Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 124

124 Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, le të thotë Izraeli:

"Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, kur njerëzit u ngritën kundër nesh,

ata do të na kishin përpirë të gjallë, aq shumë shpërtheu zëmërimi i tyre kundër nesh;

atëherë ujërat do të na kishin mbuluar dhe përroi do të kishte kaluar mbi ne,

atëherë ujërat e fryra do të kishin kaluar mbi ne".

Bekuar qoftë Zoti, që nuk na la si pre të dhëmbëve të tyre.

Shpirti ynë shpëtoi si zogu nga laku i gjuetarit; laku u këput dhe ne shpëtuam.

Ndihma jonë është te emri i Zotit, që ka krijuar qiejtë dhe tokën.

Zanafilla 49

49 Pastaj Jakobi thirri bijtë e tij dhe tha: "Mblidhuni që unë t’ju njoftoj çfarë do t’ju ndodhë në ditët e ardhshme.

Mblidhuni dhe dëgjoni, o bijtë e Jakobit! Dëgjoni Izraelin, atin tuaj!

Ruben, ti je i parëlinduri im, forca ime, filli i fuqisë sime, i dalluar për dinjitet dhe për forcë.

I rrëmbyer si uji, ti nuk do të kesh epërsinë, sepse hipe mbi shtratin e atit tënd dhe e përdhose. Ai hipi mbi shtratin tim.

Simeoni dhe Levi janë vëllezër: shpatat e tyre janë vegla dhune.

Mos hyftë shpirti im në mendjen e tyre, lavdia ime mos u bashkoftë me kuvendin e tyre! Sepse në mërinë e tyre kanë vrarë njerëz, në kryeneçësinë e tyre u kanë prerë leqet e këmbëve demave.

Mallkuar qoftë mëria e tyre, sepse ka qënë e egër, dhe tërbimi i tyre sepse ka qënë mizor! Unë do t’i ndaj te Jakobi dhe do t’i shpërndaj te Izraeli.

Judë, vëllezërit e tu do të të lavdërojnë; dora jote do të jetë mbi zverkun e armiqve të tu; bijtë e atit tënd do të përkulen para teje.

Juda është një luan i ri; ti zë fill nga preja, biri im; ai përkulet, struket si një luan, si një luaneshë; kush guxon ta zgjojë?

10 Skeptri nuk do t’i hiqet Judës, as bastuni i komandimit nga këmbët e tij, deri sa të vijë Shilohu; dhe atij do t’i binden popujt.

11 Ai e lidh gomarin e tij të vogël në pjergull dhe kërriçin e gomaricës së tij në pjergullën më të mirë; i lan rrobat e tij në verë dhe mantelin e tij në gjakun e rrushit.

12 Ai i ka sytë të ndritura nga vera dhe dhëmbët e bardha nga qumështi.

13 Zabuloni do të banojë në breg të deteve; dhe do të përbëjë një vendstrehim për anijet; kufiri i tij do të zgjatet drejt Sidonit.

14 Isakari është një gomar i fuqishëm, i shtrirë nëpër vathë.

15 Ai e pa që çlodhja është e mirë dhe që vendi është i këndshëm; ai përkuli kurrizin për të mbajtur peshën dhe u bë një shërbëtor i punës së detyruar.

16 Dani do ta gjykojë popullin e tij, si një nga fiset e Izraelit.

17 Dani do të jetë një gjarpër në rrugë, një nepërkë nëpër shteg, që kafshon thembrat e kalit, kështu që kalorësi rrëzohet së prapthi.

18 Unë pres shpëtimin tënd, o Zot!

19 Një bandë grabitësish do të sulmojë Gadin, por edhe ai do t’i sulmojë këmba këmbës.

20 Nga Asheri do të vijë buka e shijshme dhe ai do të japë kënaqësira reale.

21 Neftali është një drenushe e lënë e lirë, ai thotë fjalë të bukura.

22 Jozefi është një degë e një druri frytdhënës; një degë e një druri frytdhënës që ndodhet pranë një burimi; degët e tij shtrihen mbi murin.

23 Harkëtarët e kanë provokuar, i kanë hedhur shigjeta, e kanë ndjekur;

24 por harku i tij ka mbetur i fortë; krahët e tij janë përforcuar nga duart e të Fuqishmit të Jakobit (e atij që është bariu dhe shkëmbi i Izraelit),

25 nga Perëndia e atit tënd që do të të ndihmojë dhe nga Shumë i Larti që do të të bekojë me bekimet e qiellit nga lart, me bekimet e humnerës që ndodhet poshtë, me bekimet e sisëve dhe gjirit të nënës.

26 Bekimet e atit tënd ua kalojnë bekimeve të të parëve të mi, deri në majat e kodrave të përjetshme. Ata do të jenë mbi kryet e Jozefit dhe mbi kurorën e atij që u nda nga vëllezërit e tij.

27 Beniamini është një ujk grabitqar; në mëngjes ha gjahun dhe në mbrëmje ndan prenë.

28 Tërë këta janë dymbëdhjetë fiset e Izraelit; dhe pikërisht këtë u tha ati i tyre kur i bekoi. I bekoi duke i dhënë secilit një bekim të veçantë.

29 Pastaj Jakobi i urdhëroi duke thënë: "Unë jam duke u ribashkuar me popullin tim; më varrosni pranë etërve të mi në shpellën që ndodhet në arën e Efron Hiteut,

30 në shpellën që është në fushën e Makpelahut përballë Mamres, në vendin e Kanaanit, atë që Abrahami bleu në arën nga Efron Hiteu, si vendvarrim, pronë e tij.

31 Atje u varrosën Abrahami dhe Sara, gruaja e tij, aty u varrosën Isaku dhe Rebeka, e shoqja, dhe aty unë varrosa Lean.

32 Ara dhe shpella që ndodhet aty u blenë nga bijtë e Hethit".

33 Kur Jakobi mbaroi së dhëni këto urdhëra bijve të tij, mblodhi këmbët në shtrat dhe vdiq; dhe u bashkua me popullin e tij.

1 e Korintasve 6:1-11

A guxon ndonjë nga ju, kur ka ndonjë çështje kundër një tjetri, të gjykohet përpara të padrejtëve dhe jo përpara shenjtorëve?

A nuk e dini ju se shenjtorët do të gjykojnë botën? Dhe nëse bota do të gjykohet nga ju, a thua nuk jeni të zotët të gjykoni gjërat më të vogla?

A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëj? Dhe aq më tepër mund të gjykojmë gjërat e kësaj jete!

Pra, në qoftë se keni për të gjykuar çështje të kësaj jete, vini gjykatës ata që çmohen më pak në kishë.

Këtë e them për turpin tuaj. Kështu midis jush nuk paska asnjë të urtë, i cili të jetë i zoti të gjykojë në mes të vëllezërve të tij?

Por një vëlla hyn në gjyq me të vë-llanë, dhe kjo përpara të pabesëve.

Gjithsesi është një e keqe që të keni gjyqe njëri me tjetrin. Pse nuk lejoni më mirë që t’ju bëhet padrejtësi? Pse nuk lejoni më mirë që të mashtroheni?

Po, përkundrazi, ju bëni padrejtësi dhe mashtroni, dhe këto ua bëni vëllezërve.

A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët,

10 as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

11 Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë.