Revised Common Lectionary (Complementary)
146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.
2 Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.
3 Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.
4 Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.
5 Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,
6 që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,
7 që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.
8 Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.
9 Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.
10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.
33 Mjerë ti që shkreton edhe sikur të mos kesh qenë i shkretuar, që vepron me pabesi edhe sikur të mos jetë vepruar me pabesi kundër teje! Kur të kesh mbaruar së shkatërruari do të shkatërrohesh edhe ti; kur të kesh mbaruar së vepruari në mënyrë të pabesë, do të veprohet me pabesi kundër teje.
2 O Zot, ki mëshirë për ne, që kemi shpresë te ti. Bëhu krahu ynë çdo mëngjes dhe shpëtimi ynë në kohë fatkeqësie.
3 Nga zhurma e një turme, popujt ikin, kur ti çohesh kombet shpërndahen.
4 Plaçka juaj e luftës do të mblidhet ashtu siç mblidhen vemjet; ashtu si turren karkalecat kështu do të turren mbi të.
5 Zoti është lartësuar sepse banon lart; ai e mbush Sionin me barazi dhe drejtësi,
6 dhe do të jetë siguria e ditëve të tua, forca e shpëtimit, dituria dhe njohja; frika e Zotit do të jetë thesari i tij.
7 Ja, heronjtë e tyre bërtasin nga jashtë, lajmëtarët e paqes qajnë me hidhërim.
8 Rrugët janë të shkreta, nuk ka as edhe një kalimtar nëpër to. Ai e ka prishur besëlidhjen me ta, i përbuz qytetet, nuk kujdeset për njeri.
9 Vendi është në zi dhe vuan; Libani është plot me turp dhe i dobësuar; Sharoni është si një shkretëtirë, Bashani dhe Karmeli tronditen me të madhe.
21 Pastaj Jezusi, pasi u largua që andej, u nis drejt rrethinave të Tiros dhe të Sidonit.
22 Dhe ja, një grua kananease, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë duke thënë: “Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon!.”
23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe iu lutën duke thënë: “Lëshoje atë, sepse po bërtet pas nesh.”
24 Por ai u përgjigj dhe tha: “Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.”
25 Por ajo erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: “O Zot, ndihmomë!.”
26 Ai u përgjigj, duke thënë: “Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhësh këlyshëve të qenve.”
27 Por ajo tha: “Éshtë e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”
28 Atëherë Jezusi iu përgjigj duke thënë: “O grua, i madh është besimi yt! T’u bëftë ashtu si dëshiron.” Dhe që në atë çast e bija u shërua.
29 Pastaj, mbasi u nis që andej, Jezusi erdhi pranë detit të Galilesë, u ngjit në mal dhe u ul atje.
30 Dhe iu afruan turma të mëdha që sillnin me vete të çalë, të verbër, memecë, sakatë dhe shumë të tjerë; i ulën përpara këmbëve të Jezusit dhe ai i shëroi.
31 Turmat mrrekulloheshin kur shikonin se memecët flisnin, sakatët shëroheshin, të çalët ecnin dhe të verbërit shihnin; dhe lëvdonin Perëndinë e Izraelit.