Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 28

28 Ty të këlthas, o Zot, o kështjella ime; mos rri në heshtje, sepse po të mos flasësh ti, unë bëhem njëlloj si ata që zbresin në gropë.

Dëgjo zërin e lutjeve të mia kur të këlthas ty për ndihmë, kur ngre duart në drejtim të vendit tënd shumë të shenjtë.

Mos më tërhiq bashkë me të pabesët dhe ata që kryejnë paudhësi, të cilët flasin për paqe me të afërmit e tyre, por kanë shpirtligësi në zemër.

Jepu atyre sipas veprave që kanë kryer dhe sipas ligësisë së veprimeve të tyre; jepu atyre sipas veprës së duarve të tyre; jepu atyre hakun që meritojnë.

Duke qenë se ata nuk i çmojnë veprat e Zotit dhe atë që duart e tij kanë bërë, ai do t’i mposhtë dhe nuk do t’i lërë të begatohen.

I bekuar qoftë Zoti, sepse ka dëgjuar zërin e lutjeve të mia.

Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time.

Zoti është forca e popullit të tij, dhe streha e shpëtimit për të vajosurin e tij.

Shpëto popullin tënd dhe beko trashëgiminë tënde; ushqeji dhe përkrahi përjetë.

Gjyqtarët 16:1-22

16 Pastaj Sansoni shkoi në Gaza dhe aty pa një prostitutë, dhe hyri tek ajo.

Kur u thanë atyre të Gazës: "Sansoni erdhi këtu," ata rrethuan vendin dhe qëndruan në pritë tërë natën pranë portës së qytetit, duke mbajtur heshtje të plotë, dhe thanë: "Në të gdhirë do ta vrasim".

Sansoni ndejti shtrirë deri në mesnatë; pastaj në mesnatë u ngrit, kapi kanatet e portës së qytetit dhe dy shtalkat e saj i shkuli nga vendi bashkë me shufrat prej hekuri, i ngarkoi mbi kurriz dhe i çoi në majë të malit që ndodhet përballë Hebronit.

Mbas kësaj ra në dashuri me një grua nga lugina e Sorekut, që quhej Delilah.

Atëherë princat e Filistejve shkuan tek ajo dhe i thanë: "Bëje për vete dhe zbulo ku qëndron tërë ajo forcë e madhe e tij, në mënyrë që ta mposhtim për ta lidhur dhe për ta nënshtruar; pastaj do të të japim secili një mijë e njëqind sikla argjendi.

Kështu Delilah i tha Sansonit: "Më thuaj të lutem, ku qëndron forca jote e madhe dhe në çfarë mënyre mund të të lidhin që të të nënshtrojnë".

Sansoni iu përgjegj: "Në rast se më lidhin me shtatë tela të freskëta, jo akoma të thara, të harkut, unë do të bëhem i dobët dhe do të jem si gjithë burrat e tjerë".

Atëherë princat e Filistejve i suallën shtatë tela të freskëta harku, jo akoma të thata, dhe ajo e lidhi me këto tela.

Mirëpo kishte njerëz që rrinin në pritë pranë saj, në një dhomë të brëndshme. Ajo i tha: "Sansone, Filistejtë i ke mbi kokë!". Por ai i këputi litarët, ashtu si këputet një fije shtupe kur ndjen zjarrin. Kështu e fshehta e forcës së tij mbeti e panjohur.

10 Pastaj Delilah i tha Sansonit: "Ja, je tallur me mua dhe më ke treguar gënjeshtra; por tani, të lutem, më thuaj se me çfarë gjë mund të lidhesh".

11 Ai iu përgjegj: "Në qoftë se më lidhin me litarë të rinj që nuk kanë qenë përdorur kurrë, unë do të bëhem i dobët dhe do të jem si çfarëdo burrë tjetër".

12 Prandaj Delilah mori litarë të rinj, e lidhi dhe i tha: "Sanson, Filistejtë i ke mbi kokë". Dhe kishte njerëz në pritë në dhomën e brendshme. Ai i këputi litarët që kishte në krahë si të ishin penj.

13 Atëherë Delilah i tha Sansonit: "Deri tani je tallur me mua dhe më ke thënë gënjeshtra; tregomë me se mund të lidhesh". Dhe ai iu përgjegj: Mjafton të thurësh shtatë gërshetat e kokës sime me majën e tezgjahutt".

14 Ajo i thuri dhe i fiksoi në shulin e tezgjahut pastaj i tha: "Sanson, Filistejtë i ke mbi kokë". Por ai u zgjua nga gjumi dhe shkuli shulin nga tezgjahu dhe nga maja.

15 Atëherë ajo i tha: "Si mund të më thuash: "Të dua," kur zemra jote nuk është me mua? Tri herë me radhë je tallur me mua dhe nuk më ke treguar ku qëndron forca jote e madhe".

16 Tani, me qenë se ajo e bezdiste çdo ditë me fjalët e saj dhe e nxiste me ngulm, ai u zemërua për vdekje,

17 dhe ia çeli asaj tërë zemrën, duke i thënë: "Kurrë nuk ka kaluar brisku mbi kokën time, sepse jam një Nazireo i Perëndisë, qysh në barkun e nënes sime; po të rruhesha, forca ime do të ikte, do të bëhesha i dobët dhe i njëllojtë si gjithë burrat e tjerë".

18 Kur Delilah u bind që ai ia kishte çelur plotësisht zemrën, dërgoi të thërrasin princat e Filistejve dhe u dërgoi këto fjalë: "Ejani lart këtë radhë se ai ma hapi tërë zemrën e tij". Atëherë princat e Filistejve u ngjitën tek ajo dhe morën me vete paratë.

19 Pastaj ajo e vuri në gjumë mbi gjunjët e saj, thirri një njeri që i rrovi të shtatë gërshetat të kokës së Sansonit; pastaj filloi ta trajtoj keq, dhe fuqia e tij e la.

20 Atëherë ajo i tha: "Sanson, Filistejtë i ke mbi kokë". Ai u zgjua nga gjumi dhe tha: "Unë do t’ia dal si herët e tjera, do të shpengohem". Por nuk e dinte që Zoti e kishte braktisur.

21 Dhe Filistejtë e zunë dhe i nxorën sytë; e zbritën në Gaza dhe e lidhën me zinxhirë prej bronzi. Dhe e vunë të rrotullojë mokrën në burg.

22 Ndëkaq flokët e kokës, mbasi u rruan, filluan përsëri të rriten.

Filipianëve 1:15-21

15 Disa me të vërtetë predikojnë Krishtin edhe për smirë dhe për grindje, por disa të tjerë me vullnet të mirë.

16 Këta e predikojnë Krishtin për grindje, me qëllime jo të pastra, duke menduar që t’u shtojnë pikëllimin vargonjve të mia.

17 kurse ata e bëjnë nga dashuria, duke ditur se unë jam vënë për mbrojtjen e ungjillit.

18 Ç’rëndësi ka? Sido që të jetë, me shtirje o sinqerisht, Krishti shpallet; dhe për këtë unë gëzohem, dhe do të gëzohem.

19 E di në fakt, se kjo do të dalë për shpëtimin tim, me anë të lutjes suaj dhe me ndihmën e Frymës së Jezu Krishtit,

20 sipas të priturit tim me padurim dhe me shpresë, se unë nuk do të turpërohem në asnjë gjë, por me çdo guxim, tani si gjithmonë, Krishti do të madhërohet në trupin tim, ose me jetën ose me vdekjen.

21 Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim.