Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
5 Naamani, komandant i ushtrisë së mbretit të Sirisë, ishte një njeri i madh dhe shumë i çmuar në sytë e zotit të tij, sepse nëpërmjet tij Zoti i kishte dhënë fitoren Sirisë; por ky njeri i madh dhe trim ishte lebroz.
2 Disa banda të Sirisë gjatë një sulmi për plaçkitje kishin marrë me vete nga vendi i Izraelit, si robinjë, një vajzë të vogël që kishte përfunduar si shërbëtore e gruas së Naamanit.
3 Ajo i tha zonjës së saj: "Po të mundte të shkonte zoti im te profeti që është në Samari, me siguri ky do ta shëronte nga lebra".
4 Kështu Naamani shkoi tek zoti e tij dhe ia tregoi çështjen, duke thënë: Vajza nga vendi i Izraelit ka thënë kështu e kështuu".
5 Atëherë mbreti i Sirisë tha: "Shko, pra, unë do t’i dërgoj një letër mbretit të Izraelit". Ai, pra, u nis duke marrë me vete dhjetë talente argjendi, gjashtë mijë sikla ari dhe dhjetë palë ndërresash.
6 I çoi mbretit të Izraelit gjithashtu letrën, në të cilën thuhej: "Kur të të arrijë kjo letër, dije që po të dërgoj shërbëtorin tim Naaman, që ta shërosh nga lebra".
7 Mbasi lexoi letrën, mbreti i Izraelit grisi rrobat e tij dhe tha: "A jam unë Perëndia, i pajisur me fuqinë të të shkaktojë vdekjen dhe ngjalljen, që ai më dërgon një njeri për ta shëruar nga lebra? Prandaj shikoni, që ai tani kërkon pretekse kundër meje".
8 Kur Eliseu, njeriu i Perëndisë, mësoi që mbreti i Izraelit kishte grisur rrobat e tij, dërgoi t’i thotë mbretit: "Pse i grise rrobat? Le të vijë ai njeri tek unë dhe do të mësojë që ka një profet në Izrael".
9 Kështu Naamani erdhi me kuajt dhe me qerret e tij dhe u ndal te porta e shtëpisë së Eliseut.
10 Atëherë Eliseu i dërgoi një lajmëtar për t’i thënë: "Shko të lahesh shtatë herë në Jordan dhe mishi yt do të kthehet si më parë dhe do të jesh i pastër".
11 Por Naamani u zemërua dhe iku, duke thënë: "Ja, unë mendoja: "Ai ka për të dalë me siguri përballë meje, do të ndalet, do të përmëndë emrin e Zotit, Perëndisë së tij, do të lëvizë dorën mbi pjesët e sëmura dhe do të më shërojë nga lebra".
12 Lumenjtë e Damaskut, Abanahu dhe Farpari, a nuk janë më të mirë se tërë ujërat e Izraelit? Nuk mund të lahesha në to dhe të bëhem i pastër?". Kështu u kthye dhe iku tërë inat.
13 Por shërbëtorët e tij iu afruan dhe i folën, duke i thënë: "Ati ynë, në qoftë se profeti do të kishte urdhëruar një gjë të madhe, ti a do ta kishe bërë? Aq më tepër tani që të ka thënë: "Lahu dhe do të pastrohesh"?".
14 Atëherë ai zbriti dhe u zhyt shtatë herë në Jordan, sipas fjalës së njeriut të Perëndisë, mishi i tij u bë si mishi i një fëmije të vogël dhe ai pastrua.
30 Do të të lëvdoj, o Zot, sepse ti më ngrite lart, dhe nuk i lejove armiqtë e mi të tallen me mua.
2 O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.
3 O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë.
4 I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij,
5 sepse zemërimi im mban vetëm një çast, por mirësia e tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.
6 Kur kisha bollëk thoja: "Unë nuk do të prekem kurrë".
7 O Zot, për hirin tënd e kishe fortësuar malin tim, ti e fshehe fytyrën tënde, dhe unë mbeta i trembur.
8 Unë të klitha ty, o Zot, iu luta fort Zotit,
9 duke thënë: "Çfarë dobie do të kesh nga gjaku im po të jetë se zbres në gropë? A mundet pluhuri të të kremtojë? A mundet ai të shpallë të vërtetën tënde?
10 Dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, o Zot, bëhu ti ndihma ime".
11 Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim,
12 me qëllim që shpirti im të mund të të këndojë lavdi pa pushim. O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë.
24 A nuk e dini se ata që vrapojnë në pistë, vërtetë vrapojnë të gjithë, por vetëm një e fiton çmimin? Vraponi në mënyrë që ta merrni.
25 Dhe kushdo që merr pjesë në garë kontrollon veten në të gjitha; dhe ata e bëjnë këtë për të marrë një kurorë që prishet, kurse ne për një kurorë që nuk prishet.
26 Unë, pra, vrapoj, por jo sikur jam i pasigurt; kështu luftoj, por jo sikur rrah erën;
27 madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar.
40 Dhe erdhi tek ai një lebroz i cili, duke iu lutur, ra në gjunj dhe i tha: “Po të duash, ti mund të më pastrosh.”
41 Dhe Jezusi, duke e mëshiruar, shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Po, e dua, qofsh pastruar!.”
42 Dhe, posa tha këto, menjëherë lebra e la dhe u shërua.
43 Pastaj, mbasi e paralajmëroi rreptësisht, menjëherë e largoi,
44 duke i thënë: “Ruhu se i tregon gjë ndokujt, por shko, paraqitu te prifti dhe ofro për pastrimin tënd sa ka urdhëruar Moisiu, si dëshmi për ta.”
45 Por ai, sapo doli, filloi ta shpallë dhe ta përhapë fort faktin, sa që Jezusi nuk mund të hynte më publikisht në qytet, por qëndronte përjashta nëpër vende të vetmuara; dhe nga çdo anë vinin tek ai.