Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 72

72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.

Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.

Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.

Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.

Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.

Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.

Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.

Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.

10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.

11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.

12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.

13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.

14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.

15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.

16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.

17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.

18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.

19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.

20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.

Jozueu 1:1-9

Mbas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të Zotit, ndodhi që Zoti i foli Jozueut, djalit të Nunit, që i shërbente Moisiut, dhe i tha:

"Moisiu, shërbëtori im, vdiq; prandaj çohu, kalo Jordanin, ti dhe gjithë ky popull, dhe shko në atë vend që unë u jap atyre, bijve të Izraelit.

Unë ju kam dhënë çdo vend që tabani i këmbës suaj ka për të shkelur, siç i thashë Moisiut.

Territori yt do të shtrihet nga shkretëtira dhe nga Libani deri në lumin e madh, në lumin e Eufratit, nga tërë vendi i Hitejve deri në Detin e Madh, në perëndim.

Askush nuk do të mund të të kundërshtojë gjatë tërë ditëve të jetës sate; ashtu siç kam qenë me Moisiun, kështu do të jem me ty; nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.

Ji i fortë dhe trim, sepse ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin që u betova t’u jap etërve të tyre.

Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh simbas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh.

Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.

A nuk të urdhërova unë? Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh".

Hebrenjve 11:32-12:2

32 Dhe ç’të them më? Sepse nuk do të më mjaftonte koha, po të doja të tregoja për Jedeonin, Barakun, Sansonin, Jeftin, Davidin, Samuelin dhe për profetët,

33 të cilët, me anë të fesë nënshtruan mbretërira, realizuan drejtësinë, arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve,

34 fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja.

35 Gratë morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes; e të tjerët u torturuan, sepse nuk pranuan çlirimin, për të fituar një ringjallje më të mirë.

36 Dhe të tjerë hoqën përqeshje dhe goditje, madje edhe pranga dhe burgime.

37 U vranë me gurë, me sharrë, u prenë, u vranë nga shpata, u endën të mbuluar me lëkurë dhënsh e dhish, nevojtarë, të pikë-lluar, të keqtrajtuar

38 (bota nuk ishte e denjë për ta), u sollën nëpër shkretëtira e nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër guva të dheut.

39 E pra, të gjithë këta, ndonëse morën dëshmim të mirë me anë të besimit, nuk morën atë që u ishte premtuar,

40 sepse Perëndia kishte paraparë diçka më të mirë për ne, që ata të mos arrinin në përsosje pa ne.

12 Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh,

duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë.