Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
30 Do të të lëvdoj, o Zot, sepse ti më ngrite lart, dhe nuk i lejove armiqtë e mi të tallen me mua.
2 O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.
3 O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë.
4 I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij,
5 sepse zemërimi im mban vetëm një çast, por mirësia e tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.
6 Kur kisha bollëk thoja: "Unë nuk do të prekem kurrë".
7 O Zot, për hirin tënd e kishe fortësuar malin tim, ti e fshehe fytyrën tënde, dhe unë mbeta i trembur.
8 Unë të klitha ty, o Zot, iu luta fort Zotit,
9 duke thënë: "Çfarë dobie do të kesh nga gjaku im po të jetë se zbres në gropë? A mundet pluhuri të të kremtojë? A mundet ai të shpallë të vërtetën tënde?
10 Dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, o Zot, bëhu ti ndihma ime".
11 Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim,
12 me qëllim që shpirti im të mund të të këndojë lavdi pa pushim. O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë.
13 Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke thënë:
2 "Kur një njeri ka mbi lëkurën e trupit të tij një ënjtje apo një kore ose një njollë të shndritshme, dhe bëhet mbi lëkurën e trupit të tij një shenjë e plagës së lebrës, ai do t’i çohet priftit Aaron apo njërit prej bijve të tij priftërinj.
3 Prifti do të shqyrtojë plagën mbi lëkurën e trupit; në qoftë se qimja e plagës është bërë e bardhë dhe plaga duket më e thellë se lëkura e trupit, kemi të bëjmë me plagë të lebrës; prifti, pasi ta shqyrtojë, do ta shpallë të papastër atë njeri.
4 Por në qoftë se njolla e shndritshme mbi lëkurën e trupit është e bardhë dhe nuk duket se është më e thellë se lëkura, dhe qimja e saj nuk është bërë e bardhë, prifti do ta izolojë për shtatë ditë atë që ka plagën.
5 Ditën e shtatë, prifti do ta ekzaminojë përsëri; dhe në qoftë se plaga duket se është ndalur dhe nuk është përhapur mbi lëkurë, prifti do ta izolojë edhe shtatë ditë të tjera.
6 Prifti do ta shqyrtojë përsëri ditën e shtatë; dhe, po të shikojë që plaga është zvogëluar dhe nuk është përhapur mbi lëkurë, prifti do ta shpallë të pastër: ishte vetëm një puçërr me qelb. Ai do të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i pastër.
7 Por në rast se puçrra është zgjeruar mbi lëkurën pasi ai iu paraqit priftit për t’u shpallur i pastër, ai do të kontrollohet përsëri nga prifti;
8 prifti do ta kontrollojë; dhe në rast se shikon që puçrra është zgjeruar mbi lëkurë, prifti do ta shpallë atë të papastër; është lebër.
9 Kur te një njeri shfaqet një plagë e lebrës, ai do t’i çohet priftit.
10 Prifti do ta ekzaminojë; dhe në qoftë se ënjtja mbi lëkurë është e bardhë dhe e ka zbardhur qimen, dhe në ënjtje ka pak mish të gjallë,
11 kemi një lebër kronike mbi lëkurën e trupit të tij dhe prifti do ta shpallë atë të papastër; nuk do ta izolojë, sepse është i papastër.
12 Por në qoftë se lebra përhapet edhe më mbi lëkurë në mënyrë që të mbulojë tërë lëkurën e atij që ka plagën, nga koka deri te këmbët, kudo që shikon prifti,
13 prifti do ta kontrollojë; dhe në qoftë se lebra ka mbuluar tërë trupin e tij, do ta shpallë të pastër atë që ka plagën; është bërë i tëri i bardhë, pra, është i pastër.
14 Por ditën që do të dalë mbi të mish i gjallë, ai do të shpallet i papastër.
15 Kur prifti ka për të parë mishin e gjallë, do ta shpallë atë të papastër; mishi i gjallë është i papastër; është lebër.
16 Por në rast se mishi i gjallë ndryshon përsëri dhe bëhet i bardhë, ai duhet të shkojë te prifti;
17 dhe prifti do ta kontrollojë; dhe në qoftë se plaga është bërë e bardhë, prifti do të shpallë të pastër atë që ka plagën; ai është i pastër.
7 Në qoftë se ju do ta duroni qortimin, Perëndia do t’ju trajtojë si bij; sepse cilin bir nuk e korigjon i ati?
8 Por, po të mbeteni të pandrequr, ku të gjithë u bënë pjestarë, atëherë jeni kopila dhe jo bij.
9 Pastaj etërit tanë sipas mishit i patëm për të na ndrequr dhe i nderonim ata; a nuk do t’i nënshtrohemi edhe më tepër Atit të shpirtrave, për të jetuar?
10 Sepse ata na ndreqën për pak ditë, ashtu siç u dukej më mirë, kurse ai na ndreq për të mirën tonë që të bëhemi pjestarë të shenjtërisë së tij.
11 Çdo ndreqje, pra, aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij.
12 Prandaj forconi duart e kapitura dhe gjunjët e këputur,
13 dhe bëni shtigje të drejta për këmbët tuaja, që ajo e cila çalon të mos ndrydhet, por më tepër të shërohet.