Revised Common Lectionary (Complementary)
7 O Zot, Perëndia im, po kërkoj strehim te ti; shpëtomë nga tërë ata që më përndjekin dhe çliromë,
2 që armiku të mos e shqyejë shpirtin tim si një luan, duke copëtuar pa mundur njeri të më çlirojë.
3 O Zot, Perëndia im, në rast se e kam bërë këtë, në qoftë se ka ligësi në duart e mia,
4 në rast se së mirës i jam përgjigjur me të keqen atij që jetonte në paqe me mua, ose në rast se e kam zhveshur armikun tim pa arësye,
5 le të më përndjekë armiku dhe të më arrijë, le ta marrë nëpër këmbë jetën time dhe ta zvarritë në pluhur lavdinë time. (Sela)
6 Çohu, o Zot, në zemërimin tënd; çohu kundër tërbimit të armiqve të mi dhe në favorin tim; ti ke vendosur gjykimin.
7 Kuvendi i popujve do të të rrethojë; kthehu mbi të në një vend të ngritur.
8 Zoti do të gjykojë popujt; gjykomë, o Zot, sipas drejtësisë sime dhe ndershmërisë sime.
9 Jepi fund ligësisë së njerëzve të këqij, por vendos njeriun e drejtë, sepse ti je Perëndia i drejtë, që provon zemrat dhe mendjet.
10 Mburoja ime është te Perëndia, që shpëton ata që janë të drejtë nga zemra.
11 Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit.
12 Në qoftë se keqbërësi nuk ndryshon, ai do të mprehë shpatën e tij; e ka shtrirë harkun e tij dhe e ka përgatitur.
13 Ai ka përgatitur kundër tij armë vdekjeprurëse, i mban gati shigjetat e tij të zjarrta.
14 Ja, keqbërësi lind padrejtësinë; ai ka konceptuar ligësinë dhe ka për të pjellë mashtrimin.
15 Ai gërmon një gropë dhe e bën të thellë, por bie vetë në gropën që ka bërë.
16 Ligësia e tij do të kthehet mbi kryet e vet dhe dhuna e tij do të bjerë mbi çafkën e kokës.
17 Unë do ta falenderoj Zotin për drejtësinë e tij, dhe do të këndoj lëvdime në emër të Zotit, Shumë të Lartit.
3 Esteri foli akoma para mbretit, ra në këmbët e tij dhe iu lut me lot ndër sy që të pengonte komplotin e keq të Hamanit, Agagitit, dhe planin që ai kishte menduar kundër Judejve.
4 Atëherë mbreti zgjati skeptrin prej ari në drejtim të Esterit; kështu Esteri u ngrit, mbeti në këmbë para mbretit
5 dhe tha: "Në se i duket mirë mbretit, në rast se kam gjetur hir në sytë e tij, në rast se çështja i duket gjithashtu e drejtë mbretit dhe në rast se gjej pëlqim nga sytë e tij, të shkruhet për të revokuar dokumentet e hartuara nga Hamani, bir i Hamedathas, Agagitit, që ai shkroi për të shkatërruar Judejtë që janë në të gjitha krahinat e mbretit.
6 Si do të mund të rezistoja në fakt duke parë fatkeqësinë që do të godiste popullin tim? Ose si do të mund të rezistoja duke parë shkatërrimin e fisit tim?".
7 Atëherë mbreti Asuero i tha mbretëreshës Ester dhe Judeut Mardoke: "Ja, unë i dhashë Esterit shtëpinë e Hamanit, dhe këtë e varën në trekëmbësh, sepse kishte dashur të shtrinte dorën e tij mbi Judejtë.
8 Ju vetë shkruani një dekret në favor të Judejve në emër të mbretit, si t’ju duket më mirë, dhe vuloseni me unazën mbretërore, sepse vendimi i shkruar në emër të mbretit dhe i vulosur me unazën mbretërore është i prerë".
9 Atëherë, më njëzet e tre të muajit të tretë, që është muaji i Sivanit, u thirrën sekretarët e mbretit dhe sipas gjithë atyre që Mardokeu kishte urdhëruar, u dërguan shkrime Judejve, satrapëve, qeveritarëve dhe krerëve të njëqind e njëzet e shtatë krahinave, nga India deri në Etiopi, çdo krahine sipas shkrimit të saj, çdo populli sipas gjuhës së tij, dhe Judejve sipas shkrimit dhe gjuhës së tyre.
10 Kështu ai shkroi në emër të mbretit Asuero, duke vënë vulën me unazën mbretërore, dhe i dërgoi dokumentet me anë të korierëve që ngisnin kuaj të shpejtë, të lindur nga kuaj të racës.
11 Me anë të këtyre dokumenteve u jepej Judejve, në çfarëdo qyteti që të ndodheshin, e drejta të bashkoheshin dhe të mbronin jetën e tyre, duke shkatërruar, duke vrarë dhe duke shfarosur tërë njerëzit e armatosur të çfarëdo populli o krahine që t’i sulmonin, duke përfshirë fëmijët dhe gratë, dhe të plaçkisnin pasuritë e tyre,
12 në një ditë të vetme, në të gjitha krahinat e mbretit Asuero: ditën e trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, që është muaji i Adarit.
13 Një kopje e dekretit, i shpallur si ligj në çdo krahinë, duhet të nxirrej për të gjithë popujt, me qëllim që Judejtë të ishin gati për atë ditë të hakmerreshin kundër armiqve të tyre.
14 Kështu korierët të hipur mbi kuaj të shpejtë u nisën të nxitur dhe të shtypur nga urdhri i mbretit; dhe dekreti u nxuar në qytetin e Suzës.
15 Mardokeu doli nga prania e mbretit me një rrobe mbretërore të purpurt dhe prej liri të bardhë, me një kurorë të madhe prej ari dhe një mantel prej pëlhure liri në ngjyrë të kuqe flakë; në qytetin e Suzës dëgjoheshin britma gëzimi dhe ai ishte në festë.
16 Për Judejtë ishte dritë, gëzim, gaz dhe lavdi.
17 Në çdo krahinë dhe në çdo qytet, kudo që arrinte urdhri i mbretit dhe dekreti i tij, për Judejtë kishte gëzim dhe ngazëllim, bankete dhe ditë të lumtura. Dhe shumë nga pjestarët e popujve të vendit u bënë Judej, sepse tmerri i Judejve i kishte zënë.
19 Dhe pas këtyre dëgjova në qiell zërin e madh të një turme të shumtë, duke thënë: “Aleluja! Shpëtimi, dhe lavdia, dhe nderimi, dhe fuqia i përkasin Zotit, Perëndisë sonë,
2 sepse të vërteta dhe të drejta janë gjykimet e tij! Ai në fakt gjykoi laviren e madhe, që e prishi dheun me kurvërinë e saj, dhe mori hak për gjakun e shërbëtorëve të vet të derdhur prej dorës së saj.”
3 Dhe thanë për të dytën herë: “Aleluja! Dhe tymi i saj ngjitet në shekuj të shekujve.”
4 Dhe ranë përmbys të njëzet e katër pleqtë, dhe të katër qeniet e gjalla, dhe adhuruan Perëndinë, që ulej mbi fron, duke thënë: “Amen, Aleluja!.”
5 Dhe nga froni erdhi një zë, duke thënë: “Lëvdoni Perëndinë tonë, gjithë ju shërbëtorë të tij dhe ju që e druani, dhe të vegjlit dhe të mëdhenjtë.”
6 Dhe dëgjova një si zë i një turme të madhe, dhe si zë shumë ujërash dhe si zë bubullimash të forta, që thoshte: “Aleluja, sepse filloi të mbretërojë Zoti, Perëndia ynë, i Plotfuqishmi!.
7 Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij është përgatitur!
8 Dhe i është dhënë të vishet me li të hollë, të pastër dhe të shkëlqyeshëm, sepse liri i hollë janë veprat e drejta të shenjtorëve.”
9 Dhe më tha: “Shkruaj: Lum ata që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit.” Dhe më tha: “Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë.”