Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 133

133 Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!

Éshtë si vaji i çmuar i shpërndarë mbi krye, që zbret mbi mjekrën e Aaronit, që zbret deri në cep të rrobave të tij.

Éshtë si vesa e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit, sepse atje Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi.

Zanafilla 41:14-36

14 Atëherë Faraoni dërgoi ta thërrisnin Jozefin, që e nxorrën menjëherë nga burgu nëntokësor. Kështu ai u rrua, ndërroi rrobat dhe erdhi te Faraoni.

15 Dhe Faraoni i tha Jozefit: "Kam parë një ëndërr dhe askush nuk është në gjëndje ta interpretojë; por kam dëgjuar për ty se, kur ke dëgjuar një ëndërr, je në gjendje ta interpretosh".

16 Jozefi iu përgjegj Faraonit duke i thënë: "Nuk jam unë, por Perëndia do të japë një përgjigje për të mirën e Faraonit".

17 Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Ja, në ëndrrën time unë rrija në bregun e lumit,

18 kur u ngjitën nga lumi shtatë lopë të majme dhe të hijshme, që nisën të kullosnin ndër xunkthe.

19 Pas tyre u ngjitën shtatë lopë të tjera të dobëta, shumë të shëmtuara dhe thatime; lopë të tilla aq të shëmtuara nuk kisha parë kurrë në gjithë shtetin e Egjiptit.

20 Dhe lopët e dobëta dhe të shëmtuara i hëngrën të shtatë lopët e para të majme;

21 por edhe pasi i hëngrën, asnjeri nuk mund të dallonte që i kishin ngrënë, sepse ato ishin të shëmtuara si më parë. Kështu u zgjova.

22 Pastaj pashë në ëndrrën time shtatë kallinj që dilnin nga një kërcell i vetëm, të plotë dhe të bukur;

23 dhe ja shtatë kallinj të tjerë të fishkur, të hollë dhe të tharë nga era lindore, që mbinin pas të parëve.

24 Pastaj shtatë kallinjtë e hollë gëlltitën shtatë kallinjtë e bukur. Këtë gjë ua tregova magjistarëve, por asnjeri prej tyre nuk qe në gjëndje të më jepte një shpjegim".

25 Atëherë Jozefi i tha Faraonit: "Éndërrat e Faraonit janë një ëndërr e njëjtë. Perëndia i tregoi Faraonit atë që po gatitet të bëjë.

26 Shtatë lopët e bukura janë shtatë vite dhe shtatë kallinjtë e bukur janë shtatë vite; është e njëjta ëndërr.

27 Edhe shtatë lopët e dobëta dhe të shëmtuara, që ngjiteshin pas atyre, janë shtatë vite; edhe shtatë kallinjtë bosh dhe të tharë nga era lindore janë shtatë vite zije buke.

28 Këto janë ato që i thanë Faraonit: Perëndia i tregoi Faraonit atë që po përgatitet të bëjë.

29 Ja, po vijnë shtatë vite bollëku të madh në tërë vendin e Egjiptit;

30 por pas këtyre do të vinë shtatë vite zije buke dhe gjithë ai bollëk do të harrohet në vendin e Egjiptit; dhe zija do të ligështojë vendin.

31 Dhe në vend nuk do ta kujtojnë më bollëkun e mëparshëm për shkak të zisë së bukës që do të vijë, sepse kjo do të jetë shumë e rëndë.

32 Fakti që kjo ëndërr i është shfaqur Faraonit dy herë do të thotë që këtë vendim e ka marrë Perëndia, dhe Perëndia do të bëjë që të ndodhë shpejt.

33 Prandaj Faraoni të kërkojë një njeri të zgjuar dhe të urtë dhe ta caktojë në krye të Egjiptit.

34 Faraoni duhet të veprojë kështu: të emërojë në vend mbikqyrës për të mbledhur një të pestën e prodhimeve të vendit të Egjiptit, gjatë shtatë viteve të bollëkut.

35 Ata të grumbullojnë të gjitha ushqimet e këtyre viteve të mbara që po vinë dhe të grumbullojnë grurin nën autoritetin e Faraonit dhe ta ruajnë për furnizimin e qyteteve.

36 Këto ushqime do të jenë një rezervë për vendin në parashikim të shtatë viteve të zisë së bukës që do të bjerë në vendin e Egjiptit; kështu vendi nuk do të humbasë nga zija".

Zbulesa 15:1-4

15 Pastaj pashë në qiell një shenjë tjetër të madhe dhe të mrekullishme: shtatë engjëj që kishin shtatë plagët e fundit, sepse me to u krye zemërimi i Perëndisë.

Dhe pashë një si det të qelqtë, të përzier me zjarr dhe në këmbë mbi detin e qelqtë, ata që kishin mundur bishën, figurën e saj, dhe damkën e saj edhe numrin e emrit të saj. Ata kishin qestet e Perëndisë,

dhe këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, dhe këngënn e Qengjit, duke thënë: “Të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e tua, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm; të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua, o Mbret i kombeve.

Kush nuk do të të druajë, o Zot, dhe nuk do të lëvdojë emrin tënd? Sepse vetëm ti je i Shenjtë; sepse të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë përpara teje, sepse gjykimet e tua u shfaqën.”