Revised Common Lectionary (Complementary)
90 O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi.
2 Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.
3 Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".
4 Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.
5 Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes.
6 Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet.
7 Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt.
8 Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate.
9 Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë.
10 Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.
11 Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje?
12 Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.
10 Ja dita, ja ku arriti. Erdhi shkatërrimi. Thupra lulëzoi, kryelartësia buloi.
11 Dhuna është shtuar si një thupër pabesie. Nuk do të mbetet asnjë prej tyre, asnjë nga moria e tyre, asnjë prej tyre; nuk do të ketë asnjë vajtim për ta.
12 Koha erdhi, dita po afrohet. Kush blen të mos gëzohet, kush shet të mos hidhërohet, sepse një zëmërim i zjarrtë kërcënon gjithë morinë e tyre.
13 Sepse ai që shet nuk do të zotërojë atë që ka shitur, edhe sikur të mbetet i gjallë, sepse vegimi përfshin tërë morinë e tyre dhe nuk do të hiqet, dhe askush nuk do të mund të ruajë jetën e vet, duke jetuar në paudhësi.
14 I kanë rënë borisë, dhe të gjithë janë gati, por asnjë nuk shkon në betejë, sepse afshi i zemërimit tim është kundër tërë morisë së tyre.
15 Nga jashtë shpata, nga brenda murtaja dhe uria. Kush është ndër ara do të vdesë nga shpata, kush është në qytet do të gllabërohet nga murtaja dhe nga uria.
16 Por ikanakët që do të arrijnë të shpëtojnë do të rrinë ndër male si pëllumbat e luginës, të gjithë duke rënkuar për shkak të paudhësisë së vet.
17 Të gjitha duart do të bëhen të dobëta dhe tërë gjunjët do të bëhen të dobët si uji.
18 Do të vishen me thasë dhe frika do t’i mbulojë, turpi do të jetë mbi të gjitha fytyrat dhe shogësia mbi tërë kokat e tyre.
19 Do të hedhin argjendin e tyre nëpër rrugë dhe ari i tyre do të bëhet një ndyrësi. Argjendi i tyre dhe ari i tyre nuk do të mund t’i shpëtojnë ditën e zemërimit të Zotit; nuk do të mund të ngopin shpirtin e tyre as të mbushin barkun e tyre, sepse paudhësia e tyre është bërë shkak pengese.
20 Kanë nxjerrë nga bukuria e stolive të tyre shkas kryelartësie; kanë përftuar figura nga neveritë e tyre dhe nga idhujt e tyre të urrejtshëm. Prandaj do t’i bëj ata një ndyrësi,
21 dhe do t’i lë pra në duart e të huajve dhe plaçkë për të pabesët e dheut që do t’i përdhosin.
22 Do të largoj prej tyre fytyrën time dhe ata do të përdhosin vendin tim sekret; do të hyjnë njerëz që përdorin dhunën dhe do ta përdhosin.
23 Përgatit një zinxhir, sepse vendi është plot me krime gjaku dhe qyteti është plot dhunë.
24 Do të sjell kombe të këqija që do të shtien në dorë shtëpitë e tyre; do ta ul kryelartësinë e të fuqishmëve dhe vendet e tyre të shenjta do të përdhosen.
25 Shkatërrimi po vjen. Ata do të kërkojnë paqe, por nuk do të ketë.
26 Do të ketë fatkeqësi të njëpasnjëshme, lajme të këqija pas lajmesh të këqija. Atëherë do t’i kërkojnë një vegim një profeti, por ligji do t’i mungojë priftit dhe këshillit të pleqve.
27 Mbreti do të jetë në zi, princi do të vishet me rroba dëshpërimi dhe duart e popullit të vendit do t’i pushtojë frika. Unë do t’i trajtoj sipas sjelljes së tyre dhe do t’i gjykoj sipas gjykimeve të tyre; atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".
43 Tani kur fryma e ndyrë ka dalë nga një njeri, endet nëpër vende të thata, duke kërkuar qetësi, por nuk e gjen.
44 Atëherë thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time, nga kam dalë"; po kur arrin e gjen të zbrazët, të pastruar dhe të zbukuruar;
45 atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjera më të liga se ai, të cilët hyjnë dhe banojnë aty; kështu gjendja e fundit e këtij njeriut bëhet më e keqe nga e mëparshmja. Kështu do t’i ndodhë edhe këtij brezi të mbrapshtë.”