Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Isaia 43:18-25

18 "Mos kujtoni më gjërat e kaluara, mos shqyrtoni më gjërat e lashta.

19 Ja, unë po bëj një gjë të re; ajo do të lëshojë degë; nuk do ta njihni ju? Po, do të hap një rrugë nëpër shkretëtirë, do të bëj që lumenjtë të rrjedhin në vendet e vetmuara.

20 Kafshët e fushave, çakajtë dhe strucat do të më përlëvdojnë, sepse do t’i jap ujë shkretëtirës dhe lumenj vendit të vetmuar për t’i dhënë të pijë popullit tim, të zgjedhurit tim.

21 Populli që kam formuar për vetë do të shpallë lëvdimet e mia.

22 Por ti nuk më ke kërkuar, o Jakob, përkundrazi je lodhur me mua, o Izrael!

23 Nuk më ke sjellë qengjin e olokausteve të tua dhe nuk më ke nderuar me flijimet e tua; nuk të kam detyruar të më shërbesh me oferta ushqimesh, as nuk të kam lodhur duke kërkuar temjan.

24 Nuk më ke blerë me para kanellën dhe nuk më ke ngopur me dhjamin e flijimeve të tua. Përkundrazi më ke rënduar me mëkatet e tua, më ke lodhur me paudhësitë e tua.

25 Unë, pikërisht unë, jam ai që për hir të vetuetes fshij shkeljet e tua dhe nuk do t’i mbaj mend mëkatet e tua.

Psalmet 41

41 Lum ai që kujdeset për të varfërin; Zoti do ta çlirojë ditën e fatkeqësisë.

Zoti do ta ruajë dhe do ta mbajë të gjallë; ai do të jetë i lumtur mbi tokë dhe ti nuk do ta lësh në duart e armiqve të tij.

Zoti do ta ndihmojë në shtratin e sëmundjes; gjatë sëmundjes së tij, o Zot, ti do ta transformosh plotësisht shtratin e tij.

Unë kam thënë: "O Zot, ki mëshirë për mua, ma shëro shpirtin, sepse kam mëkatuar kundër teje".

Armiqtë e mi ndjellin të keqen, duke thënë: "Kur do të vdesë dhe kur do të zhduket emri i tij?".

Në rast se dikush prej tyre vjen të më shikojë, gënjen, ndërsa zemra e tij mbledh paudhësi; pastaj del jashtë dhe e përhap rreth e rrotull.

Të gjithë ata që më urrejnë, pëshpëritin bashkë kundër meje; kundër meje kurdisin të keqen,

duke thënë: "Një e keqe e tmerrshme e ka zënë dhe ai nuk do të ngrihet kurrë më nga vendi ku dergjet".

Madje edhe miku im i ngushtë, tek i cili kisha besim dhe që hante bukën time, ka ngritur kundër meje thembrën e tij.

10 Por ti, o Zot, ki mëshirë për mua dhe më ço në këmbë që të mund t’ua shpaguaj.

11 Nga kjo e di që ti më pëlqen, në rast se armiku im nuk triumfon mbi mua.

12 Sa për mua, më ke përkrahur në ndershmërinë time dhe më ke vendosur në praninë tënde për gjithnjë.

13 Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, përjetë. Amen, amen.

2 e Korintasve 1:18-22

18 Por Perëndia është besnik; fjala jonë ndaj jush nuk ka qenë po dhe jo.

19 Sepse Biri i Perëndisë, Jezu Krisht, që u predikua ndër ju nga ne, pra, nga unë, nga Silvani dhe nga Timoteu, nuk ka qenë "po" dhe "jo," por ka qenë poo" në atë.

20 Sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë "po" dhe në atë amen,," për lavdi të Perëndisë nëpërmjet nesh.

21 Edhe ai që na themelon neve bashkë me ju në Krishtin dhe na vajosi është Perëndia,

22 i cili edhe na vulosi dhe na dha kaparin e Frymës në zemrat tona.

Marku 2:1-12

Pas disa ditësh, ai erdhi përsëri në Kapernaum dhe u muar vesh se ai gjendej në shtëpi;

dhe menjëherë u mblodhën aq shumë njerëz, sa nuk gjeje më vend as përpara derës; dhe ai u predikonte Fjalën.

Atëhërë i erdhën disa që i paraqitën një të paralizuar, që po e bartnin katër vetë.

Por, duke qenë se nuk mund t’i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari.

Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: “O bir, mëkatet e tua të janë falur!.”

Por aty po rrinin ulur disa shkribë, të cilët, në zemër të vet, po mendonin:

“Pse vallë ky po flet blasfemi. Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë vetë?.”

Por Jezusi, i cili menjëherë kuptoi në frymën e vet se ata po i mendonin këto gjëra në veten e tyre, u tha atyre: “Pse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja?

Çfarë është më lehtë: t’i thuash të paralizuarit: "Mëkatet e tua të janë falur," apo t’i thuash: "Çohu, merre vigun tënd dhe ec"?

10 Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatët mbi dhe,

11 unë po të them (i tha të paralizuarit): Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!".”

12 Dhe ai u ngrit menjëherë, mori vigun e vet dhe doli përjashta në praninë e të gjithëve dhe kështu të gjithë u habitën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: “Një gjë të tillë s’e kemi parë kurrë!.”