një rrebesh mbi drurët e vegjël,
3 sepse unë shpall emrin e Zotit. Lëvdoni Perëndinë tonë!
4 Ai është Shkëmbi, vepra e tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Éshtë një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë.
5 Por ata janë korruptuar; nuk janë bij të tij, për shkak të fajit të tyre, janë një brez i shtrëmbër dhe i degjeneruar.
6 Kështu doni ta shpërbleni Zotin, o popull i pamend dhe i marrë? A nuk është ai ati yt që të ka blerë? A nuk është ai që të ka bërë dhe të ka vendosur?
7 Kujto ditët e lashtësisë, ki parasysh vitet e shumë kohërave të shkuara, pyet atin tënd, dhe ai do të ta tregojë, pyet pleqtë e tu dhe ata do të ta thonë.
8 Kur Shumë i Larti u dha kombeve trashëgiminë e tyre, kur ndau bijtë e Adamit, ai përcaktoi kufijtë e popujve, në bazë të numrit të bijve të Izraelit.
9 Me qenë se pjesa e Zotit është populli i tij, Jakobi është pjesa e trashëgimisë së tij.
10 Ai e gjeti në një tokë të shkretë, në një vetmi të helmuar dhe të mjerë. Ai e rrethoi, u kujdes për të dhe e ruajti si bebja e syrit të tij.
11 Ashtu si një shqiponjë nxit zogjtë e saj, fluturon mbi të vegjëlit e saj, shtrin krahët e saj, i merr dhe i mbart mbi krahët e saj,
12 Zoti e drejtoi vetë, dhe asnjë perëndi e huaj nuk ishte me të.
13 Ai e bëri të ngasë me kalë mbi lartësitë e tokës, me qëllim që të hante prodhimin e fushave; e bëri të thithë mjaltin nga shkëmbi dhe vajin nga shkëmbi i strallit,
14 ajkën e lopëve dhe qumështin e deleve me gjithë yndyrën e qengjave, deshtë e Bashanit dhe cjeptë me majën e miellit të grurit; dhe ti ke pirë verën, gjakun e rrushit.
32 Dhe tani sillni ndërmend ditët e mëparshme, në të cilat, pasi u ndriçuat, keni duruar një luftë të madhe vuajtjesh,
33 herë duke u bërë objekt fyerjesh dhe mundimesh, herë duke u solidarizuar me ata që trajtoheshin në këtë mënyrë.
34 Sepse treguat dhembje për mua në prangat e mia dhe keni pranuar me gëzim t’ju zhveshin nga pasuria juaj, duke ditur se keni për veten tuaj një pasuri më të mirë e të qëndrueshme në qiej.
35 Mos e hidhni tej guximin tuaj, që do të ketë një shpërblim të madh.
36 Sepse ju keni nevojë për ngulm që mbasi, të bëni vullnetin e Perëndisë, të merrni gjërat e premtuara.
37 “Edhe fort pak kohë, edhe ai që duhet të vijë do të vijë dhe nuk do të vonojë.
38 Dhe i drejti do të jetojë prej besimit; por ne qoftë se ndokush tërhiqet prapa, shpirti im nuk do të gjejë pëlqim në të.”
39 Por ne nuk jemi nga ata që tërhiqen prapa për humbje, por nga ata që besojnë në shpëtimin e shpirtit.