Revised Common Lectionary (Complementary)
103 Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.
2 Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.
3 Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,
4 shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;
5 ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja.
6 Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve.
7 Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij.
8 Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
12 Atëherë Salomoni i ofroi olokauste Zotit mbi altarin e Zotit, që ai kishte ndërtuar përpara portikut të tempullit;
13 dhe e bënte këtë në bazë të numrit që kërkohej çdo ditë, duke i ofruar sipas urdhërimeve të Moisiut, të shtunave, kur kishte hënë të re dhe gjatë festave solemne, tri herë në vit, domethënë në festat e bukëve të ndorme, në festat e javëve dhe në festën e kasolleve.
14 Duke iu përmbajtur normave të Davidit, atit të tij, ai vendosi klasat e priftërinjve për shërbimin e tyre, Levitët në funksionet e tyre (të lëvdojnë Zotin dhe të shërbejnë para priftërinjve) sipas detyrave të përditshme, dhe derëtarët sipas klasave të tyre në çdo portë, sepse kështu kishte urdhëruar Davidi, njeriu i Perëndisë.
15 Ata nuk u larguan nga urdhëri i mbretit, që u ishte dhënë priftërinjve dhe Levitëve, për çdo gjë dhe për thesaret.
17 Dhe mbasi kishin kaluar nëpër Amfipoli dhe nëpër Apoloni, arritën në Thesaloniki, ku ishte sinagoga e Judenjve.
2 Dhe Pali, sipas zakonit të vet, hyri tek ata dhe tri të shtuna me radhë u paraqiti argumente nga Shkrimet,
3 duke deklaruar dhe duke treguar atyre se Krishti duhej të vuante dhe të ringjallej prej së vdekurish dhe duke thënë: “Ky Jezusi që unë ju shpall është Krishti.”
4 Disa nga ata besuan dhe u bashkuan me Palin dhe Silën, si dhe një numër i madh Grekësh të përshpirtshëm dhe jo pak gra të rëndësishme.
5 Por Judenjtë, të cilët nuk kishin besuar, patën smirë dhe morën me vete disa njerëz të këqij nga ata të rrugëve të tregut dhe, si mblodhën një turmë, e bënë rrëmujë qytetin; edhe sulmuan shtëpinë e Jasonit dhe kërkonin ata për t’i nxjerrë përpara popullit.
6 Por, mbasi nuk i gjetën, e hoqën zvarrë Jasonin dhe disa vëllezër përpara krerëve të qytetit, duke thirrur: “Ata që e kanë bërë rrëmujë botën, kanë ardhur edhe këtu,
7 dhe Jasoni këta i priti; të gjithë këta veprojnë kundër statuteve të Cezarit, duke thënë se është një mbret tjetër, Jezusi.”
8 Edhe nxitën popullin dhe krerët e qytetit, që i dëgjonin këto gjëra.
9 Por ata, mbasi morën një dorëzani nga Jasoni dhe nga të tjerët, i lejuan të shkojnë.