Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
41 Lum ai që kujdeset për të varfërin; Zoti do ta çlirojë ditën e fatkeqësisë.
2 Zoti do ta ruajë dhe do ta mbajë të gjallë; ai do të jetë i lumtur mbi tokë dhe ti nuk do ta lësh në duart e armiqve të tij.
3 Zoti do ta ndihmojë në shtratin e sëmundjes; gjatë sëmundjes së tij, o Zot, ti do ta transformosh plotësisht shtratin e tij.
4 Unë kam thënë: "O Zot, ki mëshirë për mua, ma shëro shpirtin, sepse kam mëkatuar kundër teje".
5 Armiqtë e mi ndjellin të keqen, duke thënë: "Kur do të vdesë dhe kur do të zhduket emri i tij?".
6 Në rast se dikush prej tyre vjen të më shikojë, gënjen, ndërsa zemra e tij mbledh paudhësi; pastaj del jashtë dhe e përhap rreth e rrotull.
7 Të gjithë ata që më urrejnë, pëshpëritin bashkë kundër meje; kundër meje kurdisin të keqen,
8 duke thënë: "Një e keqe e tmerrshme e ka zënë dhe ai nuk do të ngrihet kurrë më nga vendi ku dergjet".
9 Madje edhe miku im i ngushtë, tek i cili kisha besim dhe që hante bukën time, ka ngritur kundër meje thembrën e tij.
10 Por ti, o Zot, ki mëshirë për mua dhe më ço në këmbë që të mund t’ua shpaguaj.
11 Nga kjo e di që ti më pëlqen, në rast se armiku im nuk triumfon mbi mua.
12 Sa për mua, më ke përkrahur në ndershmërinë time dhe më ke vendosur në praninë tënde për gjithnjë.
13 Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, përjetë. Amen, amen.
39 Në atë kohë Merodak-Baladani, bir i Baladanit, mbre ti Babilonisë, i dërgoi letra dhe një dhuratë Ezekias, sepse kishte dëgjuar që ai kishte qenë i sëmurë dhe ishte shëruar.
2 Ezekia u gëzua dhe u tregoi të dërguarve shtëpinë e thesaret të tij, argjendin, arin, aromat, melhemin e çmuar, tërë arsenalin e tij dhe të gjitha ato që ndodheshin në thesaret e tij; nuk mbeti asgjë nga pallati i tij dhe nga e gjithë mbretëria që Ezekia nuk ua tregoi atyre.
3 Atëherë profeti Isaia erdhi te mbreti Ezekia dhe i tha: "Çfarë thanë ata njerëz dhe nga kanë ardhur te ti?". Ezekia u përgjigj: "Kanë ardhur tek unë nga një vend i largët, nga Babilonia".
4 Isaia pyeti akoma: "Çfarë panë në pallatin tënd?". Ezekia u përgjigj: Panë gjithçka që ndodhet në pallatin tim; nuk mbeti asgjë nga thesaret ee mia që nuk ua tregova atyre.
5 Atëherë Isaia i tha Ezekias: "Dëgjo fjalën e Zotit të ushtrive:
6 Ja, do të vijnë ditë në të cilat gjithçka që ndodhet në pallatin tënd dhe ato që etërit e tu kanë grumbulluar deri më sot do të mbarten në Babiloni; nuk do të mbetet asgjë, thotë Zoti.
7 Do të marrin gjithashtu bijtë që kanë dalë prej teje dhe që janë lindur nga ti, do t’i bëjnë eunukë në pallatin e mbretit të Babilonisë".
8 Ezekia i tha pastaj Isaias: "Fjala e Zotit që ti shqiptove është e mirë". Pastaj shtoi: "Do të ketë të paktën paqe dhe siguri gjatë jetës sime".
38 Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të.
39 Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t’u shërbejë.
40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre.
41 Prej shumë vetëve dilnin demonë që bërtitnin dhe thoshnin: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë.” Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.