Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 1

Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit,

por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.

Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.

Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan.

Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve.

Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.

Fjalët e urta 24:23-34

23 Edhe këto gjëra janë për të urtit. Nuk është mirë të kesh preferenca personale në gjykim.

24 Ai që i thotë të pabesit: "Ti je i drejtë," do të mallkohet nga popujt dhe kombet do ta nëmin.

25 Por ata që e qortojnë të pabesin do të gjejnë kënaqësi dhe mbi ta do të zbresin bekimet më të mira.

26 Ai që jep një përgjigje të drejtë jep një të puthur mbi buzët.

27 Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.

28 Mos dëshmo pa arsye kundër të afërmit tënd dhe mos gënje me buzët e tua.

29 Mos thuaj: "Ashtu si ma bëri mua, kështu do t’ia bëj edhe unë; do t’ia kthej simbas sjelljes së tij".

30 Kalova pranë arës së përtacit dhe pranë vreshtit të njeriut që s’ka mend;

31 dhe ja, kudo rriteshin ferrat, ferrishtet e zinin tokën dhe muri prej gurësh ishte shembur.

32 Duke parë këtë, u mendova me kujdes; nga sa pashë nxora një mësim:

33 të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar;

34 kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.

Gjoni 5:39-47

39 Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua.

40 Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën.

41 Unë nuk marr lavdi nga njerëzit.

42 Por unë ju njoh, që nuk keni dashurinë e Perëndisë në ju.

43 Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit.

44 Si mund të besoni ju, ju që ia merrni lavdinë njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia?

45 Mos mendoni se unë ju padis tek Ati; ka kush t’ju padisë: Moisiu, në të cilin ju kishit varur shpresën tuaj;

46 sepse nëqoftëse ju do t’i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua.

47 Por nëqoftëse ju nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t’u besoni fjalëve të mia?.”